Fundamenti

Ashtu siç do të jetë edukimi juaj, ashtu do të jetë edhe e ardhmja e Kosovës!

/ 5 minuta lexim
Fundamenti

Tony Blair, ish kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar dhe njëherësh themelues i Fondacionit “Tony Blair Faith Foundation” dhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë i Republikës së Kosovës, Ramë Buja, kanë nënshkruar Memorandumin e Mirëkuptimit në mes të Fondacionit dhe Qeverisë së Kosovës, për hapjen e programit të Fondacionit të shkollave globale “Face to Faith” (Përballë Besimit) në shkollat e Kosovës.

Nënshkrimi i kësaj marrëveshje u bë në shkollën “Elena Gjika” në Prishtinë, ku nxënësit e kësaj shkolle, e pritën në mënyrë të veçantë, me një program artistik, mikun e madh të tyre dhe të Kosovës, Tony Blair, i cili është një nga personalitetet botërore që ka bërë më së shumti për çlirimin e Kosovës.

Blair me këtë rast foli edhe për zhvillimet në Kosovë, në veçanti për procesi i iberalizimit të vizave për Kosovën do të shkojë hap pas hapi. “Me të vërtetë dua ta shoh se si do të ndodhë kjo, por e dimë se duhet të shkojmë hap pas hapi dhe se kjo merr kohë. Nëse e krahasojmë gjendjen që jemi tani me atë para 10 viteve, mund të shohim se kemi bërë shumë rrugë. E di se sa më shumë që udhëtojnë njerëzit dhe i shohin pjesët tjera të botës është aq më mirë. Pra, të shpresojmë që të ndodhë kjo sa më shpejt. Po punojmë në këtë drejtim së bashku”, tha ai.

Blair theksoi se do të ndihmojë në këtë proces përmes fondacionit të tij. “Do të fillojmë me tri shkollat në Kosovë dhe te Universiteti që është pjesë e këtij programi, dhe do të krijojmë lidhjet prej Kosovës me jashtë. Fondacioni ndihmon në këtë drejtim jo vetëm në Britani. Ka shkolla në SHBA, Kanada dhe në pjesë të ndryshme të lindjes së largët. Ajo që unë bëj sa herë takohem me liderë botërorë, është të mbështesim Kosovën. Prej vizitës së parë që kam bërë para 10 viteve, tani po shoh shumë ndryshime këtu dhe duhet që këto ndryshime t’i vazhdojmë edhe me tutje“, theksoi ish kryeministri Blair.

Ish kryeministri britanik, me shumë dashamirësi, iu përgjigj edhe shumë pyetjeve të nxënësve të kësaj shkolle. Blair u shpreh i kënaqur me anglishten e nxënësve, të cilëve iu tha: “Ashtu siç do të jetë edukimi juaj, ashtu do të jetë edhe e ardhmja e Kosovës”.

Foundacioni “Tony Blair Faith Foundation” është duke punuar me Qeverinë e Kosovës për t’iu ofruar nxënësve kosovarë një mundësi të veçantë përmes teknologjisë, për të mësuar më shumë rreth kulturave të tjera dhe të pranojnë dhe të respektojnë tjetrin.

Programi promovon ndërtimin e paqes, duke krijuar mundësi për studentët e feve, kulturave dhe besimeve të ndryshme duke mësuar drejtpërdrejt nga njëri tjetri dhe për njëri-tjetrin. /Telegrafi/

Blair promovon në Kosovë “Globalizimin dhe besimet”

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, së bashku me ministren e Integrimit Evropian, Vlora Çitaku, kanë pritur në takim ish-kryeministrin e Britanisë së Madhe, Tony Blair, i cili po qëndron në një vizitë në Prishtinë.

UBT

Gjatë takimit, Hoxhaj e vlerësoi lartë figurën dhe lidershipin e ish-kryeministrit britanik Tony Blair për Kosovën, rajonin dhe më gjerë. Ai tha se Blair është simbol i besimit, optimizmit dhe shpresës për qytetarët e Kosovës.

Ministri Hoxhaj falënderoi ish-kryeministrin britanik për kontributin e jashtëzakonshëm që ai dhe Britania e Madhe kanë dhënë dhe po vazhdojnë të japin për konsolidimin e shtetit të Kosovës në të gjitha aspektet.

Hoxhaj e njoftoi ish-kryeministrin Blair për zhvillimet në Kosovë, progresin e brendshëm dhe për forcimin e vazhdueshëm të subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.

“Ne përulemi me një mirënjohje të thellë para jush për lirinë e Kosovës. Shprehim mirënjohje të madhe për qindra dhe mijëra qytetarë britanik, para shumë ushtarëve, të cilët parandaluan asgjësimin tonë fizik dhe kontribuuan aq shumë për Kosovën. Para shumë diplomatëve të cilët ishin zëri më racional në prezantimin e çështjes sonë, para shumë gazetarëve apo akademikëve që nuk heqin dorë nga kërkimi i drejtësisë”, tha Hoxhaj.

Në anën tjetër, ish-kryeministri britanik Tony Blair, duke shprehur gëzimin për vizitën në Kosovën, ka vlerësuar progresin që po arrin Republika e Kosovës në të gjitha fushat, duke shprehur përkrahjen e tij të mëtutjeshme.

Blair u shpreh i lumtur për mundësinë që t’i involvojë universitetet kosovare në rrjetin global në universiteteve më të mira, ku ligjërohet programi i tij “Globalizimi dhe besimet”.

Në këtë aspekt, ministri Hoxhaj shprehu përkrahjen e fuqishme të Ministrisë së Punëve të Jashtme për këtë iniciativë të çmuar të ish-kryeministrit Blair, duke theksuar rëndësinë dhe impaktin që do të ketë ajo në fuqizimin e sistemit akademik universitar të Kosovës.

Ndërkaq, Blair falënderoi ministrin Hoxhaj për përkrahjen e ofruar si dhe për mbështetjen që MPJ e Kosovës ka dhënë në çështjen e dialogut ndërfetar. /Telegrafi/