Fundamenti

Aprovohet raporti financiar, opozita braktisë seancën

/ 11 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Këshilltarët komunal pa votat e LDK-së e kanë aprovuar raportin financiar të paraqitur nga Nuhi Nuhiu. Derisa pozita tha se raporti është shumë profesional, për opozitën raporti ka mangësi dhe pasaktësi.

Në seancën e sotme të KK-së që për rend të ditës kishte të vetmen pikë – raporti financiar për vitin 2012, kryesuesi i Kuvendit Izmi Zeka e ka njoftuar Kuvendin për vendimin e tërheqjes nga pozita e këshilltarit Komunal të Sami Hoxha i cili ka marrë përgjegjësi tjetër në Komunë si drejtor i shkollës së mesme të Gjimnazit “Zenel Hajdini”.

Fillimisht për raportin financiar 2012 ka raportuar përpiluesi Nuhi Nuhiu, drejtor i drejtorisë komunale për buxhet dhe financa, i cili ka vlerësuar se ky raport paraqet aktivitetin gjithëpërfshirës të qeverisjes komunale.

Buxheti i shpenzuar për vitin 2012 është 98.17 %, shpenzim ky sipas planifikimit për vitin 2012. Nga të hyrat vetanake janë realizuar 96.57% e planifikimit dhe siç shihet nga mbetja kemi ngecje te të hyrat nga gjobat në trafik, për shkak të një vendimi të qeverisë që ekzekutimi i pagesave nga kjo kategori të mos bëhet në vendin e ngjarjes, por përmes gjykatës.

Vetëm te tatimi në pronë kemi realizim 99.26%, ndërkaq drejtori Nuhiu potencoi edhe bartjet e obligimeve nga viti paraprak që e kanë ngarkuar pozicionin e obligimeve për vitin raportues.

Drejtori Nuhiu më tej ka specifikuar shpenzimet nga grantet, participimin e qytetarëve dhe donatorëve, duke dhënë kështu shpenzimet analitike në mënyrë të detajuar, për çdo kategori shpenzuese për të cilat i njoftoi këshilltarët komunal se kanë një volum prej 400 faqesh dhe do t’i kenë së shpejti në dispozicion. Meqë këtë raport këshilltarët komunal e kishin marrë me kohë drejtori Nuhiu, diskutimin dhe komentet i la në dispozicion të vetë këshilltarëve.

Në emër të grupit të Këshilltarëve të LDK-së rreth raportit ka diskutuar, Zijadin Maliqi, i cili ka dhënë vërejtje në të hyrat për të cilat ka thënë se kanë një shmangie prej 3.5%. Ndërsa ai u fokusua tek të hyrat nga lejet për punë, që sipas tij shifra prej 56 mijë euro të hyra nga kjo kategori nuk përputhet me numrin e bizneseve të regjistruara për këtë vit në Komunën e Gjilanit. Ndërkaq te shpenzimet në krahasim me vitin paraprak, del një shpenzim më i madh prej 53% më tepër se planifikimi, duke dhënë vërejtje në pagesën sipas kodeve buxhetore, joadekuate për këto kategori të shpenzimeve. Ai në diskutimin e tij ka përmendur disa kode buxhetore me shpenzime të mëdha për të cilat ka kërkuar shpjegim si te shpenzimet jashtë vendit, të telefonisë, furnizimet për zyre, derivatet, mirëmbajtjen dhe riparimit të veturave, derisa ka thënë se ka rënie te shpenzimet për dreka zyrtare, por janë shënuar rritje në ushqim dhe pije.

Maliqi si edhe disa këshilltarë të tjerë të LDK-së kanë dhënë vërejtje te pasqyrat e investimeve kapitale nga drejtoria e prokurimit, për të cilat ka thënë se komuna ka ngecë në zhvillim nga viti 2009 që sipas tij akoma ka projekte të pakryera. Maliqi tha se ka shkelje të ligjit mbi prokurimin, ka vonesa të punimeve në disa projekte dhe ka borxhe të shumta. Investimet kapitale janë të pafalshme sepse është anashkaluar Anamorava tha Maliqi. Sipas tij me këto shkelje e me kot borxhe vështirë se mund të ketë sukses e progres qeverisja komunale.

Këshilltari tjetër poashtu nga tabori opozitar (AAK) Sokol Haziri, duke iu referuar raportit në fjalë ka thënë se parimisht AAK, mbanë qëndrimin se ky buxhet është buxhet i varfërisë. “Është një dukuri e rëndë, jo krejt me fajet e komunës, por për shkak edhe të buxhetit të Kosovës. Me këto kapacitete buxhetore Komuna ka tentuar të bëjë një destinim të kulturuar të buxhetit komunal. Derisa ka kërkuar një sqarim lidhur me detajet për bartjen e borxheve të mbetura nga e kaluara”.

