UBT

Atentatori i Rugovës?

/ 3 minuta lexim

Agim Hoti pretendon se është autor i dy tentim atentateve ndaj ish-Presidentit Ibrahim Rugova. Nga burgu i Dubravës, Hoti thotë se ata që bënë pazar me të për të vrarë janë Xhavit Haliti, Artan Nimani e Agron Haradinaj. Për këto pretendime thotë se ka fakte që do t’ua tregojë edhe hetuesve.

Personat e përmendur, këto deklarime i quajnë shpifje dhe budallallëk.
Agim Hoti ka kryer tentim atentatin ndaj ish Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.Kështu së paku thotë vetë Hoti, shkruan “Express”.

Derisa po vuan dënimin e tij në burgun e Dubravës,për një atentat tjetër, ndaj Anton Berishës,ish-shefit të Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit (ART), Hoti thotë se ka vendosur t’i hedhë në shesh të gjitha ato që ka bërë pas përfundimit të luftës në Kosovë.

Në bisedë telefonike nga burgu për Express, Hoti pretendon se përveç atentatit që ka kryer në vitin 2007 ndaj Anton Berishës, ai vetë ka kryer edhe dy sulme të tjera, njërin në vitin 2004, e tjetrin një vit më pas. Të dy këto tentim atentate ndaj ish-presidentit Rugova.

Hoti pretendon se në këto raste nuk ka qenë i vetëm.

Që të dy sulmet ndaj ish-Presidentit, ai thotë se i ka kryer me urdhër të Xhavit Halitit,aktualisht deputet dhe nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, Artan Nimanit, profesor në UP si dhe Agron Haradinajt i cili punon në PTK.

KKGJILAN

Hoti pretendon se për këto punë, ka marrë 5 mijë euro në janar 2004.

“Unë jam ai i cili e kam gjuajtur bombën më 12 mars të vitit 2004,në oborrin e shtëpisë së Ibrahim Rugovës,me urdhër të Xhavit Halitit, Agron Haradinajt e Artan Nimanit”, thotë Hoti për “Express”.

Por ata të cilët i akuzon ky i burgosur se e kanë paguar për të kryer një veprim të tillë, Hotin e quajnë vetëm një njeri që është i sëmurë mentalisht.

I kontaktuar nga “Express”,Artan Nimani, këto akuza të bëra ndaj tij i quan “budallallëqe të porositura nga persona të caktuar”.

Derisa kontakti me Xhavit Halitin ishte i pamundur, Agron Haradinaj thotë se nuk e ka në plan të merret me deklaratat e këtij njeriu.

Pavarësisht kësaj,Agim Hoti me bindje të plotë pretendon se Xhavit Haliti,Artan Nimani e Agron Haradinaj,janë ata që e kanë paguar atë për të dy tentim atentatet ndaj ish presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova. /Telegrafi/