Arteta: Nuk doja ta shihja Xhakën të largohej në atë mënyrë, ai tregoi personalitet

/ 2 minuta lexim
Fundamenti

Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta ka lavdëruar mesfushorin shqiptar, Granit Xhaka, për mënyrën se si ka trajtuar situatën e tij me tifozët.

Ish-kapiteni i Topçinjve foli në fillim të kësaj jave për mënyrën se si u godit pasi një karton i kuq kundër Crystal Palace solli marrëdhënien e tij me tifozët në pikën e thyerjes në fund të vitit 2019.

Tani për situatën e tij ka folur edhe trajneri i klubit londinez, Arteta, i cili është një ithtar i madh i Xhakës.

“Mendoj se ajo që ai ka bërë është thjesht të shprehë ndjenjat e tij dhe të thotë: “Kështu ndihem për situatën”. Ai e ka bërë atë në një mënyrë për botën e jashtme që ndoshta nuk e kam parë më parë. Ka pasur shumë mbështetje nga të gjithë këtu brenda dhe mendoj se edhe tifozët kanë dhënë shumë mbështetje”, ka thënë fillimisht Arteta.

Mobi Casa

“Gjatë vitit të fundit, situata ka ndryshuar shumë. Ata kanë qenë të jashtëzakonshëm me ekipin dhe kanë qenë shumë mirë me të edhe individualisht, dhe ajo që kam ndjerë në atmosferë dhe mbështetjen ndaj tij është shumë pozitive”.

I pyetur nëse një tjetër karton i kuq mund të prishë armëpushimin, Arteta mohoi një gjë të tillë, ndërsa vlerësoi maksimalisht karakterin e tij.

“Është pjesë e futbollit. Ai duhet të mësojë për gjërat që mund të përmirësojë në lojën e tij, por është një person i madh, përvojën e tij dhe mënyrën se si e transmetoi atë. Mendoj se personaliteti i tij dhe mënyra se si ai është meriton një shans tjetër”.

“Nuk doja ta shihja të largohej kështu. Mendoj se ishte pak si ikja nga një situatë e vështirë dhe nuk mendoja se kjo pasqyronte personalitetin apo karakterin e Granitit. Kështu që më vjen mirë që ai ka qëndruar dhe më bën shumë përshtypje që ai ka mundur të flasë me atë pjekuri për situatën”, përfundoi trajneri i Arsenalit. /Telegrafi/