Ata që e dështuan “Kosovën C” kanë emër

Ministrat që e proceduan termocentralin “Kosova C” pa miratimin e Kuvendit janë fajtorët e dështimit të këtij projekti për një kohë të gjatë.
Sikur Qeveria të respektonte vendimin e Kuvendit që termocentrali të ishte me kapacitet prej 1000 megavatësh e jo 2000 siç proceduan, atëherë ky projekt do të realizohej, shkruan Koha Ditore.
Ky është konstatimi i deputetit të Kuvendit të Kosovës, Muhamet Mustafa, i cili thotë se Kosova po rrezikon të bëhet e varur nga importi i energjisë me çmime super të larta që do të bënte që konsumatorët të paguanin fatura shumë më të larta.
Këtë ai e bazon në vonesat për ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese e në anën tjetër kërkesën e vazhdueshme të Komisionit Evropian për mbylljen e termocentralit “Kosova A” para fundit të vitit 2017.
Mustafa ka folur edhe për mungesën e një vizioni të qartë të Qeverisë për energjetikën, për realizim të projekteve pa një studim paraprak të fizibilitetit, por edhe për domosdoshmërinë e përshpejtimit të investimeve të KEDS-it për t’i ulur humbjet teknike e ato komerciale.