Arrestimet në Luginë kanë për qëllim spastrimin etnik!
Prishtinë – Qeveria e Republikës së Kosovës dënon aktin e ulët të arrestimit të qytetarëve shqiptarë në Komunën e Bujanocit.
“Këto veprime të vazhdueshme të Qeverisë së Serbisë janë edhe një provokim i rëndë kundër paqes dhe stabilitetit në rajon”, thuhet në një deklaratë të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
“Qytetarët shqiptarë në rajonin e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës kanë qenë dhe vazhdojnë të mbesin të atakuar nga presionet e vazhdueshme të Beogradit zyrtar, përmes proceseve të montuara politike, që kanë për qëllim dëbimin e qytetarëve shqiptarë nga trojet e tyre dhe krijimin e pasigurisë së përgjithshme në ato territore të banuara me shqiptarë”.
“Qeveria e Kosovës thekson se këto veprime tensionuese në prag të zgjedhjeve në Serbi janë edhe një dëshmi e qartë se Qeveria e Serbisë po vazhdon me qasjen e saj antievropiane, që është në dëm të krijimit të një rajoni të sigurt, të qetë, dhe mbi të gjitha në dëm të bashkëpunimit rajonal”, thuhet në deklaratë.
Të premten në mëngjes, në Bujanoc, në Tërnocin e Madh dhe në Breznicë, policia serbe ka kryer bastisje dhe arrestuar tetë shqiptarë, gjoja për krime të kryera kundër serbëve gjatë luftës. /Telegrafi/