Në fund Haziri ka dhënë disa sugjerime, që në të ardhmen raporteve financiare t’u bashkëngjiten edhe raportet e auditorit, shpenzimet të ulen në masën e vlerave të toleruara, investimet të kenë një shtrirje më të gjerë etj.

Edhe këshilltari tjetër i LDK-së, Arben Mehmeti, ka kërkuar ofrimin e të gjitha sqarimeve për të shpenzimet për vitin 2012, duke vlerësuar se Gjilani sipas tij është në krizë të madhe të zhvillimit ekonomik dhe poashtu ka kërkuar nga drejtoria e Prokurimit të kenë Qasje në Kontratat për investime kapitale të lidhura mes Komunës dhe operatorëve ekonomik për të parë që siç tha ai planin dinamik për kryerjen e projekteve.

Sadudin Berisha (LDK), ka dhënë vërejtjet e tij lidhur me menaxhimin e buxhetit sepse sipas tij obligimet mbi 3 milion janë një vit buxhetor i Komunës. Edhe ky gjithashtu kërkoi planin dinamik të kontratave të Komunës me operatorët ekonomik për investimet kapitale. Me këtë rast Berisha këtë vit e vlerësoi të zbehtë sepse të gjitha të hyrat do të shkojnë tek borxhet e vitit 2012.

Këshilltari tjetër i KK-së, Abdyl Aliu, (LDK) tha se në zabelin e “Sahit Agës” nuk ka asnjë investim nga Komuna, ndërsa tërhoqi vërejtjen te qëndrueshmëria e projekteve duke vu theksin te fasadimi i objekteve dhe riparimet.

Nevzad Rushit, (LDK), edhe ky ngriti dhe dha vërejtje te investimet kapitale duke e vënë theksin në lagjen “dheu i bardhë” prej nga vije edhe vet ai që sipas tij për kohë të gjatë nuk ka pasur investime, ndërsa kritikoi komunën për disa projekte të realizuara, që sipas tij nuk kanë qëndrueshmëri (lumi baja, trotuari në rrugën Mulla Idrizi, trotuari në rrugën qarkore etj) .

Eco Higjiena

Ndërsa këshilltarja, Bahrije Veseli, (LDK), tha se shpenzimet në mallra dhe shpenzime janë të larta e që sipas saj duhet të ketë një shpërndarje më të mirë. Ajo kritikoi vendosjen e një kiosku në parkingun e shkollës “Abaz Ajeti”, ndërsa kërkoi edhe një informacion lidhur me kontratat në vepër, sa punëtor ka dhe si po paguhen ato.

Në anën tjetër shefi i grupit të këshilltarëve të PDK-së Ejup Haziri, tërhoqi vërejtjen se dy fusha të veprimit në Kuvendin Komunal, GK të PDK-së është në fushën e veprimit praktik.
Poashtu edhe këshilltari Ramiz Ramadani(LDK), pothuajse ka paraqitur të njëjtat vërejtje sikur edhe kolegët e tij nga (LDK) si ulja drastike e subvencioneve, shpenzime të tepërta në kategori të caktuara si; në ngrohje nëpër shkolla etj.

Nga ana tjetër Arben Maliqi (AKR), ka kërkuar mirëkuptim nga këshilltarët e kuvendit duke e pas parasysh buxhetin e varfër të Komunës i cili nuk e ka hedh fajin te kryetari i Komunës por te përfaqësuesit e Komunës në pushtetin qendror, të cilët sipas tij nuk e kanë ndihmuar Komunën e vetë. Ai tha se duhet të vlerësohen edhe punët e mira që janë bërë në këtë Komunë “është e vërtetë që kemi borxhe, por me ato borxhe janë kryer punë në të mirë të qytetarëve të Komunës sonë”, tha Maliqi duke kërkuar bashkëpunim me të gjithë në të mirë të Komunës dhe qytetarëve të saj.

Ndërsa, Arianit Sllamniku (G3), nuk u përqendrua edhe aq në raportin financiar të 2012, por më shumë u fokusua në politikat strategjike të investimeve nga jashtë, prej investitorëve të ndryshëm të BE-së, ndërsa kritikoi zyrën e projekteve për “joprofesionalizëm”.

Tek investimet në fushën e shëndetësisë Jashar Jashari (LDK), kërkoi sqarim për llojin e investimeve tek shpenzimet kapitale për shëndetësi (pajisje specialistike mjekësore).
Vërejtje të aspekteve të ndryshme në raportin financiar kanë dhenë edhe Saranda Bllaca (LDK), Ibish Ibishi (AAK) si lidhur me kontratat në vepër, përkatësisht për disa projekte infrastrukturore.

