Australi, Berisha në formacionin e vitit
Sulmuesi i kombëtares shqiptare, Besart Berisha merr trofeun si pjesë e 11-shes më të mirë të A-league për sezonin 2013/2014 duke qenë dhe një prej lojtarëve kyc për skuadrën e tij të Brisbane Roar, së cilës i dha lamtumirën pasi i udhëhoqi në fitimin e titullit për t’u transferuar te Melbourne Victory.
Besart Berisha shënoi 13 gola në këtë sezon të kampionatit australian madje dy prej tyre i realizoi në ndeshjet play-off duke ndihmuar skuadrën e tij Brisbane Roar të fitonte titullin e dytë në histori.
Në formacionin më të mirë Berisha udhëheq i vetëm majën e sulmit madje për të fituar këtë pozicion futbollisti shqiptar la pas sulmuesin e famshëm Italian Alex Del Piero që e mbylli sezonin në koutën e 10-golave me skuadrën e Sydney-it.
Besart Berisha e mbyll kështu në mënyrën më të mirë aventurën e tij me Brisbane Roar ku në 3 sezone me portokallinjtë koleksionon 83 ndeshje dhe 50 gola të shënuar.
28-vjecari nga Prishtina ishte gjithashtu përcaktues në fitimin e dy titujve kampionë nga ana Brisbane madje në sezonin e tij të parë u shpall edhe golashënuesi më i mirë i A-League. Që nga sezoni i ardhshëm Berisha do të jetë pjesë e Melbourne Victory skuadër e cila falë një ofertë më të mirë ekonomike fitoi firmën e sulmuesit shqiptar për dy sezonet e ardhshme.


