Fundamenti

Arsimi pa mendimin e duhur

/ 7 minuta lexim
Uji Dea

Nga Nuhi Ismajli- Çdo veprimtari e rëndësishme njerëzore, po nuk u shoqërua edhe me mendimin ose anën teorike të saj, nuk mund të përsoset, të zhvillohet dhe të përparojë në pajtim me synimet dhe interesat njerëzore.

Arsimi, veprimtaria më tipike njerëzore, baza e të gjitha veprimtarive dhe kushti kryesor i zhvillimit, përsosjes e përparimit njerëzor, gjithashtu, nuk mund të zhvillohet, të përsoset dhe të përparojë, i pashoqëruar nga mendimi apo teoria e tij.

Arsimi ynë, sot, një nga defektet e mëdha të tij ka pikërisht mungesën e mendimit, apo të teorisë, e cila duhet ta shoqërojë veprimtarinë praktike arsimore.

Dikur kishim një revistë për arsimin, revistën:”Shkëndija”, e cila, me gjithë të metat që kishte dhe vërejtjet që mund t’i jipeshin, kishte rëndësi dhe, pa dyshim, luante rolin e mendimi të rëndësishëm për arsimin. Tani kjo revistë nuk botohet, nuk e financon kush, ndonëse nevoja për një revistë të tillë arsimore (gjithsesi pas mënjanimit të disa të metave të saj) është shumë e madhe.

Tani nuk kemi një revistë arsimore çfarë duhet ta kemi. Mungesën e revistave arsimore, herë-herë, po e plotësojnë sadopak gazetat e përditshme, të cilat botojnë shkrime edhe për problematikën arsimore.

Por, çështja lidhur me mendimin tonë të sotëm për arsimin nuk ka të bëjë vetëm me mungesën e hapësirës së nevojshme botuese, po edhe me mungesën e cilësisë së mendimeve të sotme për arsimin.

Sot, mund të thuhet, pa dyshim, se ashtu si nuk kemi një revistë profesionale, ku çështje të ndryshme të arsimit do të trajtoheshin në mënyrë profesionale, po ashtu, sot, nuk mund të jemi të kënaqur fare as me numrin e as me cilësinë e shkrimeve për arsimin.

Pse?

Sepse, me përjashtim të studimeve që bëhen në kuadër të katedrave, p. sh., në kuadër të katedrës së Pedagogjisë ose të F. të Edukimit (të cilat nuk i shfrytëzojnë ata që udhëheqin arsimin), sot ne nuk kemi shkrime profesionale të tjera, në gazeta e revista profesionale, në të cilat, në mënyrë profesionale, ekspertët e arsimit, do të trajtonin çështje të arsimit tonë sot.

Në vend të tyre, sot, mund të vërejmë edhe mendime e këshilla, ndër më të çuditshmet. Sepse kështu është: kur heshtin ekspertët, dalin mediokrit, ca mendje të klasës së katër, si thotë Konica, dhe na “mësojnë” sesi duhet të jenë punët në arsim.

Kështu, ndër të tjera, ne patëm rast të lexojmë “këshillat” e një “pedagogu”, i cili, me një qëndrim prej pushtetari dhe duke mbrojtur qëndrimet e pushtetit, dhe jo mësimet e pedagogjisë, thoshte se nxënësve të klasave të para të fillores, në kushtet tona, nuk duhet lejuar zgjedhja e mësuesit dhe e paraleles!

A nuk është e çuditshme kjo?

Mobi Casa

Nëse te popujt e përparuar, ku kuptohet e respektohet e drejta e prindit dhe e fëmijës për të zgjedhur mësuesin dhe mënyrën e shkollimit, pse për ne shqiptarët mungon një e drejtë e tillë? Nuk jemi ne si gjithë bota?! Nuk jemi ne në një shkallë të tillë zhvillimi sa të kuptojmë dhe ta meritojmë një të drejtë të tillë, si të tjerët?! Pse e injorojmë dhe e paraqesim aq të prapambetur vetveten, kur realisht nuk jemi të tillë?

Pse rregullat e ngurta të një pushteti, të pabazuara fare në dijet pedagogjike e psikologjike, çmohen më shumë se njeriu dhe e drejta e tij, në këtë rast nxënësi dhe e drejta e tij?!

