Anteizmi poetik

Nga Shefqet Dibrani – Sabit Rrustemi, „Në fytyrën e një gjethi“, poezi, botoi Sh. B. “Beqir Musliu”, Gjilan 2012, faqe 160.
PËRVJETOR POETIK
Sabit Rrustemi, si askush tjetër nga shkrimtarët e brezit të vet ka ndërtuar individualitetin e tij krijues. Libri me poezi „NË FYTYRËN E NJË GJETHI“, ka një nëntitull sqarues, se të tëra këto poezi përbëjnë një (ditar përvjetorësh në mes dy nëntorësh), që simbolikisht flasin për këtë profilizim poetik, sepse “ditari poetik”, i Sabit Rrustemit përveç që ka 100 poezi për “100 Vjet Shqipëri”, janë të paktën edhe 35 gjethe dalluese të cilat simbolizojnë Vit-Hyrjen e poetit në këtë betejë të cilën si askush tjetër ai ka arritur ta sfidoj, e me këtë të fitoj famë dhe afirmim. Sidoqoftë, të tëra poezitë, që janë rrafsh 100 sish, janë të shkruara në mes datave 28 nëntor 2011 e 16 nëntor 2012, kurse libri përmbyllet me poezinë “Më 28 Nëntor 2012”, duke shënuar simboliken më të mirë për “Njëqindvjetorin – Shqipëri Poetike”, me të cilën Sabit Rrustemi ka bërë për vete një manifest antologjik.
MERITAT E LUFTËTARIT
Emri i tij, te Komuniteti Letrar i Kosovës u bë i njohur me bujë e potere. Buja e tij lidhet me guximin, “kur një pushtetari ia mori dorën e i tha/ bëma për hair Kosovën Republikë”, (f. 6), ndërsa poterja ka të bëjë me kastën politike të asaj kohe e cila (pa lidhje), u shqetësua nga publikimi i tregimit “Nën maskën e mysafirëve”, botuar më 1 prill 1981, në Revistën për Art – Kulturë e Letërsi “FJALA” që asaj kohe dilte në Prishtinë. Ndonëse qe thënë, se ishte një rrenë klluçe, a shpifje e autorit, pasi mysafirët nuk kishin ardhur në Kosovë me maska?!
Ata “mysafirë” i pat ftuar vet politika me maska e partiakëve të asaj kohe, ndërsa “në atë shtëpi/ as qeni s’e njihte ma të zonë/ a e dini si lehte në re/ me bisht mbi shpinë/ lamë e bëri Dardaninë”, (e përshtatur, f. 11). Por e vërteta doli në shesh vetëm disa muaj më vonë kur në Parkun e Gërmisë, (i cili shtrihet në verilindje të Prishtinës), pat ndodhur një përleshje në mes policisë speciale serbe dhe asaj sllovene. E, epilogu i këtij tregimi që u publikua në një ditë të shenjtë për rrena e gallata, nuk u la në mëshirën e shakasë a rrenës që mund t’i takonte datës simbolike “1 PRILL”, por strukturat e shqetësuara komuniste, madje disa prej tyre sot na janë konvertuar edhe në “demokrat”, përveç masave shtrënguese që i aplikuan për redaksinë e Revistës”FJALA”, për siç u tha gabimin ideologjik, autorit të tregimit, pas një muaji e 7 ditësh, do t’ia vejnë prangat, kurse një pjesë të rinisë së tij, ai do ta kalojë në flladinë!
Se ai tregim ishte më shumë se koincidencë, tash e kuptojmë nga vargjet e poezisë “NJË DOLLI E FLAMURIT”, kushtuar Ramadanit të Fazës nga Llashtica e Gjilanit i cili “atë kuti duhani kur ia zgjati gjykatësit/ dhe i mbajti plus edhe tridhjetë ditë/ aty skaj qendrës së Gjilanit në flladinë/ se ajo Kosova Republikë e gravuar/ shkëlqeu në tavolinën e tij…”, (f. 7). Po revista “FJALA” a nuk pat shkëlqyer mbi tavolinat e Komitetit Krahinor të LKJ-së, e gravuar nga titulli “Nën maskën e mysafirëve”, për të ndejtë pastaj edhe vet autori në “flladinë”, kurse pas “lirimit!”, gjatë, tepër gjatë do ta izolojnë nga jeta publike, madje sikur e kishin “internuar”, andej nëpër fshatrat e Karadakut.
