RCCOLA

Aterrimi i dhembjes

/ 13 minuta lexim

Nga Sabile Keçmezi- Basha – Aeroplani më në fund ateroi. Uturima e tij vazhdoi të na shurdhonte veshët edhe pas uljes së tij. Pasagjeret filluan të dalin një nga një nga barku i tij shtatzënë. U mundoja ti numëroja njerëzit nga larg, dhe nga zona që ishte e ndalura për hyrje , doja sado pak të bëja identifikimin e nënës që kishte vite pa e parë. E parafytyroja ashtu siç e kisha lënë më parë. Te drejtë- lis, krenare e të pa përkulur nëpër vite, të pashme e plotë jetë.

E pritja. E pritja më vonë mu shndërrua në dhembje. Dikur njerëzit filluan të rrallohen, bile nga aeroplani zbriti edhe një stjuardesë. Atë…atë biondinën me flokë kaçurrela e përcillja me sy se nga shkonte. Dikur ajo u futë në një derë, ku pas pak doli me dy infermiere dhe u drejtua përsëri nga aeroplani, tamam atëherë kur mendova se duhet të ikja dhe të mos kthehesha kurrë më… Mu errësua para syve, një mjegullnajë e tërë më lëbyri shikimin. I humba shpresat… edhe kësaj radhe nëna nuk do të vijë. Më kishte ndodhur edhe më parë që të kthehesha sa e sa herë e dëshpëruar. Më vonë, zakonisht më ndodhte, ndonjë përgjegjës i IOM-mit të më kërkonte falje, duke më informonin se ndoshta Nëna do të vijë me një aeroplan tjetër dhe përsëri për të ndodhur i njëjti avaz. Dhe përsëri ajo nuk vinte. Dhe përsëri, më vonë cingëronte telefoni dhe isha e bindur se më thërrisnin për të më kërkuar falje, për atë që nuk kishte ndodhur. Por, përsëri duke më bindur, se nesër, ose një ditë tjetër, me siguri do të vijë nëna. Kështu, për të vazhduar me ditë të tëra.

Gjatë… shumë gjatë kisha pritur në holet e aeroportit deri më sot…

Dikur fillova të mësohesha… që të pritja ashtu kot… Bile, filluan të më njohin edhe disa punëtor që punonin në aeroport. Kamerieren që shërbente në restorant, kadi-kadi e bëra mike. Aty, në pritjet e gjata me një makiato e mbytja ditën, ndërsa pastruesja, që ishte një italiane e sjellshme, shpesh më buzëqeshte duke lëvizur kokën në shenjë pohimi, se nuk i pengoja fare. Nganjëherë i thosha burrit :

– E shef se si po më njohin duke ardhur çdo ditë… ani, edhe po më përshëndesin-, e ai qeshte me zë, duke mos më besuar.

– S’është e vërtet, ata e përshëndesin çdo kënd, jo vetëm ty, të lutem mos fol dokrra-. Pasi u mundonte të më bindte, pasonte një pauzë e gjatë, unë heshtsha si e shushatur, duke menduar e besuar se ai, ndoshta kishte të drejt.

Në vitet e para të ardhjes sonë këtu, assesi nuk mundesha të adaptohesha e të pajtohesha se kisha ikur nga vendlindja dhe isha në një vend të huaj. U mërzitja pa masë, dhe fortë më merrte malli për vendin dhe të afërmit e mi. Por, për nënën Nurije nuk guxoja as të mendoja, se çdo mendim për të, më sillte lot e vaj. Atëherë… më kujtohet tani se, më shpesh dilja në qytet. Thjesht, ashtu… sa për tu sorollatur e bredhur rrugëve… Për të hequr mërzinë që më brente si trishtimi. Dhe… vërtet, burri kishte pasur të drejt për përshëndetjet e njerëzve në këtë qytet, se çdo kalimtar i rastit që takoja, më përshëndeste me një “haj”. Dhe, në njëfarë mënyre, me përshëndetjet e tyre, nuk e ndjeja veten të vetmuar, të padukshme dhe thnegël.

Duke e shikuar atë fluturake dhe kokën e mprehtë të tij, e zura veten se si kisha ikur diku larg, shumë larg, në fillimet e dhjet vjetëve të fundit, dhe për një kohë nuk munda të vija në vete. Për një çast mu errësua para syve. Asgjë nuk shihja… Terr e uturimë, lëngatë dhe përsëri lëngat … Por, dal nga dal fillova të qetësohem. Ajo perde vegullie që pak më parë më kishte lëbyrë të parit, filloi të më tërhiqej. Përsëri dëgjova shamatat e pasagjerëve për rreth dhe vëmendja mu përqendrua në drejtim të aeroplanit. Imagjinata dhe realja mbërrin në pikën e vlimit. Një ndjenjë shqetësimi më kaploi të tërën. E dija se sot ishte mu ajo ditë e madhe, që e kisha pritur e kërkuar gjerë në fund të shpirtit dhe gjerë në skaj të botës me vite të tëra.

