RCCOLA

Arber Bullakaj, kandidati i vetëm shqiptar

/ 3 minuta lexim

„Për një qytet të bukur“, është motoja e kandidatit të vetëm shqiptar, Arber Bullakaj, i cili garon në zgjedhjet lokale në St.Gallen për asamblenë e qytetit të Willit, që do të mbahen më 23 shtator.

Politikani me prejardhje nga Kosova tha se nëse zgjedhet deputet i qytetit të Willit do të angazhohet për të avancuar pozitën e komunitetit shqiptar.

Ai tha se do të jetë edhe më i zëshëm kur vjen në shprehje ndarja e shkollave ndërmjet të huajve dhe zviceranëve.

„Objektivi im i parë është t’i ndaloj padrejtësitë që po u bëhen të huajve, sidomos shqiptarëve. Nuk do të lejoj ndarjen e shkollave për fëmijët zviceranë dhe fëmijët shqiptarë. Do të angazhohem të mos ketë ndarje të ndërtesave të banimit, ku vendësit mendojnë se në një ndërtesë banimi është e ndaluar të jetojnë edhe të huajt“, tha Bullakaj.

26-vjeçari tha se do të angazhohet politikisht që komuniteti shqiptar të jetë më i integruar në shoqërinë zvicerane.

Politikani shqiptar ka kërkuar edhe votën e shqiptarëve, me premtimin se do të krijojë një urë lidhëse ndërmjet zviceranëve dhe shqiptarëve për t’i afruar njërin me tjetrin, që të ndjehen më të sigurt dhe të barabartë.

„Jam i bindur se shqiptarët në këtë qytet do të kenë më shumë lehtësi në zgjedhjen e problemeve të tyre në komunë, sepse do të jem unë ai që do t’i përfaqësoj interesat e tyre“, tha Bullakaj.

Eco Higjiena

Bullakaj me origjinë nga Prizreni ka thënë për albinfo.ch se në Partinë Socialiste është inkuadruar për faktin se ajo është njëra ndër partitë që ka mbrojtur interesat e komunitetit shqiptar.

“Partia Socialiste i përkrah të huajt këtu në Zvicër. Në këtë parti të huajt gjejnë më shumë respekt sesa në partitë e tjera. Angazhohen për pozitën e të huajve në këtë vend dhe për të drejtat e tyre, po ashtu edhe kanë në fokus mjedisin për një qytet me më shumë gjelbërim sesa ndërtime dhe rrugë”, e arsyeton angazhimin e tij politik në PS politikani shqiptar me prejardhje nga Kosova.

Në Will jetojnë një numër i madh i shqiptarëve dhe deri tash nuk i ka përfaqësuar anjë shqiptar interesat e tyre në parlamentin komunal të këtij qyteti.

Prej kandidatëve në qytetin e Willit në listën numër 1 të PS-së Arbeni radhitet i 10-ti, që do të thotë se gëzon mbështetje brenda partisë.

Arber Bullakaj, 26-vjeçar nga Prizreni, jeton në qytetin e Willit që nga mosha 9-vjeçare. Ai ka të kryer shkollën ekonomike. Aktualisht vepron dhe jeton në po të njëjtin qytet së bashku me familje.

Arberi ka nisur të merret në mënyrë aktive me politikë në PS para 5 vjetësh.