S’ka dyshim, tashmë Sabit Rrustemit i takon merita për të marrë statutin e veteranit për luftën e tij të guximshme, dhe pa hezitim duhet t’u gëzohet të gjitha subvencionimeve që mund t’i ketë një luftëtar i privilegjuar, sepse përpjekjet e tij luftarake datojnë që nga ajo kohë e largët, bile në këtë plan, mesa di unë, ka qenë “Pushka e Parë” që ka krisur, qoftë edhe si satirë për ardhjen “miqësore” të policisë serbe e cila nën maskën e mysafirëve bënte batërdi mbi inteligjencën e Kosovës.
Në vëllimin poetik që po shqyrtojmë, këtë element poeti do t’ia atribuojë Heroit të Kosovës, Zahir Pajaziti, për të cilin pohon se “ishte hapi yt i parë/ që çeli shtegun”, (poezia: “NËPËR ATO GJURMË”, f. 138), një kësi lloj shtegu pat hapur edhe vet poeti i këtyre vargjeve, prandaj maksima letrare se poezia niset nga vetja do të sublimohet në vargjet e këtij poeti, qoftë përmes dy citime paraprake apo edhe elementeve të tjera që po i anashkalojmë, kurse Sabit Rrustemi, si poet humanist që është, ka dalë nga egoja e vet, për t’ua atribuuar meritat të tjerët!…
Janë këto arsye pse insistojmë se për këto merita të tij, më shumë se sa veteranëve të luftërave, i takon Komunitetit Letrar të Kosovës, për të agjituar dhe për të proklamuar punën e “Luftëtarit Sabit/ të cilit nuk i ka bërë syri vrik”, dhe bashkë me të, të gjej atë plejadë autorësh që me penën e tyre patën shqetësuar vazhdimisht strukturat politike të LKJ-së në Kosovë, dhe me krijimet e tyre, pse jo, ta bëjnë simbolikën e një libri të”luftëtarëve!” edhe të kësaj natyre.
LIDHJA ME VENDLINDJEN
Me sa di, hiç kohën e studimeve dhe pozitat e shkurtra që ka mbajtur në ndonjë funksioni administrativ në Prishtinë, (duke mos i përjashtuar edhe ato funksione kulturore që i ka ushtruar në Gjilan), Sabit Rrustemi tërë jetën e tij e ka kaluar në Zhegër, fshat ky piktoresk dhe i njohur që i takon Karadakut të Gjilanit, nga i cili poeti i merr dhe u jep frymëzim poezive të tija, tamam siç shprehet tek poezia kushtuar “Xun Çelikut prej Karadaku”, (f. 34 – 35), edhe vet poeti “sa në këmbë/ e sa mbi at/ le këtë mal/ e kap atë shpat/ shmang një pritë këtu/ tjetrën atje/ kalëroi nëpër Atdhe”, i sigurt se “rrëzë Çepurit heshtak”, (f. 29), “në secilën pore të trupit tënd/ një gjurmë kam lënë”, (poezia: “SE TË KAM ATDHE”, f. 27).
Ky poet, si askush tjetër, i ka kënduar me dashuri dhe frymëzim mjedisit ku “do të dalim pak/ për të parë çka ka nëpër Karadak”, (f. 62), dhe përveç poezisë, atje ka frymuar edhe familja e tij, e cila “nuk matet me nivelin e detit/ sall me thellësinë e shpirtit”, (f. 70). Poeti ka bërë shumë për ta, për t’u rritur ata dhe poezia, të cilët i ka përkëdhelur me dashuri të bollshme poetike, elemente këto që janë të ngjizura dhe kultivuara kudo në poezinë e tij, me një theks specifik edhe në përmbledhjen që ne kemi në shqyrtim: “Lule të njoma t’u këputën/ nga trupi yt rrodhi gjak i ri/ pjesë e kësaj dhembjeje/ jam dhe unë/ Shqipëri”, (f. 91).
ANTEIZMI POETIK
Ky element i lidhjes së poetit me vendlindjen dhe tokën e tij, në letërsi ka hyrë si “Miti i Anteut”. Ndërsa në mitologji për Anteun thuhet se sa herë e kanë vrarë e varrosur atë, Toka i ka dhënë shpirt atij, ku përsëri është ringjallur, tamam siç shkruan për vete poeti: “Po të mos ishte Dheu Yt/ ku do të prehej trupi im”, (f. 136).
