RCCOLA

Aprovohet raporti financiar janar – mars 2013

/ 3 minuta lexim

Gjilan – Kuvendi Komunal ka miratuar edhe raportin financiar për periudhën janar-mars 2013, por pa votat e LDK-së. Nuhi Nuhiu, drejtor për Buxhet dhe Financa, ka thënë se shpenzimet e kësaj periudhe janë 4.227.518 euro, prej të cilave mbi një milion janë investime kapitale, rreth 139 mijë euro janë subvencione, 141 mijë euro janë shpenzime komunale, ndërsa të tjerat janë paga për punëtorët e shërbimit civil, arsimor dhe shëndetësor.

Sipas tij, 73 për qind e shpenzimeve të këtij tremujori janë pagesa për borxhet e kaluara, ndërsa 27 për qind janë obligime të këtij viti. “Gjatë kësaj periudhe ka pasur zvogëlim të shpenzimeve”, ka thënë ai.

Të hyrat vetanake në këtë periudhe janë realizuar rreth 21 për qind, përkatësisht janë inkasuar 739.838 euro, ka thënë Nuhiu, duke shtuar se kohëve të fundit ka një përmirësim të dukshëm dhe është shfaqur optimist se plani vjetor prej 3.6 milionë euro, do të realizohet deri në fund të vitit.

Edhe te tatimi në pronë, gjendja është shumë më e mirë, ndonëse borxhet e mbetura nga vitet e kaluara arrijnë në 7 milionë euro. Ai ka sqaruar se 5 milionë janë obligime bazë, ndërsa 2 milionë të tjera janë kamata ndëshkuese për vonesa në kryerjen e obligimit, që shumë shpejt do të bëhet në formë të detyrueshme për të gjithë të punësuarit në sektorin shtetëror.

Zijadin Maliqi (LDK) tha se vërejtjet e opozitës janë te shpenzimet dhe kërkoi të dijë sa janë obligimet e mbetura nga viti i kaluar. Sokol Haziri (AKK) kërkoi listën e operatorëve ekonomikë, të cilëve komuna u ka borxhe, ndërkohë që tha se sivjet duhet t`iu jepet më shumë prioritet investimeve. Arben Mehmeti (LDK) ka thënë se sinjal i keq është se sivjet nuk pritet të ketë investime, por më tepër larje të borxheve.

Mobi Casa

Sa u përket ankesave të punëtorëve arsimorë ndaj paralajmërimit për bllokimin e llogarive bankare, në rast se kanë obligime të pakryera ndaj tatimit në pronë, që si çështje e ngriti Tahir Arifi (PDK), Qemajl Mustafa, kryetar i Komunës, ka thënë se vetëm 30 për qind të obliguesve tatimorë i kryejnë obligimet e tyre në mënyrë të vullnetshme, prandaj është vlerësuar e arsyeshme që të mendohet për një formë të tillë, që është plotësisht ligjore.

Ai premtoi se do të jenë tolerant ndaj familjeve të stërngarkuara me obligime, por nëse ofrojnë arsye të qëndrueshme. Mustafa ka kërkuar nga këshilltarët komunalë që askush të mos solidarizohet me ata që nuk kryejnë obligimet, sepse ky solidaritet e qon shtetin në varfëri dhe anarki.

Kuvendi miratoi edhe vendimin për shpalljen e interesit të ligjshëm publik të një sipërfaqe prej 69 ari në Shurdhan, që është e nevojshme për realizimin e projektit të shkollës së re, i cili financohet nga Komisioni Evropian, në vlerë prej 668 mijë euro. Arsyetimin e ka paraqitur Sali Fazliu nga drejtoria e Kadastrës.

KK miratoi edhe kërkesën për ridestinimin e mjeteve në vlerë prej 120 mijë euro për nevoja të palestrës sportive dhe të terreneve sportive, të cilat ishin planifikuar për Bibliotekën e qytetit, por ky projekt, i cili investohet nga Komisioni Evropian, ka ngecje në realizim./rajonipress/