Ashpërsohet lufta për pushtet

Takimi i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, të mërkurën, i pasuar me një takim tjetër të koalicionit paszgjedhor, LDK-AAK-Nisma, vetëm sa ka thelluar çarjet mes dy taborëve, në pretendimet e tyre për krijimin e institucioneve të reja.
Ndërkaq, lëvizja “Vetëvendosje” po pret sinjalin e subjekteve të tjera opozitare për të ndërmarrë veprime të tjera qytetare, duke mos i përjashtuar as protestat.
“Kemi propozuar edhe veprime institucionale dhe veprime qytetare për ta vënë në pah se Gjykata Kushtetuese ka nxjerrë një vendim të pazbatueshëm dhe të padrejtë, ku i pamundësohet shumicës parlamentare t’i krijojë institucionet”, ka thënë të mërkurën Dardan Molliqaj, sekretari organizativ i “Vetëvendosjes” , shkruan sot Koha Ditore.
Por koalicioni paszgjedhor LDK-AAK-Nisma ende nuk e ka dhënë përkrahjen për këtë ide të “Vetëvendosjes”.