As Prekazi nuk i bashkon

Prekazi, i cili cilësohet vend i bashkimit dhe i unitetit, nuk ka mundur t’i “pajtojë” as edhe për një çast presidentin në ardhje, Hashim Thaçi, dhe liderin e AAK-së, Ramush Haradinaj, në ditën e parë të Epopesë së UÇK-së.
Presidenti në ardhje, Hashim Thaçi, i cili ka arritur në Prekaz për të bërë homazhe në kompleksin e varrezave të Jasharëve, pothuajse në të njëjtën kohë me liderin e AAK-së, Ramush Haradinaj, ia ka zgjatur dorën për ta përshëndetur liderin e AAK-së, por Haradinaj nuk ia ka kthyer.
“Hashimit i mbeti dora ngrehtë”, thoshte një vizitor, i cili kishte rastisur të jetë pranë tyre, nuk momentin e përballjes.
Kjo ngjarje, e cila nuk i shkon fare përvjetorit të lavdishëm të luftës së Jasharëve në Prekaz, tregon për hendekun e madh që është krijuar në mes të presidentit të ri të vendit dhe partive opozitare, më saktësisht në mes Thaçit dhe Haradinajt.
Pas homazheve, as Thaçi e as Haradinaj nuk kanë shkuar në kullë, i pari pa dhënë asnjë sqarim, ndonëse është pyetur, ndërsa Haradinaj me arsyetimin se “tani ka shumë vizitorë dhe se nuk dëshiron t’i bezdisë burrat e familjes Jashari në kullë”.
Ndonëse Thaçi ka thënë se do të jetë faktor unifikues dhe se që në ditët e para kur ta marrë Presidencën do t’i thërrasë liderët e partive opozitare, nga ajo që është parë në përballjen e Thaçit e Haradinajt në Prekaz, të shtunën, zor që lideri i AAK-së e as liderët e dy subjekteve të tjera opozitare, “Vetëvendosje” e “Nisma për Kosovën” do të ulen ndonjëherë në tryezë me të parin e vendit.
Si zakonisht në rastet kur gjendet në Prekaz, presidenti i ri i Kosovës, Hashim Thaçi ripërsëriti se në Prekaz vjen për të marrë energji të reja për ndërtimin dhe forcimin e shtetit./zeri/