U drodha e tëra. Kisha marramendje nga pamja që mu shfaqë në shkallët e aeroplanit. Më kapi lemeria. Dy infermieret që shkuan pak më parë me stjuardesën, u dukën në dalje të aeroplanit me një grua-skelet të kapur për krahësh që zbritnin shkallëve me ngadalë. Më ngjau se ato më tepër e qonin pezull se sa ajo çapitej. Mendova se më parafytyrohej… por u gabova… Desha të iki nga ai vend… por burri më ndali. U lebetita…

-Prit -, më tha, a nuk sheh se dikë po e nxjerrin nga aeroplani.

-Po…po por jo nënën time…- i thash

-Ajo… duhet të jetë-, foli bindshëm burri

-Po ti, a ke harruar se si duket nëna e ime-, dhe e shikoja drejt në sy, duke u vërtetuar e bindur se vërtetë e ka me gjithë mend. Vonë, shumë vonë kuptova për fatin e familjes time. Vonë kuptova për kalvarin që kishte përjetua ajo gjatë ditëve të luftës në Kosovë. Për humbjen e nënës pa gjurmë që kishte ndodhur në Bllacë vonë kuptova. Thoshin, se ato ditë, ajo rëndë, shumë rëndë i kishte përjetuar. Merrni me mend, ajo kishte humbur çdo gjurmë, nuk dihej se a ishte e gjallë apo e vdekur, e unë, përveç intuitës ogur zezë nuk dija asgjë. Vëllezërit ishin marrë vesh që mua të më kursenin nga kjo katrahurë… por ardhja e babait… I vetëm. I zbuloi të tëra. Dhe… pas tërë kësaj, nuk lamë vend e kamp pa e kërkuar, nuk lamë organizatë humanitare pa e lajmëruar, nuk lamë gazetë pa e shpallur e televizion pa e informuar… por më kot… Nënën e kishte përpirë toka dhe nuk kishim asnjë shenjë e asnjë gjurmë për të. Bile e kërkuam edhe në spitale, shkuam edhe nëpër morgje, por më kot… E kishte lëshuar toka… dhe asnjë lajm nuk vinte nga ajo…

Dikur, filluam të pajtohemi me fatin se nuk do ta gjejmë më… kurrë…

Dhe tamam u pajtuam me të… një ditë të nxehtë qershori, nëna u duk në ekranin televiziv të BBC-së. Unë isha duke lexuar një gazetë lokale, ku shkruanin për fatin e një familjeje refugjatësh dhe për peripecitë e tyre. Por, pas lajmit për humbjen e nënës bënim njëfarë jete, jetë i thënçin …me veshë në krah. Dhe ashtu, duke lexuar, me veshin e “tretë” dëgjova një zë të përvajshëm që donte të fliste diçka dhe me gjithë mundin që bënte nuk arrinte të zbërthente enigmën… pse ndodhej aty… Reporteri, nga vendi i ngjarjes tha edhe këtë:

Mobi Casa
  • Ka shumë raste të tilla… që nuk dinë ende se ku ndodhen dhe ku i kanë të afërmit e tyre…-, ndërsa gruaja që fliste para kamerave, më tepër bërtiste se sa fliste, shtoi:

-Unë do të shkojë në shtëpi… po…në shtëpi, posa të më vinë fëmijët. Ata…, nesër do të vinë… e di… nuk më lanë ata këtu… -,dhe filloi me dënesë, qante si fëmijë.

  • Nëna-, thirra sa munda,

-Ajo është nëna e ime-, dhe shtanga në vend. Mezi që e njoha. I zgurdullova sytë thua se shihja fantazmën. Nuk mundja të besoja. Mbeta me gojë hapur, derisa spikeri lajmonte të afërmit dhe miqtë duke thënë se “kushdo që dinë diçka për këtë grua, apo e njehë le të lajmohet në këtë numër telefoni…”, e unë, derisa erdha në vete, në televizion u paraqit një emision tjetër, dhe mbeta e shtangur, pa ditur nga duhet me ia nis kërkimit.

I alarmova vëllezërit, burrin dhe të afërmit për emisionin që pashë, por ç’është e vërteta askush nuk më besonte, se vërtet e kisha parë me sytë e mi-nënën. Thirrëm stacionin televiziv që e kishte transmetuar lajmin, dhe erdhëm te të dhënat shumë të çuditshme e shpresëdhënëse. Ajo ndodhej gjallë, në një kamp refugjatësh të një shteti fqinjë, por na tërhoqën vëmendjen se duhet të kemi kujdes se ajo nuk është mirë me shëndet. “Ajo” na thanë, ka pësuar tronditje shpirtërore dhe asgjë, ama bash asgjë nuk i kujtohej. Ata na thanë se nuk e dinte as emrin e vet. Nuk dinte as se nga vinte dhe kush ishte. Por një gjë nuk e kishte harrua kurrë, se ajo kishte pesë fëmijë dhe vazhdimisht e përsëriste:

– Një ditë, ata… do të vinë, dot më marrin me vete, dhe do të shkojmë larg … shumë larg… -, dhe tregonte me dorë nga qielli.