Janë këto arsye pse mua më duket se pikërisht kjo zonë, kjo trevë dhe kjo tokë me të cilën si askush tjetër është i lidhur Sabit Rrustemi, ka krijuar një lloj “Anteizmi poetik”, përkatësisht u ka dhënë shpirt, ky poezive, kurse Kosova, këtij poeti i ka dhënë frymëzimin për të mbetur i gjallë, dhe për të shënuar edhe këtë “Përvjetor të 100 Poezive në një libër”!… në njërën anë, dhe në anën tjetër për t’i dalluar edhe ato “35 Poezi-Vite” që rrumbullakojnë krijimtarinë e tij tridhjetepesëvjeçare, që na kthejnë atëherë kur “një pjatë si bisht dallëndysheje/ stinën e pritur paralajmëroi”, (f. 47)!
LETËRNJOFTIMI I VENDLINDJES
Libri poetik “NË FYTYRËN E NJË GJETHI“ i Sabit Rrustemit, është letërnjoftimi më autentik i një autori që shënon autobiografinë e vet në vargje, në të cilat “këtij shtegu ndërmend s’e kam t’i ndahem/ edhe nëse rastësisht shkas përplasem/ do të ngrihem serish do të nisem/… (se) t’i ndahem këtij shtegu ndërmend s’e kam…”, (f. 18).
Vëllimi poetik “NË FYTYRËN E NJË GJETHI“, është një pasqyrë mbi trevën ku u rrit dhe gjallëroi, atje ku “shtegun me përpjetëze Çepuri përditë kaloi”, duke sendërtuar një simbolikë të veten mbi të cilat ndërtohen konceptet poetike. Vetëm me këtë libër nuk zbërthehet e tëra, pasi jeta e tij është përplot sfida, kurse përpjekja për t’i sfiduar të gjitha, nëse jo me gjë tjetër të paktën përmes poezisë autori ia ka arritur qëllimit, madje kjo sfidë nuk ishte aq e lehtë në rrethana konfliktuoze e mjaftë kontradiktore pasi çdo herë “me agime lulesh/ mëngjesi kish gdhirë/ asnjë pëllëmbë hapësire/ nuk ishte e lirë”, (f. 66).
Si poet, si intelektual, ai në vargun e tij poetik i ka regjistruar të gjitha lëvizjet kulturore, të gjitha zhvillimet sociopolitike duke dhënë pasqyrimin më autentik për veten, trevën e tij dhe Kosovën, ku e kaloi jetën prej intelektuali dhe poeti, është mbrusur me motive nga ambienti “se nën dhe e mbi dhe/ të kam vetëm ty/ imi atdhe”, (f. 28).
Gjithsesi poeti, kujdesshëm zhvillon refleksionet poetike, sidomos ato me tematikë të ambientit dhe trevës së Karadakut, përmes të cilave më shumë se me çdo gjë tjetër, do të identifikohet poezia e tij. “Sa herë të ngjitem në majë të Çepurit/ çelma zot atë lule të gurit”, (f. 111), “për të fluturuar nga gëzimi/ drejt qiejve mbi Çepur”, (f. 110), sepse për poetin udha, “herë bëhet këngë/ herë poezi/ herë rrëke loti/ nëpër rrebe moti/ prej dhimbjeve që na vlojnë në gji// dhe tash/ derisa i them udhë e mbarë/ kësaj pamje prej tonës vendlindje/ rilindin mijëra kujtime”, (f. 140).
Siç shihet Çepuri, jo vetëm si simbol poetik, por bëhet i njohur, i dashur dhe inspirues edhe për lexuesin, pasi mbi këtë simbol rrinë motivet e forta dhe idetë e shumta poetike. Por, poeti nuk është kufizuar vetëm me kaq, simbolikë të ngjashme mëtojnë edhe toponimet: Bardharë, Guri i Magjerës, Kodër të Tumës, Lugi i Keq, Qenar Qeshmja, Reka Ahit, Roga, Rupinat, etj.
POEZI AMBIENTALISTE
E tërë poezia e këtij libri është e strukturuar si një lloj frymëzimi ku motivet i gjen jo vetëm nëpër fshatrat e Karadakut siç janë: Llashtica, Pogragja, Zhegra, Llofca etj, por edhe në Gjilan, Gjakovë, Mitrovicë, Kumanovë, Karadak, Çiçavicë, Dardani, Dukagjin, Kosovë, Shqipëri etj, por Çupurido të mbetet simboli më artistik i tërë librit, për të cilin janë lidhur elementet lirike dhe ambientaliste. Kjo poezi me konotacione të poezisë psikologjike, më shumë është poezi moderne, dhe ka një dimension lirik që i tejkalon kufijtë ambientalist.
