Asllani në formë, e gatshme për Evropian

Kosovare Asllani ndien se e ka arritur formën jetësore. Futbollistja kosovare thotë se nuk ka pasur asnjëherë vetëbesim më të madh dhe se është e gatshme ta ndihmojë Suedinë, në Kampionatin Evropian që do të mbahet gjatë kësaj vere pikërisht në Suedi.
Selektorja Pia Sundhage e ka thënë qartë se Asllani është njëra prej lojtareve më të rëndësishme të ekipit, duke treguar se futbollistes së Paris Saint Germaini do t’i jepet rasti për të luajtur rregullisht në këtë eveniment prestigjioz.
“Synim imi është që t’i përmirësoj statistikat e së kaluarës dhe të jap gjithçka nga vetja në kohën e cila më ofrohet për të luajtur. Fizikisht, nuk kam qenë kurrë më mirë dhe jam e gatshme të luaj në gjashtë ndeshje të Evropianit, nëse është nevoja”, deklaroi 23 vjeçarja për uebfaqen suedeze expressen.se.
“Është e rëndësishme ta kujtojmë se kampionatet janë kampionate dhe ka shumë ndeshje në një kohë të shkurtër. Ndonjëherë, është e nevojshme ta ruash energjinë, sepse intensiteti është i lartë. Pasi e kam besimin e trajneres, kjo do të thotë se kam luajtur mirë në përgatitje. Dua te vazhdoj të përmirësohem ende dhe të jap edhe më shumë për këtë ekip”, vazhdoi ajo.