Asgjë speciale

/ 5 minuta lexim
Eco Higjiena

Asociacioni i Komunave Serbe do t’i ketë të njëjtat organe sikurse Asociacioni aktual i Komunave të Kosovës. Pra, do ta ketë Kryetarin, Kuvendin, Këshillin dhe Bordin. Burime të Express thonë se kjo është zgjidhja që e ka ofruar Baronesha Catherine Ashton. Pala kosovare i ka thënë “po” këtij propozimi, por Serbia ende insiston që zgjidhja të gjendet jashtë ligjeve të Kosovës.

Asociacioni i Komunave Serbe, që mund të themelohet nëse arrihet marrëveshja Kosovë Serbi, do të ketë Kryetarin, Kuvendin, Këshillin dhe Bordin.

Ky mekanizëm parashihet të themelohet sipas ligjit për vetëqeverisje lokale, i cili është miratuar në Kuvendin e Kosovës tri ditë pas shpalljes së pavarësisë, më 20 shkurt të vitit 2008.

Aktualisht, në Kosovë funksionon Asociacioni i Komunave, ku janë të përfshirë shumica e udhëheqësve të zgjedhur në nivel lokal.

Asociacioni i Komunave të Kosovës e ka statutin, ndërsa Kuvendi i Asociacionit ka rregulloren e punës, në të cilën paraqiten kompetencat e udhëheqësve komunalë.

Me idenë për themelimin e Asociacionit të Komunave serbe është pajtuar Qeveria e Kosovës, por jo edhe Beogradi.

Zyrtarët serbë kanë kërkuar edhe kompetenca ekzekutive për mekanizmin e ri si dhe i njëjti institucion të mos funksionojë sipas ligjeve të Kosovës.

Kushtetuta e Kosovës, Pakoja e Ahtisaarit dhe ligjet për vetëqeverisjen lokale nuk u japin kompetenca ekzekutive asociacioneve – pra ato nuk mund të marrin vendime që bien ndesh me kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e Kosovës.

Pikërisht kjo është edhe tema që është diskutuar në takimin e së hënës ndërmjet Baroneshës Catherine Ashton dhe përfaqësuesve të Serbisë.

Burime të Express kanë treguar se Lehtësuesja e dialogut në takimin e fundit ua kishte prezantuar palëve dokumentin për zgjidhjen e kësaj çështjeje, por dokumenti u ishte dhënë atyre vetëm për lexim.

Pala serbe insiston në kompetenca shtesë për asociacionin, derisa zgjidhja e ofruar nga Baronesha është plotësisht e pranueshme për palën kosovare.

“Pala kosovare nuk pret të gjendet ndonjë zgjidhje në takimin e radhës më 20 mars”, kanë thënë burime të Express.

“Arritja e marrëveshjes për Asociacionin e Komunave serbe zgjidh problemin politik të Veriut. Ky është mekanizimi që qetëson serbët e Kosovës dhe njëkohësisht detyron Serbinë që ta sheh si zgjidhje që “kënaq interesat serbe””, ka shtuar ai.

Sipas këtij zyrtari, Kushtetuta e Kosovës nuk parashihet të ndryshohet, ndryshe nga Kushtetua e Serbisë.

“Europianët insistojnë që Serbia ta ndryshojë preambulën e Kushtetutës së saj, pjesën ku thuhet se Kosova është pjesë e Serbisë”.

Ndërkohë, Baronesha Ashton ka kërkuar nga Prishtina dhe Beogradi që të merren vesh për çështje të hapura, përfshirë edhe Veriun.

Uji Dea

Të enjten Ashton do të vizitojë Prishtinën.

Zyrtarët e Brukselit vazhdojnë të mos japin informacione konkrete se çfarë marrëveshjeje pritet të arrihet mes Kosovës e Serbisë.

Ndërkohë, palët e përfshira në dialog kanë dhënë versionet e tyre.

Shefi i Qeverisë serbe ka treguar se në dialog gjithçka janë duke vendosur amerikanët.

“Unë jam i gatshëm për takim, por Prishtina nuk është e gatshme të lëshojë pe sepse e kanë përkrahjen e Amerikës. Marrëveshja nuk varet nga ne. Serbia i ka bërë të gjitha, nuk ka ku të shkojë më tej, kështu që nuk duhet bërë presion ndaj Serbisë. Ne nuk mundemi të shkojmë më poshtë”, ka shtuar ai.

Ai ka rikujtuar se diplomati amerikan Philip Reeker ka qenë i pranishëm në të gjitha fazat e dialogut.

Dacic ka përmendur se Beogradi kërkon më shumë kompetenca për asociacionin sesa parashohin ligjet e Kosovës.

“Bashkësia duhet të ketë Kuvendin e saj, Kryetarin, Nënkryetarin dhe Këshillin.

Këto organe mund të zgjidhen në mënyrë direkte ose indirekte, por për Serbinë më shumë kanë rëndësi kompetencat”, ka thënë Dacic në një konferencë për media në Beograd.

Kryeministri serb ka thënë se Serbia është e gatshme për marrëveshje, por, sipas tij, zgjidhja nuk duhet të jetë në kuadër të Kushtetutës së Kosovës, por duhet të ketë marrëveshje politike me pjesëmarrjen e bashkësisë ndërkombëtare pasi kjo e eliminon mundësinë e konfliktit.

Dacic ka sqaruar edhe më tej duke thënë se nëse pranohet koncepti në lidhje me kompetencat e asociacionit, atëherë Serbia do të duhet të miratojë një ligj të ri.

“Na jepni bashkësinë e komunave serbe e cila do të ketë çfarë të punojë edhe mos të humbim më kohë”, ka thënë Dacic.

Ai ka specifikuar se çka konkretisht po kërkon pala serbe në dialog.

“Në platformë shkruhet qartë se kompetencat do tu transferohen organeve të Kosovës dhe me këtë ata do të bëhen pjesë e sistemit tonë juridik e me këtë asociacioni do të bëhej pjesë e atij sistemi. Për këtë janë të nevojshme garancitë ndërkombëtare dhe nëse Prishtina pranon ne do të miratojmë ligjin dhe kjo nuk është e lehtë”, ka thënë Dacic.

Në konferencën për gazetarë Dacic ka thënë se nuk ka përparim rreth shkallës së kompetencave dhe se problemi qëndron në faktin se Prishtina nuk pranon që të ndryshojë ligjet e saj.

“Nëse nuk ka marrëveshje për kompetencat e Asociacionit të komunave nuk do të ketë nevojë që të nënshkruhet ndonjë dokument por do të pasojë puna e ekspertëve rreth implementimit në praktikë”, ka shtuar ai.(express)