Arifi: Sektori privat nuk po respekton ligjin e punës

Sektori privat mbetet ende shqetësim për Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës. Ditët e pushimit, pagesat, orari i stërzgjatur i punës dhe largimi nga vendi i punës, janë këto probleme që më së shumti u ndodhin punëtorëve në këtë sektor. Sindikatat ju duhen pronarëve sepse në vend që të merret me problemin e 500 punëtorëve në një ndërmarrje, ai merret me një kryetarë të sindikatës për t`i zgjedhur problemet. Nuk tregon se a ka raste kur nuk u paguhen dëmshpërblimet punëtorëve. BSPK është një institucion i pavarur dhe se financohet vetëm nga anëtarësia dhe donacionet. Pavarësinë nuk e shes kurrë, thotë ndër të tjera në një intervistë për KosovaPress, Kryetari i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Haxhi Arifi.
Megjithëse i pari i sindikatës Haxhi Arifi kërkon gjithmonë që të zbatohet ligji i punës, ai si duket është ka e thyen vetë, pasiqë me 1 Korrik ka mbushur 65 vjet dhe se ende nuk ka dhënë dorëheqje.
Por, sipas Haxhi Arifit, kryetar i kësaj sindikate, punëtorët e sektorit privat kanë frikë të lajmërojnë këto raste. Madje punëtorët sipas Arifti, nuk janë edhe të informuar që ka një adresë ku mund të ankohen.
“U kemi thënë se duhet të lajmërohen. Ne e kemi zyrën ligjore dhe përmes zyrës ligjore ja paraqesim rastet edhe inspektoriatit që është mekanizmi që duhet ti mbikëqyrë padrejtësitë dhe shkeljet që bëhen sidomos, në sektorin privat. Ne i marrim për bazë ndërmarrjet që na lajmërojnë edhe individët. Nëse ne na drejtohen, normal që ne i shqyrtojmë ato raste, edhe individuale edhe grupore dhe pastaj i adresojmë atje ku është adresa e duhur, ta monitorojnë implementimin dhe shkeljet që bëhen në këto ndërmarrje përmes inspektoratit të punës”, ka thënë Arifi në një intervistë për KosovaPress.
Shkeljet e tilla të punëtorëve, po bëhen kryesisht nga shefat e tyre, thotë Haxhi Arifi, të cilët sipas tij nuk kanë organizim, nuk i përfillin ligjet sa i përket zbatimit të kontratës dhe të ligjit tëpunës. Megjithëse, deri më tani ndikimi i BSPK-së, nuk ka qenë edhe aq i madh në sektorin privatë. Arifi thotë se kohëve tëfundit është bërë më shumë në këtë drejtim.
Ai thotë, se edhe në sektorin privatë kanë nisur të themelojnë sindikatat, që përmes këtij mekanizimi t’i zbulojnë edhe shkeljet që bëhen. Por këto mekanizma po u pengojnë punëdhënësve edhe pse sipas Arifit, sindikata është e mirë për çdo kompani.
“Nuk e dinë edhe vetë se ju duhet sindikata sepse sindikata nuk ju bënë dëm. Ajo përkundrazi i kryen shërbimet dhe punët atyre, në vend që të merret me problemin e 500 punëtorëve në një ndërmarrje, ai merret me një kryetarë të sindikatës për t`i zgjedhur problemet. Kjo është në ligj, ligjin duhet ta respektojnë, ligjin e punës, ligjin mbi organizimin sindikal, dhe këto pengohen, është një e vërtetë por gradualisht po vije duke u ndryshuar situata”, thotë Haxhi Arifi.
Deri më tani sipas tij, janë mirë të organizuara dhe nuk ka problemë ndërmarrjet siç janë Ferronikeli, SharrCemi dhe Ballkani i Suharekës. Edhe pse të privatizuara, Arifi thotë se në këto ndërmarrje themelimi i sindikatave ka përmirësuar gjendjen.
