Armend Kastrati: Do ta mposhtim Istogun
Gjilan – Mesfushori i Dritës Armend Kastrati para përballjes me skuadrën e Istogut të xhiros së tretë të Superligës së Kosovës në futboll, është optimist se së bashku me bashkëlojtarët e tij do të arrijnë fitore ndaj Istogut.
“Bardhë e kaltërit” e Dritës në dy takimet e para kanë pësuar humbje, duke mos arkëtuar asnjë pikë, është rast i mirë që para tifozëve të saj, të arrijnë fitoren e parë në këtë edicion të garave.
“Në përballjen e nesërme me ‘troftat’ e Istogut do të jetë një ndeshje e vështirë, por kësaj radhe pikët do të mbesin në Gjilan, jemi të mobilizuar si asnjëherë më parë që të arrijmë fitoren e parë në këtë edicion të garave,” shprehet Kastrati.
Mesfushori i Dritës Kastrati shpjegon edhe për dy ndeshjet që pësuan humbje nga rivali lokal Gjilani dhe Feronikeli. “Ishin këto dy ballafaqime shumë të vështira, së pari derbi që asnjëherë si dihet se kush fiton, dhe ishte takimi me kampionin aktual Feronikelin, në dy ndeshjet patëm paraqitje të mirë por fati na ktheu shpinën”.
Kastrati është i bindur se nga kjo gjiro skuadra e tij Drita do të rikthehet në binarët e duhur.
“Kemi skuadër të mirë me individ të mirë ,kjo ndeshje është për të rikthyer vetëbesimin në skuadër, për këtë do të japim gjithçka nga vetja, këto pikë do të jenë të mirëseardhura edhe për tifozët tanë “Intelektualët” të cilët kanë besim në skuadrën tonë”.
Mesfushori Kastrati ka edhe një porosi për të gjithë dashamirët e futbollit që shkallët e stadiumit të jenë plot me shikues.
“Bëjmë thirrje të gjithë tifozëve “Intelektualëve” që në këtë ballafaqim me Istogun së bashku të festojmë fitoren e parë në këtë edicion të garave”./rajonipress/