Megjithatë, shihet se poeti, me përkushtim është marrë me poezinë ambientaliste e cila për kah tiparet ka artikuluar më mirë biografinë poetike. Me tema dhe ide që kanë burimin e motiveve, trevat rurale, kjo poezi e përbën jetën “mëngjesit me brymë/ nëpër fletëza të zverdhura Çepuri/ shëtis/ marr frymë// nën qiellnajën e syve të tu/ krahët shtrij/ acar nate shkrij// e shuaj etje/ nëpër tënden buzëqeshje”, (f. 135).
Sipas këtyre motiveve, mendimi se provinca e ndëshkon krijuesin bien poshtë, pasi të paktën ky autor e ka sfiduar atë, dhe nga atje sikur do ta dërgojë “në Rrotë Samës”, (f. 82), poezinë urbane, për të cilën mendon se duhet ta “heq barin e keq tej rrethojës/ një ekspertizë të thellë t’ia bëjë gojës”, (e përshtatur, f. 83). Kjo harmoni e vargjeve, jo vetëm që e sforcon motivin e theksuar mbi vendlindjen, por përmes saj ka arritur të harmonizojë edhe portretin e jetës reale me atë artistik.
Në raste të caktuara, zakonisht autorët bëjnë një lëvizje të motiveve nga jeta e ambientit dhe familjes në atë me motive urbane, Sabit Rrustemi e ka bërë të kundërtën. Ai motivin e ambientit dhe trevës së tij e ka kultivuar vazhdimisht duke e sforcuar aspektin estetik të poezisë. Kurse për t’i bërë këto kapërcime motivore, kushtëzim i vetëm për të, mbetet moderniteti artistik i poezisë. Sigurisht, ballafaqimi jetësor me ekzistencën, i kanë dhënë detajit një imazh refleksiv të pranueshëm, madje duke nxjerr përjetime figurative do të bëhen përjetime të secilit, ku refleksioni meditativ ka zënë pothuajse pamjen kryesore të imazhit sugjestiv që kanë për refleksione ndjenjat e përjetimet mjaftë origjinale.
POEZI E SHPRESËS
Në poezinë e këtij libri, element tjetër që vihet në pah është motivi i shpresës dhe besimit për një të ardhme më të ndritur, më të përparuar:”Le të tymojnë/ se ma tym s’bëhet/ pa u kthjelluar qare s’ka”, (143). Këtë motiv ai e sendërton duke u kushtuar poezi heronjve të tij të gjallë që janë njerëzit e zakonshëm, kurse të flijuarve do t’u jep ndjenjën dhe përjetimin e njerëzve të rëndomtë me specifikat dalluese për t’i afirmuar. Në këtë plan dallojnë poezitë: “SHERRI I ASAJ ËNDRRE – kushtuar Tahir Deskut”, (f. 9), “KA VDEKUR AJO VDEKJE – kushtuar rapsodit Agim Gashi”, (f. 41), “NË ATË KULLË – kushtuar Avdyl Hoxhës nga Juniku”, (f. 53), “AI ËSHTË LIRIA VETË – kushtuar Heroit të popullit, Sali Çekaj”, (f. 76), “SHPIRTI I JUSUFIT FOLI MBRËMË – kushtuar Jusuf Gërvallës”, (f. 89), “VARGU I POETIT – kushtuar Rexhep Elmazit”, (f. 92), “HOMAZH PËR ALI PODRIMEN – kushtuar Ali Podrimjes”, (f. 109), e ndonjë tjetër.
Nga këto që thamë, merret vesh se Sabit Rrustemi përmes motivit lirik dhe përmes refleksionesh krijon imazhin e pashmangshëm të realitetit që jeton, dhe ky realitet do si do është i pranueshëm nga ngjarjet e stilizuara me bëma e heroizma të cilat jetës i shtojnë gjallëri, pasi “pika më e ndritshme e tokës/ rrënja e shpresës/ ora më e saktë e Kosovës është Prekazi”, (poezia: “PREKAZI KJO AMË E LIRISË”, f. 40).
VLERË ETIKE E POEZISË
Disa aspekte në poezinë e Sabit Rrustemit bëhen burim i pashtershëm frymëzimi dhe preokupimi, kurse përjetimet ideoemocinale janë elemente përcjellëse që shprehin botën e brendshme artistike ku pasqyrojnë mundësinë e pafundme shprehëse dhe meditative të cilat janë këndvështrime poetike dhe vlerë etike e poezisë.
