Fundamenti

Autostrada për në Shkup nis me paratë e PTK-së

/ 2 minuta lexim
RCCOLA

Ndërtimi i autostradës Prishtinë-Shkup mund të nisë vetëm pasi të arrijnë në vend të paratë nga shitja e Postë-Telekomit të Kosovës (PTK).

Kështu thuhet në raportin e fundit të Fondit Monetarë Ndërkombëtar (FMN) për Kosovën, duke shtuar më tej se gjithashtu duhet të dihet edhe kostoja e saktë e autostradës tjetër që është në ndërtim e sipër, përkatësisht autostradës që lidh Kosovën me Shqipërinë.

“Ndërtimi i autostradës për Maqedoni, që të futet në një kornizë të qëndrueshme buxhetore, qeveria duhet të hyjë në zotime kontraktuale vetëm atëherë kur autostrada me Shqipërinë është afër përfundimit dhe të bëhet pranimi i mjeteve nga shitja e PTK-së”, thuhet ndër të tjera në këtë raport.

Mobi Casa

Zotimin për integrimin e autostradës për Shkup në një kornizë të qëndrueshme buxhetore e jep edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në të ashtuquajturën “Letra e Qëllimit” dërguar më 27 qershor 2012, shefes së FMN-së, Christine Lagarde. Në këtë letër, sipas gazetës zëri, Thaçi më tej shkruan se analiza për opsionet e financimit të kësaj autostrade është në vazhdim e sipër.

Sipas Thaçit, nëse vendoset që ky projekt të financohet plotësisht nga buxheti i vendit, parakushtet për të hyrë në obligime kontraktuale janë: Kompletimi i privatizimit të PTK-së, përfundimi i autostradës me Shqipërinë, në mënyrë që të kemi qartësi të mjaftueshme për mundësitë buxhetore./Indeksonline/