Eko Higjiena

ANP – Kontrolli Ajror “Adem Jashari” ngritë cilësinë e shërbimeve të sigurisë

/ 3 minuta lexim

ANP – Kontrolli Ajror “Adem Jashari” në bashkëpunim me Institutin për Shërbime të Navigimit Ajror i EUROCONTROL-it (IANS) ka filluar trajnimin pesëditor mbi Metodologjinë e Vlerësimit të Sigurisë, i cili po mbahet në Prishtinë.

Sipas Kryeshefit Ekzekutiv, Bahri Nuredini mbajtja e trajnimeve të tilla në Kosovë është në favor të kompanisë pasi që kostoja është shumë më e ulët si dhe mund të trajnohen numër më i madh i stafit dhe njëkohësisht është kërkesë e Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës. “Ne si ofrues të shërbimit të navigimit ajror gjendemi në fazën e çertifikimit dhe trajnimet e tilla janë të nevojshme dhe të detyrueshme. Në këtë kuadër ne kemi identifikuar mundësinë që këto trajnime të mbahen në Kosovë ku do të kemi edhe një kosto shumëfish më të ulët në krahasim me dërgimin individual të stafit për trajnim në IANS-a më seli në Luksemburg”, ka potencuar Nuredini.

Ndër kushtet shumë të rëndësishme që duhet përmbushur për t’u certifikuar si Ofrues i Shërbimeve të Navigimit Ajror është edhe posedimi i një stafi operativ dhe teknik të trajnuar në fushat përkatëse sipas standardeve kombëtare të përcaktuara nga Autoriteti i Aviacionit Civil që bazohen në kërkesat ndërkombëtare të përcaktuara nga Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit Civil (ICAO).
Me propozimin e IANS-as, pjesëmarrës në këtë trajnim janë edhe nga Tirana përkatësisht nga Agjencia Nacionale e Trafikut Ajror, ku me këtë rast përveç përfitimit të njohurive nga trajnimi i zhvilluar do të ketë edhe përfitim nga shkëmbimi i përvojave nga të dyja vendet.

Mobi Casa

Instituti për Shërbime të Navigimit Ajror i EUROCONTROL-it (IANS) është qendra e trajnimeve e EUROCONTROL me seli në Luksemburg. IANS njihet si qendër e ekselencës për ofrimin e trajnimeve që kanë të bëjnë me Menaxhimin e Trafikut Ajror (ATM), kjo qendër ofron kurse trajnimi të ndryshme të avancuara në Luksemburg si dhe nëpër shtete të ndryshme duke dërguar trajnuesit në lokacione të ndryshme të agjencive të navigimit ajror.

Trajnimi do të jetë pesëditor dhe do të mbahet në dy pjesë, ku pjesa e parë do të jetë e fokusuar mbi Metodologjinë e kryerjes së Vlerësimeve të Sigurisë – Vlerësimi i Hazardeve Funksionale (FHA) kurse pjesa e dytë mbi Metodologjinë e kryerjes së Vlerësimeve të Sigurisë – Vlerësimi Preliminar i Sigurisë së Sistemit (PSSA). /Telegrafi/