Menjëherë filluam procedurat për bashkim familjar, por ndihmesën më të madhe na e dha IOM-i. Kontaktuam me kampin ku ishte nëna. Ata fillimisht nuk pranuan që ajo të udhëtojë, duke u arsyetuar se nuk mund ti përballojë rrugëtimit e të tjera arsyetime pa kuptim. Pas shumë e shumë peripecive, pas shumë thirrjeve telefonike, pas shumë dërgimeve të dokumenteve u gjet zgjidhja sollomonike… Na premtuan se me aeroplanin e parë që do të fluturojë për këtë qytet, ata do ta përgatisin dhe do ta përcjellin nënën deri në aeroport.

  • Flejë, rehatohu njëherë- më thoshte burri, por më kot. Net të tëra kalova pa futur gjumë në sy. Farkëtoja fatin tim për ditët që do vinin. Tërë makth më ishin netët. Posa i mbyllja sytë, ajo më dilte para. Më kërkonte ndihmë, e unë nuk lëvizja dot nga ishulli. Në të shpeshtën e rasteve doja ta përqafoja, por në kraharor më mbeste vetëm koka e saj herë tullace e herë e drobitur nga rrahja e xhandarëve. Nganjëherë i shihja gojën si shpellë që donte të më përpinte… e unë ikja … ikja derisa u laja në djersë e lot dhe më delte gjumi. Atëherë u shkrehsha në vaj dhe

qaja. Qëndroja e shtrirë gjatë në shtrat e në të gdhirë mbyllja sytë duke i kujtuar ëndrrat e kuqe. Nuk i flisja askujt për ankthet që kisha, se të tjerët kishin përjetuar ndeshtrasha edhe më të zeza.

Pas dy-tri daljeve të kota në aeroport, isha e shqetësuar dhe e mërzitur tej mase. Humba shpresat se do të vijë, do të takohemi përsëri me nënën, bile të ndodhte vetëm edhe njëherë. Në një bisedë telefonike që pata me një mjek të saj, ai më tha:

  • Zonjë, e kuptoj shqetësimin tuaj, por më kuptoni… – heshti një kohë, pastaj pëshpëriti – Më kuptoni, ajo nuk njeh askënd dhe nuk i kujtohet asgjë… është e tmerrshme ta shihje me atë fytyrë prej fëmije se si qeshë e se si qanë në të njëjtën kohë…- dhe heshti.

-Doktor… ç’doni të thoni me këtë…

-Asgjë… ashtu kot… desha vetëm të mos iu befasojë gjendja e saj… kur të takoheni.

  • Po, doktor, iu kuptoj juve ç’doni të thoni… por më kuptoni ju mua , unë jam bija e saj që ka dhjetë vjet e fiu… që nuk e kam parë… mund ta merrni me mend…”, dhe më nuk munda të flisja… filluan të më shkonin lotët-vadë, faqeve të zbehura.

Pas një pauze të gjatë, kur mendova se u ndërpre linja, u dëgjua përsëri zëri i doktorit

  • Ju premtojë zonjë se nesër do të keni fat të takoheni me nënën tuaj- dhe kuptova se në anën tjetër të telit, kufja u mbyll. Dhe kurrë nuk e kuptova, qe shtyri atë njeri të panjohur, në një hap të këtillë. Se ai- mjeku, ndjeu dhembje për mua apo iu isha mërzitur me thirrjet e shpeshta që bëja për ditë, për të pyetur për ardhjen dhe shëndetin e nënës.

Duke bredhur në të kaluarën, isha shndërrua në një qenie amorfe dhe s’orientohesha dot. Në moment, një shqetësim i pa dukshëm më kaploi të tërën… Ndjeja një dridhje dhe një frushkull nxehti më kaploi trupin. Duke qëndruar e mpirë, nga altoparlanti dëgjova duke thirrur emrin tim : “Zonja N.N të paraqitet urgjentisht në ambulancën e aeroportit”.

Tentova të vrapoja, por këmbët më ishin rënduar si tunxhi dhe nuk munda të ecja dot.

Një punëtor i doganës më ndaloi duke kërkuar që të më identifikonte. I dhashë pasaportën, dhe i tregova për çfarë nxitoja…

-Okej… okej…- më tha në gjuhën e vet.

E gjeta ambulancën, e gjeta edhe kthinën ku e kishin futur nënën për ta kontrolluar. Por, o zot… më kapi paniku se si do të takohem me te… Kisha nevojë për burrin të më ishte pran. Të më shtrëngonte dorën dhe të më epte kurajë…

  • Ecë…, hape derën, mos hezito dhe mos u friko se çdo gjë do të jetë në rregull…- dëgjova zërin e tij që më erdhi nga pas.
  • Ti je këtu… me mua…- belbëzoja si fëmija.
  • E çfarë mendoje ti… se do të lija vet në këtë moment të rëndë- Lotët më mbuluan fytyrën, edhe njëherë e shikova Besin… dhe hapa derën…
  • Nëëëënë…- thirra sa munda …dhe iu hodha në përqafim