ARKATANA

ATK privilegjon naftarët

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Prishtinë – Një nga bizneset më profitabile dhe me qarkullim shumë të madh ditor ende po arkëton të hyra pa arka fiskale. Fiskalizimin e naftarëve e kanë premtuar zyrtarë të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) qysh në muajin tetor të vitit të kaluar, mirëpo deri tani nuk është ndërmarr asgjë në këtë drejtim. As tani kur kanë kaluar gjashtë muaj nga premtimi i dhënë, zyrtarë nga ATK-ja nuk janë në gjendje të japin një datë të saktë se kur do të fillojë ky projekt.

Edhe përfaqësues të Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës kanë thënë se fiskalizimi ende nuk ka filluar, por thonë se është duke u punuar në këtë drejtim.

“Fiskalizimi i pikave shitëse të derivateve ende nuk ka filluar sepse procesi i certifikimit ende nuk ka përfunduar tërësisht. Pasi të ketë përfunduar certifikimi teknik i pajisjeve elektronike fiskale. Kompanitë janë të licencuara, mirëpo përveç këtij licencimi ata duhet të certifikojnë çdo pajisje para se të vendoset në funksion”, tha për “Lajm”, Valentina Bytyqi, zyrtare për komunikim me publikun në ATK.

Kryetari i kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Nazmi Bytyqi, tha se fiskalizimi ende nuk ka filluar, ai vetëm ka bërë të ditur se është duke u punuar në këtë drejtim, duke mos dhënë asnjë datë se kur fillon fiskalizimi. “Është duke u punuar për ketë çështje. Kemi takime çdo herë me zyrtarë të ATK-së dhe me Shoqatën. Nuk jemi të informuar se është përmendur ndonjë datë, as unë nuk mund të them një datë se kur do të fillojë fiskalizimi. Ne besojmë që të gjithë pronarët e pompave do të pranojnë që të pajisen me arka fiskale”, është shprehur Bytyqi.

Eco Higjiena

Administrata Tatimore e Kosovës kishte bërë të ditur se pajisjet që do të instalohen nëpër pompat e derivateve janë më specifike se ato që janë instaluar deri tani. Sipas tyre, këto pajisje do të instalohen në brendi të pompës, në mënyrë që çdo gjë që kalon nëpër gypat e pompave të memorizohet në memorien fiskale.

Gjatë vitit të kaluar në Kosovë janë futur derivate të naftës në vlerë prej 320 milionë eurove. Në shënimet e Doganave të Kosovës ka qenë vlera e 86 milionë litrave mazut që janë futur në tregun e Kosovës gjatë vitit 2011. Naftë janë futur 347 milionë litra që kanë vlerë rreth 215 milionë euro, benzinë janë futur 101 milionë litra që kanë vlerë 57 milionë euro, si dhe 14 milionë litra vaj solar që kanë vlerë rreth 7 milionë euro.

Në total, duke përfshirë periudhën katërvjeçare prej fillimit të 2008-ës e deri në fund të 2011-ës, sipas Doganave të Kosovës, vlera e derivateve të naftës që ka hyrë në Kosovë ka qenë 960 milionë euro. Gjatë kësaj periudhe katërvjeçare janë importuar mbi 2 miliardë litra derivate të naftës. Nafta importohet më së shumit nga Maqedonia e Greqia.

Një pjesë e saj importohet edhe nga Franca, Irani, India, Republika e Koresë, Rusia, Gjeorgjia, Turkmenistani, Azerbajxhani./Lajm/Telegrafi/