RCCOLA

Arsimi për të ardhme të qëndrueshme

/ 6 minuta lexim
Uji Dea

Shteti i ri i Kosovës po përballet me një sërë problemesh që pengojnë zhvillimin e qëndrueshëm, ndërsa roli i institucioneve në arritjen e këtij qëllimi është i një rëndësie kapitale.

Zhvillimi i qëndrueshëm përfshin kalimin e një rezerve të barabartë apo mundësive më të mëdha të kapitalit ekonomik,social dhe njerëzor, tek brezat e ardhshëm.

Në kohën e ndryshimeve të shpejta të shoqërisë është me rëndësi që të zhvillohet vetëdija mbi rëndësinë e konceptit të zhvillimit të qëndrueshëm në të gjitha nivelet e arsimimit.

Kombet e Bashkuara e kanë shpallur dekadën 2005-2014, dekadë të arsimimit për zhvillim të qëndrueshëm, kurse Komisioni Ekonomik i Kombeve të Bashkuara për Evropën (UNECE) ka miratuar Strategjinë për futjen e zhvillimit të qëndrueshëm në sistemin e arsimit në mbledhjen e ministrave të arsimit dhe mjedisit jetësor në vitin 2005.

Sistemi i arsimit në Kosovë, pas vitit 1999, ka kaluar në reforma të mëdha strukturore. Ka pasur investime në infrastrukturë dhe në kapitalin njerëzor për të përmirësuar cilësinë e arsimit, duke nënkuptuar edhe rritje të perspektivës ekonomike, megjithëse nuk ka pasur ndonjë vlerësim të efekteve të reformave arsimore ose të cilësisë së arsimit në Kosovë, që do të jepte informacion për hartimin dhe zbatimin politikave të ardhshme.

“MASHT ka të miratuar dokumentet fundamentale që e rregullojnë funksionalizimin e arsimit siç janë : Strategjia e arsimit 2011-2016, Korniza e kurrikulës së Kosovës, e miratuar në vitin 2011, që janë produkt i një procesi të hartimit me një bazë të madhe të gjithëpërfshirjes së faktorëve socialë. Në të dy dokumentet ku paraqitet edhe vizioni, njëra ndër fjalët kyç është se arsimi do t’i kontribuojë zhvillimit të qëndrueshëm”, shpjegon Drita Kadriu nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

“Gjatë pilotimit të kurrikulës do të kemi mundësi për t’i rritur rezultatet e ZhQ në më shumë fusha dhe në më shumë nivele ku edhe presim përkrahjen e partnerëve, veçanërisht Qendra Rajonale e Mjedisit (REC-ut) “, përfundon Kadriu.

“Duke e kthyer Arsimin në Veprim për të Ardhme të Qëndrueshme”

Qendra Rajonale e Mjedisit, në fund të tetorit, ka nënshkruar Marrëveshje Mirëkuptimi me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor për Arsimin për Zhvillimin e Qëndrueshëm.

Projekti pesë-vjeçar “Arsimi për Zhvillim të Qëndrueshëm në Ballkanin Perëndimor: Duke e kthyer Arsimin në Veprim për të Ardhme të Qëndrueshme”, në përputhje me qëllimet e UNECE, do të analizojë programin kombëtar për arsim dhe të sugjerojë reformat e duhura në përputhje me arsimimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

Veç tjerash, është themeluar komisioni i Arsimit për Zhvillim të Qëndrueshëm i cili ka për qëllim të lobojë për AZHQ tek të gjitha institucionet relevante.

RCCOLA

“Vite më pare, REC ka prodhuar një mjet didaktik për edukim mjedisor, Paketa e Gjelber, që njëherit është mjeti më i avancuar jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon. Kjo ndikon në edukimin mjedisor, ndryshimin e çasjes së fëmijeve ndaj mjedisit. Edhe mësimëdhënesit përmes këtyre pakove e kanë të lehtë që t’i arrijnë disa nga rezultatet e të nxënit, të parapara në Kurrikulë”, shpjegon Firdeze Bekteshi, kordinatore e projektit për Kosovë në Qendrën Rajonale të Mjedisit, REC.

Dimensioni njerëzor

Një tjetër problem është se sistemi ynë arsimor u ofron të rinjëve vetëm diploma, në vend që të ofrojë aftësi me bazë diplome.
“Kjo ka një ndikim të madh në ciklin e zhvillimit njerëzor të një vendi, e posaçërisht në Kosovë, ku ambiciet për të ju bashkuar BE-së janë bukur të mëdha, por kuadri që mbaron studimet nuk është i përgaditur për tregun e punës (zanateve, praktikave) evropian”, thekson Denis Nushi, menaxher i projektit “Raportet e zhvillimit njerëzor” të UNDP-së në Kosovë.

Në fushën e arsimit në Kosovë, projekti RZNJ, lidhet ngushtë me dy indikator: mesatarja e viteve të shkollimit dhe pritshmëria e viteve të shkollimit, me ndihmën e të cilave kalkulohet Indeksi i Zhvillimit Njerëzor. IZHN-ja është instrumenti më gjithëpërfshirës për vlerësimin e kapacitetit të administrimit.

Agjenda e zhvillimit të së ardhmës

Cilësia e arsimit dhe qasja në edukim cilësohen si gurthemel në agjendat e zhvillimit të së ardhmës. Bazuar në debatin POST 2015, kjo ka rezultuar si nevojë e paplotësuar dhe e drejtë të cilën të rinjtë e Kosovës nuk e gëzojnë.

Së paku 80% të të rinjëve të anketuar, në krye të listës së dëshirave kanë vendosur edukimin, ndërsa stukturën ekonomike të vendit si të dytën. Ata kanë artikuluar lidhshmërinë, që programet aktuale shpesh e harrojnë: “si mund të ndërtosh një sistem arsimi cilësor, kur nuk ofron vende pune që ia vlejë të shkollohesh për to?”.

“Cilësia në arsim është thelbësore për zhvillim të kapitalit njerëzor dhe për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik” ka potencuar në një konference të organizuar pak javë më parë në Prishtinë , Ministri i Arsimit të Kosovës, Ramë Buja.

Viteve të fundit janë mbajtur një sërë konferencash të tilla, duke pretenduar nxjerrjen e rekomandimeve të cilat do t’ju shërbejnë politikbërësve të nivelit qendror e komunal, por edhe shkollave, për të ardhmen e arsimit dhe për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik.

Ndonëse në përmbyllje të dekadës së arsimimit për zhvillim të qëndrueshëm (përfundon më 2014), në Kosovë ka filluar të diskutohet më shumë mbi rëndësinë që ka arsimimi i gjeneratave , me qëllimin themelor që individët dhe shoqëria në tërësi, përmes sistemit të arsimit, të arrijnë njohuritë e nevojshme, të cilat shtetin do ta orientojnë në drejtim të zhvillimit të qëndrueshëm./zeri/