Arifi gjatë kësaj interviste për KosovaPress ka folur po ashtu edhe për pagesat e dëmshpërblimeve të punëtorëve të cilët lëndohen gjatë orarit të punës. Këto të drejta padyshim që janë në kontratën kolektive. Ai nuk tregon se a ka raste kur nuk u paguhen dëmshpërblimet punëtorëve, por thotë që të gjitha ato çka janë të shkruara në ligj dhe në marrëveshjen kolektive, duhet të zbatohen dhe se 90 % të atyre rasteve i ka zgjidhur BSPK-ja.
Por e komplikueshme, është çështja e punëtorëve të KEK-ut që humbën jetën dhe u lënduan në shpërthimin e fundit.
“Si BSPK, i përkrahim vendimet e organeve të tyre që i marrin dhe normal që duhet gjithmonë të jenë kujdestarë të rasteve që ndodhin, që ti adresojmë atje ku është adresa. Së pari menaxhmentit, pastaj inspektoratit dhe nëse ka nevojë përmes gjykatës dhe të tjerëve. Ai rast është diçka, ‘suigeneris’. Deri tani hala nuk kemi informata në opinion, po kjo është një diçka që nuk varet prej neve. Ne punët tona, detyrat tona i kryejmë me kohë dhe presim se me çfarë opinioni po dalin ata”, thotë Haxhi Arifi.
Problematike për BSPK-në del të jetë edhe çështja e Kontratës Kolektive, hyrjes në fuqi, nënshkrimit të saj dhe implementimit. Edhe pse BSPK e ka nënshkruar këtë kontratë, buxheti ende nuk është miratuar. Por që për këtë çështje Arifi, thotë se duhet të brengoset Qeveria.
“Se a ka buxhet apo jo atë duhet ta dijë qeveria dhe ajo duhet të merret me atë. E ne si BSPK, kërkojmë që përmes mekanizmave që janë, të implementohen në përpikëri dhe në tërësi marrëveshja kolektive në nivel nacional e nënshkruar nga partnerët”, ka thënë ai për KosovaPress.
Në mesin e krejt këtyre problemeve, më i madhi është edhe ai me punëtorët e fabrikës së Tubave në Ferizaj, të cilët kanë mbetur peng i përkeqësimit të situatës në AKP. Greva e tyre po vazhdon që gati dy muaj nga fillimi i saj. Këta punëtore, madje janë inatosur edhe me Haxhi Arifin, duke e akuzuar atë se nuk ka respektuar ligjet. Por edhe atëherë, edhe sot ai thotë se do të veproj ashtu siç e kërkon ligji.
Arifi, thotë se mungesa e anëtarëve të bordit në AKP, po i pamundëson realizimin e vendimeve dhe kompensimin e pagesave të këtyre punëtorëve.
“Ne i dimë vendimet që janë marrë, por ajo nuk mund të realizohet pa pasur anëtarin e 3-të ndërkombëtarë të borditt. Ne kemi hendikep për ketë dhe shumë vendime tjera që s’po mundemi mi realizue si bord i AKP-së. Edhe kjo, nuk mund të realizohet pa e pasur anëtarin e tretë. Çka është më keqja që tash situata po keqësohet edhe më shumë sepse edhe dy ndërkombëtarët që i kemi tani për tani, në gusht u skadon mandati dhe ne si bord mbesim vetëm 3 vendorë dhe deri sa nuk plotëson qeveria numrin e anëtarëve që ju e dini që ne kemi mbet 5 anëtarë dhe duhet me pas gjithë konsensus për të realizuar një vendim. Po për këto dhe për likuidim, pa qenë anëtari i 3-të nuk mund të realizohet, këtë e kemi thënë x herë. Dhe unë, mendojë se ata i kanë të qarta këto dhe unë i kamë thënë, ne në odë të veçantë e kemi pas rastin e tyre disa herë dhe oda e veçantë nuk kthen atë se çfarë duhet ti kthejë AKP-së. Dil zbatoje ligjin, ligji nuk e lejon pa anëtarin e tretë dhe këtu përfundon çdo gjë”, ka thënë Arifi.
