Fundamenti

Artana për herë të parë bëhet me Gjykatë Themelore

/ 5 minuta lexim

Gjilan – Gjykata Themelore e Gjilanit do t`i ketë degët e saja në Kamenicë, Viti dhe për herë të parë edhe në Artanë tha Zyhdi Haziri për rajonipress. Sipas Bajrush Ymerit hapja e kësaj dege të Gjykatës Themelore në Novobërdë do të thotë shumë sepse tash e tutje qytetarët shërbimet e tyre do t`i kryejnë në një vend dhe me kohë

Që nga themelimi i saj si komunë në vete Novobërda asnjëherë nuk ka pasur Gjykatë. Tani me reformimin e sistemit gjyqësor Gjykata Themelore e Gjilanit i ka tri degë të saja në Kamenicë, Viti dhe për herë të parë edhe në Artanë tha Zyhdi Haziri kryetar i Gjykatës Themelore në Gjilan.

Haziri tha se në Artanë për herë të parë po instalohet gjykata dhe qysh në start është dashur të merret një objekt me qira dhe kemi vendosur një pjesë të stafit kurse si udhëheqës i degës në Artanë është caktuar gjyqtari Ramiz Azizi.

Haziri tha se në Artanë fillimisht do të gjykohen lëndët penale kurse për lëndët civile janë caktuar gjyqtarët e Departamentit të përgjithshëm të Gjykatës Themelore të Gjilanit. “Ata me radhë do të shkojnë në Artanë për të gjykuar lëndët civile” tha Haziri.

Haziri tha se kanë gjetur gjuhë të përbashkët dhe mirëkuptim edhe me kryetarin e Artanës zotin Bajrush Ymerin i cili e ka pritur shumë mirë këtë iniciativë, e cila në radhë të parë po bëhet në interes të qytetarëve dhe palëve të cilat më herët është dashur të udhëtojnë me kilometra të tërë për të shkuar në Prishtinë. “Të gjitha lëndët e qytetarëve të Artanës më parë janë zgjidhur në Prishtinë dhe kjo ka krijuar shpenzime për qytetarët e saj, kurse tani ata këtë mund ta bëjnë në komunën e tyre” u shpreh Haziri.

Fidanishtja

Kurse kryetari i Artanës Bajrush Ymeri i kontaktuar nga rajonipress tha se që nga viti 2010 kur me procesin e decentralizimit komuna e Novobërdës u zgjerua me territor lindi nevoja që edhe në këtë komunë si në komunat tjera të ketë një gjykatë komunale. “Ne zhvilluam biseda me Ministrinë e Drejtësisë dhe Këshillin Gjyqësor të Kosovës. Atëherë na është thënë që në fillim të vitit 2013 do të hyjë në fuqi ligji i ri për gjykata dhe në kuadër të shtatë gjykatave themelore që do të ketë në Kosovë edhe gjykata themelore në Gjilan e cila në kuadër të saj do të ketë edhe degët e saj e një prej këtyre degëve do ta ketë edhe Komuna Novobërdës”.

Dhe kjo ndodhi sepse gjatë fundit të vitit 2012 ne zhvilluam biseda me kryetarin e gjykatës themelore në Gjilan zotin Zyhdi Haziri për të siguruar lokacionin. “Në mungesë të gjetjes së ndonjë lokacioni ne ju kemi ofruar lokalet e komunës në dispozicion derisa ata në të ardhmen të bëjnë ndërtimin e objektit”.

Ymeri tha se është bërë një punë e mirë sepse të gjithë qytetarët tanë kanë pasur vështirësi sa i përket këtyre shërbimeve të cilat deri tash i kanë marr në Gjykatën Komunale në Prishtinë e disa prej tyre në gjykatën komunale në Gjilan. Këto vështirësi kanë qenë kryesisht në shqyrtimin e lëndëve sepse sa u përket punëve tjera unë mund të them lirisht që shërbimet kanë qenë në nivel.

Sipas Ymerit hapja e kësaj dege të Gjykatës Themelore në Novobërdë do të thotë shumë sepse tash e tutje qytetarët tanë shërbimet e tyre do t`i kryejnë në një vend dhe me kohë. “Situata e sigurisë në përgjithësi është e mirë dhe numri i krimeve mund të them që është shumë i vogël apo ndoshta edhe fare duke përjashtuar këtu ndonjë prerje ilegale të pyjeve apo ndonjë vjedhje që ndodh. Por tash e tutje edhe për këto vepra lëndët do të shqyrtohen shpejt dhe do t’ju bëhet me dije të gjithëve që për çdo vepër të bërë reagimi do të jetë i shpejt”.

Pra hapja e kësaj dege të gjykatës themelore sa është e rëndësishme është edhe moment historik për komunën sepse asnjëherë deri më tash nuk ka pasur Gjykatë Komunale, prandaj ne presim që gjatë javës së ardhshme edhe zyrtarisht të bëjmë hapjen e kësaj dege të gjykatës themelore tha Ymeri./rajonipress/