RCCOLA

Auditori nuk gjen asnjë parregullsi në Ambasadën e Bernit

/ 2 minuta lexim
Uji Dea

Auditori i Përgjithshëm nuk ka gjetur asnjë keqpërdorim në ambasadën dhe shërbimin konsullor të Kosovës në Bernë.

Zyra e Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës ka bërë publik raportin për pasqyrat vjetore financiare të Ministrisë së Punëve të Jashtme (MPJ) për vitin 2011, duke përfshirë këtu edhe Ambasadën në Bernë. Në këtë të fundit, sipas auditorit, nuk është evidentuar asnjë parregullsi ligjore.

“Misioni diplomatik dhe shërbimi konsullor në Bernë realizon të hyra prej taksave nga shërbimet konsullore. Sipas regjistrave të thesarit Ambasada në Bernë ka realizuar të hyra vjetore neto në vlerë prej 63.654 Euro. Pjesa më e madhe e të hyrave është grumbulluar nga taksat për dokumentet e udhëtimit dhe taksa tjera administrative”, thuhet në deklarimin e Auditorit.

Nga krahasimi i të hyrave të raportuara me hyrjet në llogarinë bankare, është konstatuar se vlerat përputhen, konsideron Auditori i Përgjithshëm. Shpenzimet, siç thuhet më tej, janë bërë në harmoni me legjislacionin në fuqi.

Ndërkaq, siç thuhet në raport, gjatë testimeve dhe kontrollit të të dërguarve të auditorit të përgjithshëm, janë vërejtur disa mangësi në legjislacionin e asaj kohe, pasi nuk është marrë parasysh kostoja e shkaktuar nga lëvizja e kursit valutor në mes të euros dhe frangut zviceran, të cilat kanë ndikuar që disa shpenzime të Ambasadës të mbesin pezull.

Eco Higjiena

Sipas raportit të auditorit, që është publikuar edhe në faqen e MPj-së dhe është transparente për publikun, auditimi i Ambasadës në Bernë është realizuar në muajin nëntor, ndërsa është rishikuar periudha nëntëmujore e aktivitetit diplomatik, janar – shtator 2011. Auditori thotë se ka pasur disa vonesa në raportim.

“Te Ambasada në Bernë vërehet një progres sa i përket raportimit të rregullt mujor të shpenzimeve të saj, ndërsa vonesa kishte në raportimin e të hyrave”, thuhet në raportin e Auditorit.

Sipas raporteve financiare të përgatitura nga Ambasada në Bernë, shpenzimet e vitit 2011 arrijnë vlerën 285,799€. Pagesa e shpenzimeve bëhet nga të hyrat e inkasuara prej taksave konsullore si dhe mjeteve financiare që MPJ ua dërgon në llogarinë bankare.

“Nga krahasimi i shpenzimeve të raportuara me raportin bankar, është konstatuar se vlerat përputhen”, konsideron Auditori.