Arben Gashi: Nuk folëm për postin e kryeministrit
Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, i cili ditë më parë ka dalë hapur kundër idesë që kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj të jetë kryeministër.
Ai kishte thënë së ideale do të ishte që kryeministër të jetë kreu i LDK-së, Isa Mustafa, kurse Albin Kurti dhe Ramush Haradinaj të marrin pozitat e zëvendëskryeministrave.
Pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të LDK-së, ku përmes një komunikate u tha se ky grup është unik, Arben Gashi për Indeksonline ka thënë se në mbledhjen e sotme të GP-së nuk është diskutuar kjo çështje.
Ai tha se në këtë mbledhje ka përkrahur bashkëpartiakët për vijimin e seancës konstituive, derisa ka bërë me dije se nuk është diskutuar për emra dhe ndarjen e posteve qeveritare.
“Siç e keni parë edhe në komunikatën e lëshuar nga LDK-ja, në mbledhjen e deputetëve të partisë është diskutuar për përgatitjet lidhur me vijimin e seancës së ardhshme konstituive, por nuk janë përmendur emra për kryeministër”, ka thënë Gashi.
Kundër Haradinajt kryeministër sot ka dalë edhe deputeti tjetër i LDK-së, Armend Zemaj. /Indeksonline/


