Arrestohet tekniku i pylltarisë Bajram Vokshi
Gjilan – Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK)- njësia në Gjilan, në një operacion policor të realizuar më 24.07.2012 ka arrestuar një person me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “marrje e ryshfetit”.
Ismet Hashani zëdhënës i policisë në Gjilan tha për rajonipress se kanë arrestuar të dyshuarin B.V. por burimet tona thanë se fjala është për Bajram Selman Vokshin (1967) teknik i pylltarisë në Agjencinë pyjore në Gjilan (zyra në Kamenicë) me dyshimin e bazuar se ka kryer veprën penale marrje e ryshfetit.
Policia përmes procesit hetimor ka siguruar informata se i dyshuari ka pranuar të holla në vlerë prej 500€ nga një qytetar me qëllim tё rregullimit tё dokumentacionit nё agjencinë pyjore pёr 100m³ dru.
I dyshuari është ndaluar derisa ishte duke drejtuar automjetin dhe gjatë kontrollit të veturës së tё dyshuarit janë gjetur të holla nё vlerë prej 500€ të cilat janë konfiskuar nga policia.
Të gjitha veprimet policore lidhur me këtë rast janë kryer nën autorizimin e prokurorit kompetent dhe të arrestuarit i është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë tha Hashani./rajonipress/