Hidromorava

Asgjë e re në tri frontet shqiptare!

/ 8 minuta lexim
Uji Dea

Nga Daut Dauti – Derisa zgjedhjet do të sillnin ndryshim në Maqedoninë e Veriut, kjo gjë nuk besohet se do të ndodhë në Shqipëri, në frontin e dytë, ku votuesit do të dalin ta ushtrojnë të drejtën dhe obligimin e tyre me 14 maj.

Ndërkohë në Kosovë tani është aktual procesi i fillimit të gjykimit të ish udhëheqësve të UÇK-së në Hagë.

Nevoja për ndryshime në kushtetutën e Maqedonisë së Veriut, zgjedhjet e përgjithshme në Shqipëri dhe procesi gjyqësor në Hagë janë tema që nxisin debat gjatë muajit maj të këtij viti, por që do të prodhojnë pasoja me efekte të gjata kohore. Në shumë mënyra këto tri ngjarje janë të lidhura mes vete, edhe pse ndodhin në tri vende të ndryshme.

Janë tri fronte ku përballen tre faktorët politikë shqiptarë të tri shteteve – Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Kosovës. Natyrisht që janë ngjarje të rëndësishme, pasi që janë të lidhura me gjendjen e shqiptarëve, gjë që reflektohet në stabilitetin politik të këtyre vendeve dhe në tërë rajonin.

Nëse në preambulën e kushtetutës së Maqedonisë së Veriut parashihet përfshirja e bullgarëve me arsyetim të përparimit të procesit eurointegrues, kjo gjë duhet të ndodhë edhe me shqiptarët.

Këtë gjë nuk e kanë kërkuar përfaqësuesit ndërkombëtarë si thirrje të intensifikuar ndaj të gjitha partive politike në Maqedoninë e Veriut sikur në rastin e bullgarëve. Por, duhet të nënkuptohet se edhe përdorimi i gjuhës shqipe duhet garantuar edhe më tej dhe se kjo gjë është lënë anash edhe pas amendamentimit të kësaj kushtetute.

Neni 7, që u zëvendësua me Amendamentin V të kushtetutës së Republikës të Maqedonisë thotë: “Në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë dhe në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare, gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik. Gjuhë tjetër që e flasin së paku 20 për qind e qytetarëve, gjithashtu, është gjuhë zyrtare dhe alfabeti i saj, siç është përcaktuar me këtë nen”.

Gjuha e 20-përqindëshit është shqipja, por ajo nuk përmendet në mënyrë shprehimore si gjuha zyrtare maqedonase. Pastaj, Amendamenti V vazhdon të përcaktojë detajet e përdorimit të kësaj gjuhe në nivelin lokal të administrimit dhe përdorimit të dokumenteve, përfshirë rregullimin e komunikimit zyrtar, por askund nuk theksohet termi “gjuha shqipe”.

Tashti, nëse termi “gjuha bullgare” hyn në preambulë, kurse “gjuha shqipe” mbetet e papërmendur, atëherë automatikisht kemi të bëjmë me një pabarazi të cilën e mbron kushtetuta.

Është i pakuptimtë fakti që partia në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), nuk është deklaruar në favor të këtij ndryshimi si partitë e tjera shqiptare. Heshtja ose ruajtja e këtij amendamenti edhe pas ndryshimeve të propozuara për akomodimin e bullgarëve, është vetëm tentim i BDI-së për ta ruajtur pushtetin e saj, duke treguar se nuk është e interesuar për rregullimin e gjendjes së popullit të cilin e përfaqëson në qeveri. Arsyetimi se kjo çështje do të rregullohet njëherë tjetër, pas përfundimit të kërkesës ndërkombëtare për përfshirjen e pakicës bullgare si shtetformuese, nuk është arsyetim aspak.

Sidoqoftë, kërkesa bullgare, edhe pa këtë shqiptare, duket se do ta rëndojë gjendjen politike në Maqedoninë e Veriut. Vështirësimin e situatës e ka bërë me dije edhe udhëheqësia e VMRO DPMNE-së opozitare, duke bërë me dije se askush nuk ka mandat për ndryshimin e Kushtetutës.

Prandaj, opozita ka sugjeruar se zgjedhjet e parakohshme janë domosdoshmëri, ku do të shihet se në cilën anë duhet të shkojë Maqedonia e Veriut gjatë viteve të ardhshme.

Derisa zgjedhjet do të sillnin ndryshim në Maqedoninë e Veriut, kjo gjë nuk besohet se do të ndodhë në Shqipëri, në frontin e dytë, ku votuesit do të dalin ta ushtrojnë të drejtën dhe obligimin e tyre me 14 maj. Me një opozitë të pafuqishme dhe të paorganizuar siç është kjo, është vështirë të besohet se do të ndodhë befasia e ndërrimit të pushtetit në Tiranë.