Të njëjtin fat me punëtorët e fabrikës së Tubave e kanë pasur edhe rreth 100 mijë punëtorë të tjerë, që u larguan nga puna si pasojë e regjimit të Millosheviqit. Brenda 1 muaji ose dy muajve për shkaqe të mirëditura të regjimit të Millosheviqit janë pastruar etnikisht vendet e punës në Kosovë. Dhe vetëm nga ajo kohë e viteve të 90-ta që janë përdorur ligje diskriminuese, Arifi thotë se përmes zyrës ligjore që e kanë pasur, i janë drejtuar secilit punëtorë duke u kërkuar që të bëjnë ankesa. Por për ata që nuk kanë bërë ankesa, Arifi thotë se nuk kanë zgjidhje.
“Të gjithë këta ankohen po nuk kemi kujt, pavarësisht është dashur që të bëhen ankesat, çdo punëtorë i larguar ka të drejtë me ligj për diskriminim. Kush e ka bërë i ka grahë procedurës sikur këta, përmes instancave gjyqësore etj etj. Ata që se kanë bërë, se kanë bërë dhe unë nuk e di se çfarë do të bëhet me të tjerët”, ka thënë Arifi.
Në intervistën për KosovaPress, Arifi ka folur edhe për privatizimin e ndërmarrjeve shoqërore, financimin e BSPK-sëdhe ndikimet politike në këtë organizatë.
“Për privatizimin është një procedurë e gjatë që ish dashur dhe duhet ta njohin materien e privatizimit”, thotë Arifi, i cili shton se privatizimi do të duhej të ndodhte, për shkak se ashtu është edhe me rregulloret e kombeve të bashkuara. Por që Arifi, mendon se ky proces tek ne, do të mund të bëhej në një mënyrë më të mirë.
Ndërsa kur ka folur për financimin e BSPK-së Arifi, ka thënë se BSPK është një institucion i pavarur dhe se financohet vetëm nga anëtarësia dhe donacionet që marrin për projekte që kanë për qëllim fuqizimin dhe ngritjen e kapaciteteve. Jashtë kësaj, Arifi thotë se nuk ka marrë asnjëherë asnjë kompensim, dhe se nuk toleron që të shitet pavarësia e institucionit që drejton.
“Pavarësinë jo nuk e shes kurrë, do të jemi të pavarur plotësisht ndaj qeverive. Bashkëpunojmë normal me çdo qeveri që vije në pushtet por pavarësinë tonë do ta kemi, do ta ruajmë. Dhe ne normal që nuk i kemi ndoshta punët aq mirë me financa, por megjithatë ja dalim dhe funksionojmë mjaftë mirë”, ka thënë Arifi.
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës ka probleme edhe me reformat që është duke i bërë së fundmi. Arifi, thotë se disa sindikata që janë të fuqishme e ndiejnë vetën në një mënyrë, se ata mund të funksionojnë edhe pa BSPK-në. Por ai thotë se ata nuk mund të funksionojnë pa BSPK-në, organizatë kjo që sipas tij është me e madhja në regjion.
“Kjo do të thotë shumë për ata që e kuptojnë, sepse forca është e mbledhur në një vend dhe mund të jemi konfederata më e fuqishme në regjion të Ballkanit. Por ka disa sindikata, që normal që mendojnë se funksionojnë sepse kanë mjete, kanë të anëtarësuar shumë, kanë punëtorë që punojnë shumë”, thotë ai.
Megjithëse i pari i sindikatës Haxhi Arifi kërkon gjithmonë që të zbatohet ligji i punës, ai si duket është ka e thyen vetë, pasi që me 1 Korrik i ka mbushur 65 vjet dhe se ende nuk ka dhënë dorëheqje.
Arifi, prapa kamerave thotë se kryetari i sindikatës nuk e ka një moshë të caktuar se deri kur mund të qëndrojë në atë pozitë, ndërsa për anëtarë të bordit të AKP-së thotë se e ka mandatin deri në shkurt të 2015./kosovapress/