UBT

Apostolova: Politikanët të mos mbajnë peng të rinjtë e Kosovës

/ 2 minuta lexim
Uji Dea

Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova të martën tha se është kundër dërgimit të demarkacionit në Gjykatën e Arbitrazhit, pasi që kjo çështje është zvarritur dhe duhet të zgjidhet.

Kështu deklaroi ajo në tryezën e rrumbullakët për statusin aktual të mbrojtjes së sinjalizuesve, ku apeloi udhëheqësit e institucioneve të Kosovës që të sigurojnë argumentet e nevojshme me të cilat ata do të kërkojnë heqjen e regjimit të vizave për Kosovën.

“Ne iu bëjmë thirrje institucioneve të Kosovës që të sigurojnë për ne argumentet e nevojshme me të cilat ne, komisioni dhe shërbimet do të dalin përpara shteteve anëtare të BE-së dhe me të cilat ata do të kërkojnë heqjen e regjimit të vizave për Kosovën. Pra dje, kalimi i këtyre dy dokumenteve siç edhe ministri Tahiri na përkujtoi, është një hap shumë i rëndësishëm sepse tani procesi është duke vazhduar, Kuvendi, anëtarët e Kuvendit, në njërën anë do të kenë marrëveshjen e demarkacionit të kufirit e cila tashmë ekziston si propozim, dhe në anën tjetër do kenë argumentet e komisionit të sapoformuar”, u shpreh Apostolova.

RCCOLA

Ajo përsëriti se problemi i demarkacionit nuk duhet të zgjatet më shumë pasi që qytetarët e Kosovës meritojnë lëvizje të lirë.

“Dua t’iu kujtoj edhe njëherë që demarkacioni i kufirit me të vërtetë thelbësor për t’u zgjidhur. Nuk dua që politikanët të mbajnë peng të rinjtë e Kosovës, një rini fantastike që meriton lëvizje të lirë, që ndoshta nuk iu kujtohet konflikti dhe duan të jenë pjesë e Evropës. Kërkoj nga të gjithë ata që do ta kenë rastin të votojnë të kenë këtë në mendje”, tha Apostolova.