Arifi prioritet i jep rregullimit të shtratit Morava

/ 3 minuta lexim
KKVITI

Gjilan – Ne si institucione Komunale e mbështesim një projekt të tillë të bërë nga Drejtoria e Bujqësisë dhe Ministria e Bujqësisë, por problem thelbësor për fermerët tanë paraqet shtrati i lumit “Morava” dhe përroskave të cilat kohë pas kohe shkaktojnë vërshime duke dëmtuar rëndë kulturat bujqësore ka thënë Arifi.

Kryetari i Komunës së Vitisë Nexhmedin Arifi së bashku me Drejtorin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural Avni Misini kanë pritur sot një delegacion të Ministrisë së Bujqësisë ku është diskutuar lidhur me një projekt të përbashkët që parasheh komasacionimin e 22 hektarë tokë në fshatin Pozheran të Vitisë.

Arifi ka thënë se komasacioni është në interes të fermerëve vitias. Arifi theksoi se fermerët vitias janë të fyer , por se problem për fermerët paraqesin vërshimet e kohë pas kohshme që ndodhin për shkak të shtratit të lumit dhe përroskave. “Ne si institucione Komunale e mbështesim një projekt të tillë të bërë nga Drejtoria e Bujqësisë dhe Ministria e Bujqësisë, por problem thelbësor për fermerët tanë paraqet shtrati i lumit “Morava” dhe përroskave të cilat kohë pas kohe shkaktojnë vërshime duke dëmtuar rëndë kulturat bujqësore , por edhe shtëpitë e qytetarëve tanë, për këtë ne kemi hartuar një projekt për rregullimin e këtyre shtretërve i cili është dorëzuar edhe Komisionit Evropian dhe shpresojmë se ky projekt do të gjejë mbështetjen e duhur pasi është në interes e të gjithëve “ u shpreh Arifi.

Arifi është zotuar se Institucionet Komunale të Vitisë do të jenë në gjendje gatishmërie që të bashkëpunojnë ngushtë me të gjithë me qëllim të zhvillimit të sektorit të Bujqësor .

UBT

Ndërsa Hysni Thaçi Drejtor i Departamentit të Bujqësisë tha se ky projekt do të jetë model për Komunat e tjera, ndërsa potencoi se fermerët vitias sipas tij janë të njohur në sektorin e bujqësisë dhe se ky projekt do t`i lehtësojë atyre zhvillimin e kulturave bujqësore.

Thaçi shtoi se Ministria e Bujqësisë do të shikon të gjitha mundësitë që të zgjerohet bashkëpunimi me këtë komunë me qëllimin me të mirë që të mbështetën fermerët. Ndërsa Drejtori i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural Avni Misini duke e folur rreth rëndësisë së këtij projekti tha se me këtë projekt parashihet komasacionimi i 22 hektarëve tokë në lokalitetet e Pozheranit dhe se shumica e fermerëve janë të pajtimit që të implementohet ky projekt. “Kemi pasur 10 takime me fermerët dhe pothuaj se të gjithë kanë shprehur gatishmërinë që të realizohet ky projekt” u shpreh Misini.

Ndërsa Idriz Gashi nga Ministria e Bujqësisë tha se kjo Ministri qëllimisht ka përzgjedhur Vitinë për këtë projekt pasi sipas tij toka në këtë vend është një ndër tokat e cilësisë me të lartë në Kosovë.

Ai shtoi se kjo komunë ka një Plan Zhvillimor Komunal të detajuar dhe se sipas tij edhe Institucionet Komunale kanë interesim për të zhvilluar sektorin Bujqësore./rajonipress/