ARKATANA

Arbër Emini: Kllokoti meriton investime për të gjithë qytetarët, jo bllokada që rrezikojnë jetën dhe zhvillimin

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Kllokoti, si një komunë multietnike ku bashkëjetojnë shqiptarë, serbë dhe komunitete të tjera, duhet të jetë shembull i barazisë në investime publike dhe në ofrimin e shërbimeve për çdo qytetar, pa dallim përkatësie etnike. Kështu ka deklaruar Arbër Emini, i cili ka reaguar lidhur me bllokimin e disa projekteve të rëndësishme infrastrukturore dhe shëndetësore, duke theksuar se interesi publik duhet të jetë mbi çdo interes tjetër.

Sipas Eminit, çdo investim publik duhet t’u shërbejë të gjithë qytetarëve, duke garantuar ujë të pijshëm, infrastrukturë moderne, rrugë të rregulluara, ndriçim publik, trotuare dhe shërbime shëndetësore cilësore.

Ai ka ngritur shqetësimin se qytetarët e Kllokotit, në raste urgjente, shpesh detyrohen të presin autoambulancën nga Vitia ose Gjilani, duke theksuar se në mjekësinë emergjente çdo minutë është jetike dhe mund të bëjë dallimin mes jetës dhe vdekjes.

“Prandaj, mungesa e një autoambulance funksionale në komunë prek drejtpërdrejt interesin publik dhe qasjen e qytetarëve në shërbime shëndetësore”, ka theksuar ai.

Emini ka bërë të ditur se, sipas tij, janë refuzuar ose bllokuar investime me rëndësi të veçantë për komunën, përfshirë projektin e ujësjellësit në vlerë mbi 2.6 milionë euro, sigurimin e një autoambulance në vlerë mbi 100 mijë euro, si dhe investime në asfaltimin e rrugëve, ndriçimin publik, trotuaret dhe rrugët bujqësore, me një vlerë që tejkalon 1 milion euro.

ARKATANA

Ai vlerëson se çdo zyrtar publik që merr vendime në dëm të interesit publik ngre dyshime serioze për shkelje të ligjit, pasi, sipas tij, preket drejtpërdrejt e drejta e qytetarëve për shëndet dhe shërbime publike.

“Institucionet publike kanë detyrimin të sigurojnë qasje të barabartë në shërbimet shëndetësore, të mbështesin zhvillimin e kapaciteteve të sistemit shëndetësor dhe të mbrojnë shëndetin publik përmes organizimit dhe ofrimit të shërbimeve cilësore. Askush nuk ka të drejtë t’i privojë qytetarët nga projektet që mbrojnë jetën, shëndetin dhe zhvillimin e komunës”, ka deklaruar ai.

Në fund, Emini ka theksuar se jeta dhe shëndeti i qytetarëve nuk duhet të kenë ngjyrë politike apo etnike.

“Shqiptarët, serbët dhe të gjitha komunitetet e tjera në Kllokot kanë të drejtë të jetojnë me dinjitet, të kenë ujë të pijshëm, rrugë moderne, ndriçim publik dhe një autoambulancë që u përgjigjet në kohë, kur çdo sekondë mund të shpëtojë një jetë. Transparenca, përgjegjësia dhe llogaridhënia janë detyrim ndaj çdo qytetari”, ka përfunduar Arbër Emini./rajonipress/