ARKATANA

As LDK e AAK s’i bashkohen “valles” për veriun

/ 3 minuta lexim
Fundamenti

Prishtinë – Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e kanë garantuar lëvizjen “Vetëvendosje” që nuk do të dorëzohen kundrejt asnjë presioni ndërkombëtar për t’u bërë pjesë e bisedimeve të mundshme politike Kosovë-Serbi për t’i dhënë zgjidhje veriut të Kosovës.

Një ditë më parë nënkryetari i lëvizjes “Vetëvendosje”, Shpend Ahmeti, u ka bërë thirrje këtyre dy subjekteve që të mos bëhen pjesë e, siç e ka quajtur ai, valles për veriun.

Anëtarja e Kryesisë së LDK-së, Vjosa Osmani, ka thënë të dielën se subjekti që drejtohet nga Albin Kurti nuk ka nevojë që t’i dërgojë thirrje LDK-së për punën e bisedimeve eventuale me Serbinë dhe se asnjë presion nga askush nuk mund të bëjë që kjo parti të bëhet pjesë e ndonjë trupi që do ta negocionte temën e veriut. “LDK-ja tashmë e ka marrë vendimin e vet, i cili është diskutuar në të gjitha organet drejtuese të partisë dhe kush kërkon nga ne që të veprojmë ndryshe ne nuk do ta ndryshojmë mendimin: nuk do të jemi assesi pjesë e koalicioneve apo grupimeve politike që do të bëjnë dialog për veriun”, është shprehur ajo.

Sipas saj Qeveria e udhëhequr nga Hashim Thaçi deri më tash ka marrë shumë vendime të dëmshme për vendin dhe se të njëjtën gjë është e mundshme që ta bëjë edhe me veriun.

Anëtari i Kryesisë së AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se kjo parti “veç nëse e merr tupanin për ta rrahur dhe për të treguar që nuk e ka në plan që të hyjë në koalicion me PDK-në e as për të negociuar veriun”. Ai ka thënë se partia ku është anëtar e ka dëshmuar në dekadën e fundit se nuk bie asnjëherë viktimë e presioneve.

Mobi Casa

Ky anëtar i Kryesisë së AAK-së e ka kujtuar qëndrimin e partisë së tij karshi veriut.

“Qëndrimi ynë është se veriu është Kosovë dhe të gjitha koncesionet dhe të gjitha aranzhimet janë bërë me Pakon e Ahtisaarit”, ka thënë ai.

Nënkryetari i lëvizjes “Vetëvendosje”, Shpend Ahmeti, të shtunën në një konferencë për shtyp ka thënë se në rast se subjektet opozitare nuk bëhen pjesë e “valles” për veriun, atëherë një gjë e tillë do t’ia vështirësonte shumë kryeministrit Hashim Thaçi që vetëm me koalicionin e udhëhequr nga Behgjet Pacolli të hyjë në negociata.

Ndërkohë të dielën kundërshtimin e saj kundruall bisedimeve të mundshme politike për veriun e vendit e ka shprehur edhe Partia Nacionale Demokratike Shqiptare (gjerësisht në “Kohën Ditore”).