KKVITI

Arsimi dhe zhvillimi i tij

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Nga Bekim Thaqi – Kosova duhet të hulumtojë se cila metodë është e përshtatshme, për zhvillimin dhe dërgimin e arsimit në një nivel më të lartë, dhe ti marrë për bazë edhe specifikat e vendit dhe rajonit në të njëjtën kohë. Deri më tash ndoshta ka pasë qëllime të mira, mirëpo që nuk janë hulumtuar si duhet dhe që më tepër kanë qenë marrje ose kopje e sistemeve arsimore dhe plan programeve të vendeve të zhvilluara, dhe ku në asnjë moment nuk janë inkorporuar faktorët dhe rrethanat vendore dhe nuk janë përshtatur me sistemin e edukimit në vend.

Qëllimi ka qenë më tepër tek përzgjedhja e kurrikulave “të suksesshme”, por nuk është menduar zbatimi i tyre dhe nuk është bërë një studim fizibiliteti se sa ka mundësi që këto “projekte “të kenë sukses. Ta zëmë diçka që funksionon në Finlandë jodeomos do të funksionojë në Kosovë, dhe në këtë mënyrë ishte dashtë që të merren parasysh faktorët vendorë. Një element tjetër, besoj se në punimin e këtyre kurrikulave do të ishte tejet e rëndësishme të merren si këshillëdhënës edhe mësimdhënësit e cikleve të ulëta dhe të mesme, sepse ndonjëherë duket se profesorët universitarë e kanë humbur lidhjen shpirtërore me ciklet e ulëta dhe ndonjëherë idetë e tyre megjithëse mund të jenë të mira, e kane humbur kontaktin e drejtpërdrejtë me problemet dhe rrethanat e ciklit të ulët dhe të mesëm dhe kjo rezulton në kurrikulë jo të zbatueshme në praktikë.

KKVITI

Një pjesë të madhe në këtë zhvillim do ta luante edhe teknologjia, si p.sh tabelat e kompjuterizuara, laptopët dhe Ipad-ët. Në shumicën e shkollave tona kemi kompjuterë të vjetër që janë donacione, dhe të cilët nuk shfrytëzohen aspak ose shumë pak dhe që shpesh edhe nuk lidhen as me internet, si dhe kemi projektorë të cilët sa do që paraqesin një teknologji më të re kanë filluar të zëvendësohen me tabela Smart dhe janë veçse duke u tejkaluar në epokën moderne.

Investimi në arsim nuk bëhet vetëm me trajnime dy tre ditore ose javore të mësimdhënësve, por në atë mënyrë që disa lëndë në universitet për drejtimet që kanë të bëjnë me mësimdhënie të jenë për kurrikulë dhe metodat dhe teknikat e mësimdhënies. Në këtë mënyrë një aspirues për mësimdhënës, do të kishte provime të veçanta të cilat do e ndihmonin shumë punën e tij më vonë dhe që asnjë trajnim dy tre ditor nuk mundet me i zavendësu.