Eko Higjiena

Arti poetik në gërfyellin jetësor…

/ 4 minuta lexim
RCCOLA

Gjilan – Sabit Rrustemi “N’fytyrën e një gjethi”, boton SH.B. “Beqir Musliu” Gjilan, 2012, faqe, 160).

“N’fytyrën e një gjethi”, titullohet vëllimi më i ri poetik i Sabit Rrustemit, i cili doli në dritë me rastin e 35 vjetorit të krijimtarisë letrare të poetit, e që koincidon edhe me 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, në të cilin poeti ka bërë një ditar poetik në mes dy nëntorësh, me poezi interesante të shkruara gjatë kësaj periudhe kohore e cila ka shprushë artin poetik të autorit i cili në vazhdimësi ka punuar që poezia e tij të del sa më e bukur e sa më artistike dhe këtë ia ka arritur me sukses.

Poetika e Sabit Rrustemit ngjall kureshtje për lexim dhe për rilexim të poezive të tij, sepse të tilla janë vargjet e tij, gjetshmëria, forcimi i vargut, pajisja me figura stilistike dhe individualiteti i tij krijues, mandej fjalëformimet që e pasurojnë edhe letërsinë tonë në përgjithësi.

Krijimi i figurave personale tek poezia e Sabitit është evidente, sepse ai poetizon në poezitë e tij qoftë në motivin patriotik, të dashurisë së segmenteve të ndryshme, përkushtimet dhe ngjarjet e përditshmërive tona të cilat poetin e ngacmojnë t’i qes në pah qoftë mangësitë e shtresës shoqërore dhe të atyre që e drejtojnë popullin.
Ky është një mesazh i qartë në të cilin autori shpreh pakënaqësinë e tij që ende luhet me fatin e popullit dhe se politikanët për fat të keq janë nën ndikimin e të huajve dhe assesi të vendosin vetë për çështje madhore kombëtare.

UBT

E Prekazin legjendar me plot të drejtë e portretizon si “Libër amë të lirisë” dhe se është “Vula” e ndryshimit të kohëve nga robëria në liri.
Gjithashtu në poezinë e tij vend meritor kanë edhe përkushtimet si: / Ka vdekur ajo vdekje/, /Nesër (Doresës)/, /Skaj pyllthit me pisha/, /Në shqetësimin tënd/Ai është liria vetë (Heroit të popullit Sali Çekajt)/, /Vargu i poetit që ngroh (poetit Rexhep Elmazit)/, /E kam Kosovën (Nekibe Kelmendit)/, /Pa teklif (poetit Nexhat Rexha)/, /Homazh për Ali Podrimjen/, /Përmes një pamjeje, (shokut tim Avdi Latifi)/, / Nëpër ato gjurmë (Zahir Pajazitit)/, /I mungon sall liria (kolonel Ahmet Krasniqit/ etj., etj, është kjo një nostalgji për poetët dhe miqtë e poetit të cilët disa nuk janë në mesin tonë e që me një përkushtim të denjë autori u derdhi vargje poetike.
Tjetër që e preokupon autorin është edhe Kosova e degëzuar dhe me vargje shumë objektive paraqet një pasqyrë reale të shtetit më të ri në botë: Thirrje poetike e autorit për bashkim.

Edhe Çepuri është një nga frymëzimet poetike të autorit , ku në shumicën e poezive hasim në dashurinë e tij për këtë vend i cili quhet Çepur. Dhe si i tillë ngelet simbol i frymëzimit poetik të autorit: Poezitë që e kompletojnë këtë vëllim poetik janë të shkruar me një gjuhë të përparuar poetike, gjithnjë me një stil siç e ka poeti, i cili dallon nga poetët e tjerë të poezisë bashkëkohore. Në disa poezi përdorë edhe rimën e të tjerat kanë rimën e brendshme dhe si të tilla poezitë e librit janë gjysëmhermetike e disa sosh edhe të drejtpërdrejta, gjë që tregojnë seriozitetin e shtuar të autorit për ta ruajtur vijën e baraspeshës artistike të poezive të tij.

Ky libër nuk është i ndarë në cikle poetike, por poezitë janë të rrjedhshme dhe zgjojnë kureshtje tek shtresa e lexuesve, sepse autori në shumicën e tyre poetizon problemet dhe dramat e jetës së përditshme shqiptare. Në vargjet poetike të Sabitit hetohen figurat stilistike si:simboli, epifora, krahasimi, simploka, në një masë të vogël edhe shprehje popullore, të cilave u jep elegancë dhe dendësi poetike.

Pra me këtë përmbledhje poetike, poeti i njohur Sabit Rrustemi dëshmoi se është mjaft produktiv dhe se poezitë e tij ecin nëpër “shkallët” e suksesit dhe se ky libër zen vend meritor në poezinë bashkëkohore shqiptare.(Bilall Maliqi)./rajonipress/