UBT

Arrestohet Drejtori i Spitalit të Gjilanit

/ 4 minuta lexim
Eco Higjiena

Gjilan -Xhavit Hajdari, drejtor i Spitalit Rajonal të Gjilanit, është arrestuar nga policia e krimeve ekonomike. Ai dyshohet se ka kryer vepra penale korruptive dhe ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare, duke shkaktuar dëme të mëdha spitalit që e ka menaxhuar.

Policia e krimeve ekonomike në Gjilan, ka arrestuar paradreken e së enjtes drejtorin e spitalit rajonal të Gjilanit, Xhavit Hajdarin. Lajmi për arrestimin e Hajdarit, është konfirmuar nga burime të policisë së Kosovës, në Prishtinë.

Ismet Hashani, zëdhënës i policisë për rajonin e Gjilanit, thotë se një person nga Spitali Rajonal është arrestuar të enjten para dreke, nga njësia e krimeve ekonomike në Gjilan.

Hashani, nuk bën publike detajet e arrestimit të drejtorit Hajdari. Por, një burim brenda policisë thotë se ai po hetohej për një kohë të gjatë, lidhur me vepra si keqpërdorimi me detyrën zyrtare me qëllim të përfitimit të paligjshëm.

Periudha e menaxhimit të tij si drejtor, është manifestuar me shpërdorime të shumta.

Në Repartin e Gjinekologjisë, në dhjetor të vitit të kaluar, janë ndërruar dritaret. Aty, janë vendosur 34 dritare si dhe dy dyer, pa u kryer asnjë procedurë tenderuese. Këto dritare, besohet se janë blerë nga kompania “Agro Hermes”.

Pas kritikave që janë bërë nga punëtorët e spitalit lidhur me blerjen e këtyre dritareve, atëherë, drejtori ishte arsyetuar se janë dhënë donacion, por ato nuk janë protokolluar si donacion.

Dosje tjetër me të cilën besohet se po hetohet Hajdari, është blerja e 5 makinave të vjetra rrobalarëse për nevoja të spitalit. Ato makina janë blerë në vitin 2009.

Gazeta Jeta në Kosovë ka siguruar faturën e pagesës së këtyre makinave, dhe aty shihet se ato janë paguar hiq më pak se 29.990 euro. Ato sot e kësaj dite qëndrojnë në korridor të papërdorura, kurse janë çregjistruar si mjete pune të spitalit. Kështu, pastaj janë blerë edhe tri makina të reja rrobalarëse.

Eco Higjiena

Drejtori i SR të Gjilanit, Xhavit Hajdari, ka punësuar pa konkurs 22 persona. Kurse, ka shpallur konkurs së fundi dhe besohet se në dy pozita ka punësuar si elektricist vjehrrin e djalit të tij, Ruzhdi Hajdinin, si dhe një mekanik, që është Fatos Sadiku, djali i avokatit Abdylaziz Sadiku, që është edhe mbrojtës i Hajdarit.

Në këtë periudhë kohore të menaxhimit nga Hajdari spitali i ka hedhë në mbeturina 2.500 infuzione, kurse spitali ka pasur në vazhdimësi mungesë barnash.

Po ashtu, gjitha dritaret e vjetra të aluminit, të reparteve të Gjinekologjisë, Pediatrisë dhe Laboratorit janë ngarkuar në një kamion dhe janë shitur për alumin në Fushë Kosovë.

Kurse, fatura për shitjen e tyre, besohet se është marrë në Ferizaj. Vlera e dritareve të aluminit të shitura, dyshohet të jetë afër 10 mijë euro.

Po ashtu, dyshime ku është implikuar drejtori Hajdari, janë ngritur edhe lidhur me kolektorët solarë të gjinekologjisë. Ata nuk janë aktivizuar kurrë, kurse kontrata e mirëmbajtjes së tyre ka kaluar.

Në gjinekologji gjatë renovimeve janë zhdukur edhe dy shporete me kapacitete ngrohëse prej 1.280 kilovatë si dhe dy ngrohës të ujit (bojlerë) me kapacitete prej 5.000 litrash.

Spitali i Gjilanit, ka shpenzuar 6.000 euro për hapje të dy puseve në oborr të këtij spitali. Asnjëri nga këta puse, besohet se nuk është shfrytëzuar asnjëherë.

Avokati i Xhavit Hajdarit, Abdylaziz Sadiku, nuk ka komentuar për Gazetën Jeta në Kosovë, nëse ka bazë ligjore për arrestimin e klientit të tij. “Ai tani po merret në pyetje dhe nuk mund t’iu them asgjë në këtë fazë”, tha Sadiku.

Kurse, u.d. i sekretarit të Ministrisë së Shëndetësisë Gani Shabani, ka thënë se deri në mesditë, të enjten, nuk kanë marrë asnjë njoftim zyrtar nga policia, që ndonjë zyrtar i spitalit të Gjilanit është arrestuar.(gazetajnk)