Uji Dea

Sipas shumë parashikimeve mediale, Edi Ramës nuk është duke iu rrezikuar pushteti seriozisht. Pra, nuk ka ndryshime as në marrëdhëniet e Shqipërisë me Maqedoninë e Veriut. Shqipëria edhe më tutje nuk ka ndonjë kërkesë ndaj këtij vendi fqinj për përmirësimin e gjendjes së shqiptarëve sikur që ka Bullgaria ose më herët që kishte Greqia.

Me fjalë tjera, këto dy shtete, edhe pse kanë esencialisht numër më të vogël të minoriteteve sesa shqiptarët në këtë vend, kanë dëshmuar se kanë interesa më të mëdha se Shqipëria, e cila vazhdon të qëndrojë e heshtur jo vetëm ndaj çështjes shqiptare në Maqedoninë e Veriut, por edhe karshi problemit të Kosovës me Serbinë. Për shqiptarët e Kosovës dhe të Maqedonisë së Veriut, Shqipëria nuk është duke shërbyer si bazë nga ku do të vinin furnizimet dhe frymëzimet.

Fronti i tretë ka të bëjë me Kosovën dhe është paraqitur me fillimin e gjykimit të ish udhëheqësve të UÇK-së në Hagë. Ky gjykim e ka lënë nën hije, por vetëm përkohësisht, Asociacionin e Komunave Serbe – problemin kohëgjatë mes Kosovës dhe Serbisë.

Gjykimi ka nisur me shpalosje të momenteve nga e kaluara, që tashti vijnë me elementin e befasisë për vrojtuesin e zakonshëm. Gjykimi është i gjatë dhe befasitë do të shtohen me siguri. Është vështirë të jepet ndonjë prognozë e saktë në këtë fazë.

Por, ky proces gjyqësor është duke e nxjerr në shesh pozitën e Perëndimit ndaj Kosovës, për të cilën shumë shqiptarë mendojnë se është kthyer në hipokrizi diplomatike. Këtyre tashti u duket se Perëndimi i ka braktisur shqiptarët që janë viktima, duke e marrë anën e Serbisë që e ka ekzekutuar detyrën e xhelatit.

Ndërrimi i pozitës së Perëndimit është pjesërisht i vërtetë. Perëndimi, sidomos SHBA-të, e ndjekin vijën e interesit, e cila tashti ka bërë një kthesë në drejtim të Serbisë. Gjykimi ndaj të akuzuarve në Kosovë ka qenë i paevitueshëm.

Problemi qëndron në faktin se Kosova nuk qe në gjendje ta bindë Perëndimin se ishte e zonja ta organizonte vetë gjykimin e të akuzuarve të supozuar. Prandaj, me naivitet të skajshëm e pranoi që gjykata të vendosej në Hagë. Përkundër anomalive të shumta që e cilësojnë këtë gjykatë, tanimë kjo është punë e kryer dhe nuk ka kthim prapa.

Por, tërë kjo gjë rreth gjykatës dhe procesit të bisedimeve Kosovë-Serbi ka ndikuar në edukimin e klasës politike shqiptare dhe opinionit të Kosovës, të cilët kanë filluar ta shohin që në botë nuk ka miqësi të përhershme, siç kanë besuar, por vlen ajo maksima e vjetër se shtetet kanë vetëm interesa mbi të cilat ndërtohen miqësitë dhe zgjasin sa ka interes. Kjo është e vetmja e re që ka ndodhur në Kosovë dhe e cila nuk hetohet momentalisht.

Një relacion tjetër i ri ka ndodhur mes opinionit dhe politikës amerikane në Shqipëri. Në Tiranë duket se është duke u ushqyer një sentiment antiamerikan e që ka të bëjë me prijësin e Partisë Demokratike, Sali Berishën. Befasia ka ndodhur pasi që Sali Berishës iu shtua popullariteti pas vënies së tij në Listën e zezë të SHBA-së.

Zakonisht këtyre njerëzve iu bie popullariteti, por kjo nuk ndodhi me Berishën. Në shikim të parë kjo dukuri duhet të cilësohet si vetëdije e lartë politike e qytetare e një populli, i cili në këtë rast ka bërë me dije: udhëheqësin tonë ne e cilësojmë vet dhe nuk çajmë kokën për listat tuaja të zeza. Ky është qëndrim i një populli sovran.

Në realitet gjërat qëndrojnë ndryshe dhe ky qëndrim i përkrahësve të Sali Berishës nuk ofron ndonjë zgjidhje fatlume. Kjo është për shkak të moshës së shtyrë të Berishës, por më shumë për arsye të pozicionit të rëndësishëm që ka SHBA-ja ndaj Shqipërisë. Nuk ka mundësi që një vend ta ketë në krye udhëheqësin, i cili e ka të ndaluar vajtjen në Amerikë dhe kontaktin me zyrtarët amerikanë.

Tashti, hyrja e tij në listë ka ndodhur dhe më nuk ka mundësi që kjo punë të zhbëhet. Këtë gjë do ta shfrytëzojë Edi Rama me përkrahësit e tij, në mënyrë që ta forcojë veten, duke e rritur mundësinë e fitores edhe të një mandati në pushtet. Asgjë e re as në këtë front.