Apel i ish luftëtarëve të UÇPMB-së

/ 3 minuta lexim
Eco Higjiena

Gjykimi dhe dënimi i 11 shqiptarëve të Kosovës Lindore, nga Gjykata Supreme e Beogradit, me 116 vjet burgim, vjen pak ditë pas takimit që zhvilli në Vranjë, deputeti jolegjitim Riza Halimi dhe Ivica Daciq, kryeministër dhe ministër i punëve të brendshme të Serbisë.

Ky dënim absurd, si në kohën e Millosheviqit dhe takimi sekret i “deputetit” me ministrin e punëve të brendshme të Serbisë, për ta rrëzuar pushtetin komunal në Bujanoc, në favor të Partisë për Veprim Demokratik, e cila humbi në zgjedhjet e 6 majit, paraqet provokimet më të rënda që ka përjetuar popullata shqiptare e Kosovës Lindore në këto 50 vjet e fundit.

Ne ish luftëtarët e UÇPMB-së, kërkojmë nga faktorët politik shqiptar, të jenë të kujdesshëm ndaj veprimeve të dëmshme dhe të rrezikshme të Riza Halimit dhe Ivica Daciq, të cilët jo vetëm që burgosin shqiptarët, por këto ditë po përgatisin Referendumin për deklarimin e Serbisë se a është për Kosovën apo Serbinë se dhe kanë lansuar opsionin për ndarjen e veriut të Kosovës.

Një kërkesë e veçantë i drejtohet Lëvizjes së Progresit Demokratik, e dalë nga strukturat udhëheqëse të ish UÇPMB-së, kryetari i së cilës ka qenë shef politik i kësaj ushtrie çlirimtare, të distancohet nga politika diskriminuese e PVD-PSS, të cilat shpesh thirren se kanë për krah këtë subjekt politik dhe ish ushtarët e UÇPMB-së.

Mobi Casa

LPD si trashëguese e ideale të UÇPMB-së nuk guxon t’i bëhet çadër një subjekti PVD-së dhe Këshillit Nacional jolegjitim, i cili haptas po bashkëpunon me Ivica Daciqin dhe partinë e tij PSS për ta destabilizuar situatën në Kosovën Lindore dhe për t’i bllokuar proceset demokratike në rajon.

Ne ish luftëtarët e UÇPMB-së, apelojmë te faktorët shqiptarë në përgjithësi dhe te ndërkombëtarët, që të bëjnë trysni te Beogradi, për t’mos luaj me ndjenjat tona dhe vullnetin tonë të shprehur me Referendumin e 1 dhe 2 marsit 1992 për bashkim me Kosovën, pastaj me luftën dhe Marrëveshjen e Paqësore të Konqulit.

Nëse kështu vazhdon Beogradi me ne, shumë shpejt Kosova Lindore, do të destabilizohet e më këtë do të bllokohen proceset e dialogimit Prishtinë-Beograd si dhe do të kthehen prapa të gjitha proceset për stabilizimin e situatës politike dhe të sigurisë edhe ashtu të brisht në Luginën e Preshevës, thuhet në Apelin e ish ushtarëve të UÇPMB-së transmeton ternocipress.