HIDROMORAVA

Antikorrupsioni kërkon shkarkimin e Ejup Qerimit

/ 3 minuta lexim
ARKATANA

Bordit të Drejtorëve të Postë-Telekomit të Kosovës (PTK) javën e kaluar edhe zyrtarisht i ka arritur kërkesa e kreut të Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsionit (AKKK), Hasan Preteni, që ta shkarkojnë kryeshefin ekzekutiv, Ejup Qerimi, për konflikt interesi.

Kjo agjenci në fillimit të muajit të kaluar, pas hetimeve disamujore, kishte marrë vendim se ekziston konflikt interesi në ushtrimin e funksionit nga Ejup Qerimi si anëtar i Bordit të Drejtorëve në Trustin e Kursimeve Pensionale të Kosovës (TKPK) dhe drejtor ekzekutiv në PTK.

Kërkesën drejtuar Bordit për shkarkim të Qerimit e konfirmon edhe Preteni.

“Në fund të javës së kaluar i kam dërguar zyrtarisht letër Bordit të Drejtorëve të PTK-së për shkarkimin e kryeshefit ekzekutiv, Ejup Qerimi. Tashmë po pres përgjigje nga Bordi”, pohon Preteni për “Zërin”, duke shtuar se pa e marrë përgjigjen nga Bordi nuk ndërmerr hapa të mëtutjeshëm, të cilët parashihen me ligj.

Njëkohësisht agjencia ka filluar procedurën për kundërvajtje në gjykatën kompetente për shkak se, siç thotë Preteni, Qerimi nuk është treguar bashkëpunues me agjencinë, ku dënimet financiare shkojnë prej 500 në 2500 euro.

Përndryshe, agjencia ka hapur këtë rast nën dyshimin e bazuar për konflikt interesi në ushtrimin e funksionit publik me nr. AKK-03-680-12 për zyrtarin e lartë Ejup Qerimi, anëtar i Bordit të Drejtorëve të Trustit dhe njëkohësisht kryeshef ekzekutiv në PTK, i cili është trajtuar sipas procedurës së paraparë ligjore për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik.

Pas trajtimit të rastit, agjencia ka konstatuar se zyrtari i lartë ushtron njëkohësisht dy funksione të larta publike.

ARKATANA

Ejup Qerimi më 11 maj 2012 i kishte kthyer një shkresë zyrtare Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsionit, ku pretendonte se ushtrimi paralel i këtyre dy funksioneve nuk paraqet konflikt interesi. Agjencia e kishte trajtuar këtë argument të Qerimit, por përsëri është rikonfirmuar se kjo përbën konflikt të pastër interesi.

Qerimit i ishte kërkuar që brenda afatit të përcaktuar të vendosë se cilin funksion dëshiron ta mbajë, e nga cili dëshiron të heqë dorë, dhe për vendimin e tij përfundimtar ta njoftojë agjencinë.

Sipas agjencisë, Qerimi ka shprehur gatishmëri të bashkëpunojë me ta, mirëpo edhe përkundër paralajmërimit që të heqë dorë nga njëri funksion, ai edhe më tutje vazhdon t’i ushtrojë dy funksionet njëkohësisht, që sipas Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik Nr. 04/L-051, pika 1, konsiderohen të papajtueshme dhe paraqesin konflikt interesi.

Gazeta “Zëri” të martën ka provuar ta kontaktojë nëpërmjet telefonit për këtë çështje kreun e Bordit të Drejtorëve të PTK-së, Rexhë Gjonbalajn, mirëpo ky i fundit nuk është përgjigjur fare në telefon.

Në deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kosovare Kundër Korrupsionit, Ejup Qerimi, ka bërë të ditur se ushtron funksionin e kryeshefit ekzekutiv të PTK-së, prej 23 shkurtit 2012, dhe anëtarit të Bordit të Drejtorëve të TKPK-së, prej 17 qershorit 2011.

Nga PTK-ja ai ka deklaruar 50 mijë euro të hyra vjetore, apo mbi 4100 euro në muaj dhe 15 mijë euro nga Trusti, apo 1250 euro në muaj.