Eko Higjiena

Arsimi, shëndetësia, mediet – nuk obligohen me TVSH

/ 3 minuta lexim
Fundamenti

Prishtinë – Që nga fillimi i këtij muaji, nuk do të aplikohet tatimi mbi vlerën e shtuar për sektorët e shëndetësisë, arsimit, si dhe të medieve elektronike e të shkruara, citon Rel zyrtarët e Qeverisë së Kosovës.

Valentina Bytyçi, zyrtare për komunikim me publikun në Administratën Tatimore të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se me lirimet e aplikuara, përfitimet në këta sektorë do të jenë të mëdha.

“Me lirimet e aplikuara, përfitimet janë jashtëzakonisht të mëdha për biznesin, si dhe konsumatorin/klientin. Përfitimi më i madh është i blerësit të fundit, sepse do të marrin shërbime më të lira. Sipas të dhënave, në tre vjetët e fundit, shuma e TVSH-së në total nga të gjithë sektorët e lartcekur, sillet rreth 700 mijë deri 1 milion euro në vit”, thotë Bytyçi.

Në anën tjetër, përfaqësues të medieve dhe të universiteteve private e kanë mirëpritur zbatimin e Ligjit për tatimin mbi vlerën e shtuar, megjithëse i vonuar, pasi, sipas tyre, autoritetet kompetente kishin premtuar se një vendim i tillë do zbatohen nga korriku i vitit të kaluar.

Ymer Mehmeti, udhëheqës i financave në grupin “KOHA” pjesë e së cilës është gazeta e përditshme “Koha Ditore”, dhe dy kanalet KohaVisioni dhe Arta TV, thekson se ky vendim ka efekt pozitiv në kompaninë e tij.

Ai tregon se vetëm gjatë një muaji, për materialet të nevojshme kjo kompani ka paguar TVSH deri në 20 mijë euro. Ai thotë se çmimet e marketingut në këto media do të ulen, pasi nuk llogaritet TVSH-ja për 16 qind.

Uji Dea

“Kryesisht, në material që kursejmë, është rreth 20 mijë euro në muaj, do të thotë këtë shumë e kemi paguar TVSH në kufi, çka do të thotë se për një vit kemi paguar deri 250 mijë euro”, pohon Mehmeti.

Aplikimi i tatimit mbi vlerën e shtuar në arsimin e lartë ka qenë i tepruar dhe i panevojshëm. Ky obligim ka ngarkuar tërë sistemin e cilësisë dhe ofrimin e nivelit të duhur të studimeve në arsimin e lartë, konsideron Bedri Selmani, rektor në kolegjin universitar privat “Victory”.

Aplikimin e deritashëm të TVSH-së për institucionet e arsimit të lartë, Selmani e quan të dëmshëm për këtë fushë.

“Tatimi mbi vlerën e shtuar në arsimin e lartë ka qenë i tepruar dhe i panevojshëm dhe ka ngarkuar tërë sistemin e cilësisë dhe ofrimit të studimeve në arsimin e lartë. Në këtë rast, përveç kësaj, Qeveria dhe Ministria e Arsimit duhet të bëjnë edhe disa reforma që të gjithë pjesëmarrësit në tregun e dijës të jenë të barabartë”.

Tatimi mbi Vlerën e Shtuar është paguar në masën prej 16 për qind nga vlera e tatueshme e importit, hyrjeve brenda dhe furnizimeve tjera të tatueshme, me përjashtim të furnizimeve të normës zero.