Pas të gjitha këtyre diskutimeve kryesuesi i Kuvendit Izmi Zeka, e vlerësoi raportin si shumë profesional dhe të detajuar, ndërsa tha se gjendja është ndryshuar për të mira dhe më mirë se ne qytetarët e vlerësojnë punën tonë e cila ka ndryshuar për të mirë pa krahasimisht.

Lidhur me pyetjet dhe sqarimet e këshilltarëve nga opozita drejtori i Buxhetit Nuhi Nuhiu ka dhënë përgjigjet në mallra dhe shpenzime që këtë vit kemi qenë më të kujdesshëm, në shpenzime të karburanteve, dreka zyrtare, telefoni, shpronësime të ndryshme etj.
Ndërsa Bujar Nevzati, drejtor i Drejtorisë Komunale të Arsimit, tha se për vite të tëra një pronar i kioskës, te shkolla “Abaz Ajeti” ku për 4 vite ka dhënë qera drejtoreshës së kësaj shkolle Bahrije Veseli.

Ai poashtu tha se ka shumë keqpërdorime që nga tërmeti kur ka qenë në atë qeverisjen e LDK-së. Ne jemi shumë të qetë në qeverisje, dhe nuk ka qytetarë në Gjilan që nuk e shikojmë në sy, sepse kemi punuar njëtrajtshëm për të gjithë qytetarët barabarësisht.

Pas deklaratave të drejtorit të Arsimit në Gjilan, LDK-ja e ka lëshuar seancën e Kuvendit, ndërsa fjalën e ka vazhduar kryetari i Komunës Qemajl Mustafa, i cili tha se buxhetet e komunave tona janë operuese, por jo zhvilluese, zhvillimi vjenë nga qeveria dhe donatorët, të cilët në komunën e Gjilanit janë shumë të vlefshëm e të cilët kanë sjell miliona në Gjilan, si projekti i “Gjilanit 5”, bibliotekës regjionale, rezervuarit në kodrën e dëshmorëve, stadiumin ndihmës që nis nesër etj. kryetari tha se obligimet në vitin 2012 janë ato në raport, por obligimet për projektet e përfunduara janë shumë më të vogla. Ndaj shtrohet pyetja edhe për opozitën se a është bërë gabim që kemi nisur punët në shërbim të qytetarëve. Tani obligimet te investimet kapitale janë rreth 660 mijë euro, prej 1.7 milion sa ishin në fund të vitit 2012, kështu ka edhe rënie të tjera të borxheve dhe vijmë aty diku nën 2 milion euro.

Poashtu duhet të kihet parasysh se punësime të reja nuk ka, ndërsa në anën tjetër është rritur sipërfaqja e hapësirës shkollore, e gjelbërimit, si dhe mirëmbajtja e rrugëve është është tani krejt me kilometra tjera sepse janë shtruar rrugë të tëra.

Mustafa tha se deklarimet e opozitës janë kryesisht më tepër tendencioze për të deklaruar më shumë diçka për opinion se sa për të kontribuar në raportin e financave. Gjithçka që është punuar në këtë komunë është e arkivuar diku, ndaj edhe ata që para nesh ishin në pushtet. Dhe LDK – ja sot lëshoi seancën, mirëpo ata sot akuzojnë , por duhet të kthehen nganjëherë mbrapa dhe të shikojnë minat që i kanë vendosur më parë, e që frikësohem se do të binë vet në to. Por kur opozita thotë është bërë shumë shpenzim, duket të ofrojnë edhe opsionin se sa duhet të shpenzohet, por kjo nuk ndodhi, dhe është më tepër një fjalim kuturu.

Ndërsa sa i përket deklarimeve të Arianit Sllamnikut, ai tha se është një manipulim që i ofrohet kuvendit, sepse nuk ka investitor që është larguar nga Gjilani për shkak të neglizhencës së Komunës, ndërsa sa i përket lumit Baja nuk po ndodh mbulimi i saj , por do të ndodh rregullimi e pastaj në disa sektor edhe asfaltimi i saj, sa i përket gatishmërisë për të komunikuar me investitor gjithnjë e bëjmë maksimumin ne si komunë që të thithim investime. Janë dy kategori të njerëzve që e prishin kuvendin dhe demokracinë e tij, janë ata që dinë e nuk flasin dhe ata që nuk dinë e flasin, kështu kuturu.

Raporti i financave ka kaluar me shumicë votash dhe me tri abstenime. /rajonipress/