Po ashtu në nuanca të caktuara shprehin edhe botëkuptimet njerëzore, si një karakter i ndjeshëm me refleksione lirike. Kjo poezi, përveç vlerave që theksuam në këtë shënim, aty këtu ka edhe elemente melankolike, të cilat shprehen përmes një ironie të stërholluar, “udhëve të botës/ shpërfaqu e plotë/ ti më e moçmja e dheut/ je më shumë se një fusnotë”, (f. 33), pasi “fusnota më kthen në pikën zero/ si përsëritës/ liria lehtë nuk u mësuaka”, (f. 32), kurse përmes metaforës shpreh fisnikërimin si nocion i gëzimit dhe ngadhënjimit, posaçërisht “kjo botë që kërkon rend/ do të na nxjerr në kuvend/ kush shkon e kush vjen/ durimin veç paqja e shpërblen”, (poezia: “NËPËR TË THËNAT E FEHMI AGANIT”, f. 84).
Këto vlera humane dhe estetike, në përmbledhjen “NË FYTYRËN E NJË GJETHI”, kanë të bëjnë me rezultatet e një përvoje të gjatë, ku autori ka arritur të amortizojë retorikën që e zëvendëson me një thjeshtësi të konsoliduar, shprehje këto që janë rezultat i një përvoje të gjatë dhe prirjeve për të shkruar një tip të poezisë meditative me rimë dhe ritmikë të pranueshme dhe mjaftë kualitative.
POEZI QË SIMBOLIZON DITARIN JETËSOR
Natyrisht, pasi dihet se ky libër është shkruar në mes dy nëntorësh, e ka bërë krijimtarinë vjetore të poetit si një ditar, ku nga dita në ditë, përmes artit e simbolikës, vendlindjes i ka dhënë shpirt poetik, “nëse i thua vetit malësor/ pa një ëndërr molle s’rrojmë”, (f. 106).
Me këtë motiv, poeti i ka lënë në margjina traumatizimet urbane dhe luftërat moderne, qofshin ato nga dehja me alkool apo opiume klasike, që janë bërë virus shkatërrues për shoqërinë e re moderne, botë kjo e mbuluar me instrumente të digjitalizuara, për të cilat poetikisht ironizon: “Ata që s’thirrin/ nuk m’i regjistron/ a mua tërë kohën më përgjon”, (poezia: “PËRGJUESI MODERN”, f. 126).
Pa dyshim kjo kohë, dita ditës po krijon ego vetmie dhe gjendje të pa përballueshme për shoqërinë njerëzore. Të paktën, për rastin në fjalë, poeti Sabit Rrustemi e bënë të kundërtën!
Shëtitja nëpër poezitë e këtij libri, të bënë sikur je midis alesh, ecja nëpër vargje, të duket se po kalon përmes promenadash të zbukuruara përplot me drunjë e gjethe, metaforat e shumta të bëhen gjelbërim dhe lule që i japin jetës gjallëri, ku motivet janë pigmentuar për të krijuar imazhin e një mozaiku ambiental e familjar: “Vetëm një zë/ pëshpëriti brenda meje/ fëmija yt i parë/…/ Imja bijë/ paç një jetë ashtu si deshe/ me një mal dashuri”, (poezia: “ISHTE 13 GUSHTI 1984 – sime bijë, Gresës”, f. 114 – 115).
EPILOGU OSE METODOLOGJIA E BIRËSIMIT
Në përfundim të këtij mendimi kritik, duhet ta theksojmë se në raste të caktuara citimet janë hequr nga konteksti poetik, nga motivi dhe mesazhi përcjellës dhe në mënyrë mekanike, (si një lloj metodologjie e birësimit), janë birësuar në një kontekst a mendim të ri, jo për naivitet, por për kreativitet poetik, për të parë se kjo poezi edhe brenda nocioneve, kuptimeve, ideve dhe metaforave të reja është poezi konvencionale e ambientaliste që si kuptim e nocion risocializohen me lehtësi, ashtu sikurse ndodhë me vargjet e përshtatura të cilat nuk dobësohen, përkundrazi sforcojnë edhe më mirë botëkuptimin dhe nocionin poetik, gjë që mund të besohet se ky libër nuk është vetëm “FYTYRË E NJË GJETHI”, është”fytyrë dalluese e një ditari poetik”, që duhet shënjuar dhe kujtuar!…