Asllan Bajrami, gazetari që dokumentoi historinë e Kosovës për më shumë se katër dekada
Prishtinë – Emri i gazetarit Asllan Bajrami mbetet i lidhur ngushtë me disa nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë moderne të Kosovës. Me një karrierë që shtrihet në më shumë se 40 vjet, ai ka qenë dëshmitar, kronist dhe raportues i zhvillimeve politike, shoqërore dhe ushtarake që kanë shënuar fatin e vendit, duke lënë gjurmë të rëndësishme në gazetarinë shqiptare.
Zëri i Asllan Bajramit jehoi në ditët më të errëta të Kosovës, kur plumbat kërkonin të heshtnin të vërtetën dhe flaka e luftës përpinte qytete e fshatra. Me mikrofonin në dorë, kamerën në krah dhe lapsin si armë të fjalës së lirë, ai depërtoi në çdo cep të Kosovës së përgjakur, duke dëshmuar guxim, sakrificë dhe atdhedashuri.
Ai nuk ishte thjesht një gazetar që raportonte ngjarjet, por një kronikan i kohës, që e shndërroi profesionin në mision për të dokumentuar dhimbjen, rezistencën dhe shpresën e një populli që luftonte për liri. Përmes zërit të tij, bota dëgjoi Kosovën, ndërsa përmes pamjeve dhe rrëfimeve të tij, historia u shkrua në kohë reale.
I lindur më 2 qershor 1955 në Prapashticë, Asllan Bajrami nisi rrugëtimin e tij profesional në vitin 1976 në Televizionin e Prishtinës dhe Radiotelevizionin Shqiptar (RTSH), ku punoi deri në vitin 1990. Pas luftës në Kosovë, nga viti 2000 deri në vitin 2020, ai shërbeu si korrespondent nga Prishtina për Radio Televizionin Shqiptar, duke sjellë për publikun shqiptar zhvillimet më të rëndësishme politike, institucionale dhe shoqërore në Kosovë.
Përveç angazhimit në RTSH, Bajrami ka bashkëpunuar me media shqiptare në Gjermani, Danimarkë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Australi, si dhe me gazeta e botime të ndryshme të diasporës shqiptare, duke kontribuar në informimin e komuniteteve shqiptare jashtë vendit.
Raportues i momenteve vendimtare të historisë
Karriera e Asllan Bajramit është e lidhur me raportimin e ngjarjeve që kanë përcaktuar rrjedhën e historisë së Kosovës. Ai pasqyroi demonstratat studentore dhe popullore të viteve ’80, grevën historike të minatorëve të Trepçës në vitin 1989, si dhe zhvillimet politike të viteve ’90, në periudhën e represionit serb ndaj shqiptarëve të Kosovës.
Një rol të veçantë ai pati gjatë viteve 1991–1999, kur drejtoi Redaksinë e Kosovës pranë Radiotelevizionit Shqiptar. Në atë periudhë, RTSH u shndërrua në një nga burimet kryesore të informimit për zhvillimet në Kosovë, ndërsa Bajrami ishte një nga gazetarët që koordinonte raportimet nga terreni dhe transmetimet satelitore për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Si reporter special, ai raportoi nga Konferenca Ndërkombëtare e Rambujesë në Francë, gjatë negociatave vendimtare për Kosovën në muajt shkurt dhe mars të vitit 1999. Më pas, gjatë luftës, ai koordinoi punën e gazetarëve që raportonin nga zonat e konfliktit, ndërsa më 12 qershor 1999 ishte ndër gazetarët e parë që raportoi drejtpërdrejt hyrjen e trupave tokësore të NATO-s në Kosovë, një moment historik që shënoi fundin e luftës.
Autor dokumentarësh dhe kronikash televizive
Gjatë karrierës së tij, Asllan Bajrami ka realizuar qindra transmetime të drejtpërdrejta televizive, intervista dhe debate, duke qenë autor i një numri të madh reportazhesh dhe dokumentarësh që trajtojnë historinë, kulturën dhe luftën për liri të Kosovës.
Ndër veprat më të njohura të tij janë dokumentarët “Themelet e Pavarësisë”, “Kosova – një histori e shkurtër”, “Nuk burgoset Kosova”, “Kreshnikët e UÇK-së”, “Rruga e Kombit”, “Rapsodi dhe atdhetari Dervish Shaqa”, “Kënga dhe jeta – Hashim Shala”, “Jetoi me ëndrrën e tij – Ahmet Mujota, Plaku”, si dhe “Kujtojmë mos me harrue”, të cilët kanë dokumentuar ngjarje dhe figura të rëndësishme të historisë shqiptare.
Vlerësime për kontributin në gazetari dhe çështjen kombëtare
Kontributi i Asllan Bajramit është vlerësuar me një sërë mirënjohjesh dhe dekoratash.
Në vitin 2007, Unioni i Studentëve Shqiptarë e nderoi me mirënjohje për kontributin në themelimin e Universitetit të Tetovës.
Në janar të vitit 2022, ai u shpall “Ambasador i Paqes” nga organizata ndërkombëtare Global Socio-Economic and Financial Evolution Network, ndërsa në qershor të po atij viti u dekorua nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, me titullin “Naim Frashëri”, me motivacionin për kontributin e tij si gazetar gjatë luftës së Kosovës dhe për angazhimin në bashkëpunimin ndërmjet mediave shqiptare kudo në botë.
Në fund të vitit 2023, Lidhja Shqiptare në Botë e shpalli anëtar nderi dhe e nderoi me mirënjohje për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në çështjen kombëtare shqiptare.
Një emër i rëndësishëm i gazetarisë shqiptare
Për më shumë se katër dekada, Asllan Bajrami ka qenë jo vetëm raportues i zhvillimeve historike, por edhe një kronikan i kujtesës kolektive të shqiptarëve. Përmes raportimeve nga terreni, dokumentarëve dhe emisioneve televizive, ai ka sjellë para publikut ngjarjet që kanë formësuar historinë e Kosovës, duke u renditur ndër gazetarët më të spikatur shqiptarë të brezit të tij.
Vlerat e luftës çlirimtare përballë narrativave përçarëse
Në këto 5-vite të fundit e në vijimësi, një numër personash publik në mjedisin tonë politik, kulturor e mediatik, në kundërshtim me interesat e larta shtetërore dhe vlerat që mbartë Lufta Çlirimtare e Kosovës, kanë promovuar dhe vazhdojnë të artikulojnë qëndrime të papajtueshme me objektivat dhe synimet kombëtare që ka Kosova.
Nënvlerësimi i luftës së UÇK-së, duke kontestuar ekzistencën e saj, përdhosja e figurave me kontribute të larta në shërbim të çështjës së Kosovës, shtrëmbërimi i fakteve mbi masakrat, krimet dhe veprimet gjenocidale të forcave pushtuese serbe në Kosovë, mohimi i çdo gjëje që është arritur në periudhën e pasluftës dhe nënvlerësimi i aleatëve strategjik, ky është misioni që iu është ngarkuar detyrimisht këtyre personave. Aq më tepër, këta misionarë të së keqës, janë shndërruar në nxitës të një gjuhe përçarse të pashëmbullt dhe përjashtuese.
Ata nuk janë dhe nuk mund të jenë fytyra e Kosovës./rajonipress/


