RCCOLA

Arrestohet në ditën e dasmës, dyshohet se vodhi kasafortën me 11 mijë €

/ 2 minuta lexim
Uji Dea

Ishte përgatitur për të vendosur unazën e martesës, por përfundon me pranga në duar. Kjo është historia e 29-vjeçarit Milaim Metalia, i cili në ditën më të rëndësishme të jetës së tij është arrestuar nga Policia e Tiranës me akuzën e vjedhjes, së bashku me dy persona të tjerë.

Burime nga blutë e kryeqytetit bëjnë të ditur se bashkë me Metalian janë arrestuar dhe Dritan Rexhaj e Ali Kastrati, të cilët dyshohet se janë autor të vjedhjes së një kasaforte, brenda të cilës gjendeshin 11 mijë euro. Grabitja është regjistruar pranë rrugës “Siri Kodra”, kur tre personat dyshohet se kanë grabitur kasafortën e një magazine me materiale ndërtimi.

Arrestimi

29-vjeçari Milaim Metalia ishte përgatitur dhe po bëhej gati për të nisur dasmën, por në vend të krushqve, është përballur me forcat e policisë, të cilat e kanë arrestuar këtë të fundit. Arrestimi i tij është bërë në afërsi të mbikalimit të Kamzës, ku ishte dhe banesa e 29-vjeçarit.

Të gjithë familjarët kanë mbetur të shokuar nga ngjarja dhe kanë kundërshtuar arrestimin e 29-vjeçarit, por efektivët e policisë menjëherë pas prangosjes kanë bërë të mundur transportimin e tij për në ambientet e Policisë. Ndërkaq, në pranga kanë rënë dhe dy miqtë e tij, Dritan Rexhaj 28 vjeç dhe Ali Kastrati 24 vjeç, raporton bw.

RCCOLA

Ngjarja

Tre të rinjtë dyshohet se disa netë më parë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë mundur të hynë në ambientet e brendshme të një magazine me materiale ndërtimi, ku pasi kanë hapur kasafortë, kanë arritur të marrin një sasi prej 11 mijë eurosh që gjendeshin aty.

Kanë qenë strukturat e Komisariatit Nr.4, të cilat pas hetimeve intensive të kryera, kanë arritur të dokumentojnë të gjithë ngjarjen dhe të identifikojnë autorët e saj, si dhe t’i prangosin disa orë më pas, në kohën ku njëri prej tyre ka qenë në përgatitjet e fundit për të filluar dasmën.

Mbi tre të arrestuar tashmë rëndon akuza e “vjedhjes” së kryer në bashkëpunim, ndërsa materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.