Auditori konfirmon shkeljet në Agjencinë e Privatizimit

Agjencia Kosovare e Privatizimit ka qenë shumë dorëlirë në shpërndarjen e 20-përqindëshit punëtorëve që nuk kanë qenë punëtorë të ish-ndërmarrjeve shoqërore.
Auditori i Përgjithshëm ka gjetur disa raste kur AKP-ja i ka bërë me para personat që nuk kanë dëshmuar të kenë qenë punëtorë që ligjërisht e meritojnë të jenë përfitues të 20-përqindëshit, shkruan sot Koha Ditore.
Ligji i AKP-së u ka dhënë të drejtë që ish-punëtorët e ndërmarrjeve shoqërore të përfitojnë 20 për qind të shumës që shitet ndërmarrja në të cilën ata kanë punuar.
Sipas rregullores në fuqi, punëtori konsiderohet si legjitim për të përfituar nga fondet e 20% nëse është regjistruar si punëtor i ndërmarrjes në pronësi shoqërore në kohën e privatizimit dhe nëse konstatohet se ka qenë në listën e pagave të ndërmarrjes për jo më pak se tre vjet.
E këto kushte nuk i kanë plotësuar shumë punëtorë, duke i dëmtuar punëtorët që kanë pasur të drejtë legjitime për të përfituar nga fondi i 20- përqindëshit.