Krijimi i klasave të pazakonshme nuk duhet të jetë shkas për të penguar të drejtën e nxënësit për të vijuar mësimin tek arsimtari dhe paralelja që ai dëshiron.

Edhe në rrethanat tona, shumë lehtë mund të pengohet krijimi i klasave të pazakonshme, të cilat, në aspektin shoqëror, mund të quhen klasa të deformuara dhe janë të papranueshme për shoqërinë, duke mos penguar njëherazi as të drejtën dhe dëshirën e atyre nxënësve që zgjedhin një arsimtar a paralele të caktuar.

Të jesh aq i ngurtë, sa të mos përfillësh dëshirën e nxënësit të jetë nxënës i këtij apo i atij arsimtari, i kësaj apo i asaj paraleleje, po të respektosh rregulla pushtetarësh, pa qenë të bazuara fare në dijet pedagogjike e psikologjike, d.m.th. të bësh një punë të kundërt me misionin e institucionit të arsimit.

Përmasat e këtij absurdi duken edhe më të qarta po të marrim parasysh raportin: fëmija – pushteti. Fëmija ynë, vërehet në këtë rast, i nënshtrohet diktaturës shtetërore ende pa filluar shkollimin!

Në një rast tjetër, një mendim pseudopedagogjik, që artikulohet si një urdhër pushteti, thotë se çdo arsimtar duhet të bëjë patjetër përgatitje me shkrim për orën mësimore.
Për një arsimtar të përgatitur mirë, në pikëpamje arsimore e profesionale, çfarë duhet përgatitja me shkrim? Çka ndihmon ajo? Si shfrytëzohet?

Për një arsimtar bashkëkohor, me një përgatitje të nevojshme arsimore dhe profesionale dhe me mundësi të mëdha për shfrytëzimin e mjeteve të ndryshme mësimore, çfarë na duhet praktika e stërvjetruar e një arsimtari të papërgatitur sa duhet, arsimtarit të para një shekulli, dhe praktika e kohës së mungesës së mjeteve të nevojshme mësimore?

Në vend të kërkesës për përgatitjen e domosdoshme me shkrim të arsimtarit dhe mundimit të tij pa asnjë përfitim, sot, e arsyeshme dhe e dobishme është të kërkohet sigurimi dhe shfrytëzimi i mjeteve teknike në procesin mësimor, që do të ishte me rëndësi për një mësim bashkëkohor dhe cilësor.
Sa anakronike dhe e paarsyeshme është, sot, kërkesa-urdhër për përgatitjen e domosdoshme me shkrim të arsimtarit, e tregon jo vetëm procesi edukativo-arsimor anakronik, i nënkuptuar në këtë rast, po edhe gjendja dhe mundimi i kotë, p. sh., i arsimtarit të ciklit klasor, të klasës së pestë, i cili, po t’i kërkohet përgatitja me shkrim për orën mësimore, për çdo ditë duhet të bëjë nga pesë përgatitje me shkrim! A është e arsyeshme kjo?

Etj. Etj.
Veprimtaria jonë arsimore ka nevojë për mendimin e ekspertëve të arsimit, mendimin e pedagogëve e të psikologëve, të cilët duhet ta vëzhgojnë veprimtarinë arsimore dhe së andejme duhet të nxjerrin përfundime të rëndësishme, të cilat i shërbejnë vazhdimit të mëtejmë të saj.

Ekspertët tanë të arsimit, të cilët, çuditërisht, po heshtin do të ishte me shumë rëndësi që dijen dhe përvojën e tyre arsimore, ta vinin në shërbim të zhvillimit të arsimit tonë, duke bërë vështrime, vëzhgime, analiza, shqyrtime të vëmendshme, kritika objektive profesionale, duke nxjerrë përfundime të rëndësishme dhe duke shprehur ide, të cilat përsosin veprimtarinë tonë arsimore.

Heshtja e ekspertëve, mungesa e mendimit të tyre, lidhur me veprimtarinë arsimore, është një humbje e madhe për arsimin. Ata që angazhohen sinqerisht për zhvillimin e arsimit, nuk duhet të frikësohen as nga kritikat, sepse kritikat objektive ndihmojnë e nuk shkatërrojnë. Pra, institucionet e çmuara të arsimit vetë duhet kërkuar e financuar kritikën, dhe jo ta pengojnë atë duke nxjerrë revista të institucionit, sa për reklama e propaganda institucionale.