Angelina Jolie shqiptare në Zvicër

Intervistë ekskluzive me Heidi Lushtakun, shqiptaren me origjinë nga Kosova që konkurron për kurorën „Miss Zvicra 2013“.Të jesh e bukur është gjë e zakonshme. Por të jesh e bukur dhe e zgjuar, kemi të bëjmë me një kombinim jo aq të shpeshtë.
Heidit i thonë krejt Angelina Joli, jo se luan si aktore në ndonjë film, por për shkak të ngjashmërisë që ka vajza nga Kosova me yllin e Hollivudit.
Flet rrjedhshëm shqip me aksent të frëngjishtes, ngase jeton me familjen në pjesën frankofone të Zvicrës. Heidi Lushtaku është vajza tërheqëse me plot sharm, e cila në një periudhë të shkurtër ka vazhduar me suksese të njëpasnjëshme në botën e modelizmit, duke arritur te gara “Mis Zvicra”, aty ku secila vajzë e të njëjtit profesion e ka si pikësynim.
Mediave zvicerane u ka rënë në sy familja e madhe e 22-vjeçares. Ajo vjen nga një familje me motra „kallabllak“. Për Heidin, kjo është jo e zakonshme në Zvicër, ngase ka pak familje me shumë fëmijë. Por, megjithatë ajo thotë se prindërit, vëllai dhe motrat janë jashtëzakonisht krenarë për të.
Heidi me familjen kishte migruar më 1996 në Zvicër. Ndërkohë, të gjithë fëmijët janë të rritur, disa kanë filluar tashmë familjet e tyre.
Heidi jeton me prindërit, tri motrat dhe vëllain. Nga familja e madhe, Heidi ka mësuar sesi mund të ndihmohet njëri-tjetri.
Sido që të jetë, prej 18 finalistëve të evenimentit “Mis Zvicra 2013”, përveç Heidit, shqiptare nga Kosova janë edhe Dorina Podrimja dhe Anita Mustafa.
Dy të parat janë të lindura e të rritura në Zvicër, ndërsa Heidi ka ardhur në Zvicër në klasën e parë të fillores.
Bukuroshja shqiptaro-zvicerane në një intervistë ekskluzive për albinfo.ch ka thënë t’i ketë hobi udhëtimet, por në Kosovë nuk ka qenë shpesh.
Kontinentin e Evropës gati e ka vizituar të tërin, por ka qenë në Tajlandë, Abu Dabi e shumë vende të tjera.
Heidi tha të mos ketë rëndësi origjina, ndërsa Karina Berger, që është në krye të organizimit të spektaklit, ka thënë që emrat nuk tingëllojnë shumë zviceranë dhe, sipas saj, kjo tregon ndryshimet në kohë dhe është një dukuri që sot është realitet në Zvicër.
Më 28 prill do të ketë edhe një seleksionim, me ç`rast garën do ta vazhdojnë 12 nga 18 vajzat që sot janë në listën e konkurrueseve, ndoshta edhe Heidi me dy shqiptaret e tjera?
albinfo.ch: Cilat janë ambiciet tuaja, do ta fitoni “Miss Schweiz 2013”?
Po, shpresoj të jem „Miss Schweiz 2013“. Me këtë synim i kam hyrë kësaj gare. Megjithatë, jam e kënaqur që kam arritur deri këtu. Ka qenë vështirë të jesh kandidate e konkurrimit të sivjetmë. Prej 600 vajzave në fillim të konkurrimit, unë kam arritur në top-18 që është një sukses i madh për mua.
albinfo.ch: Mos ndoshta dyshoni në përzgjedhjen tuaj për shkak të origjinës kosovare?
Origjina nuk është me rëndësi, të gjitha kandidatet janë me shtetësi zvicerane. Po, unë jam me origjinë nga Kosova, por me shtetësi jam zvicerane.
Nga juria merret parasysh çfarë dhe si flet, çfarë intervista keni dhënë për mediat. A jeni një kandidate e hapur dhe me kulturë. Do të thotë, nuk shikohet vetëm bukuria.
albinfo.ch: Për çfarë konkurrence bëhet fjalë?
Konurrenca është shumë e madhe. Shumë vajza premtojnë shumë.
albinfo.ch: Mendoni se tashmë keni hyrë në botën e artit të bukurisë?
Është hera e parë qe konkurroj si miss. Por, si modele kam qenë pjesë e shumë reklamave të njohura në Zvicër dhe jashtë Zvicrës. Miss Schweiz është një eksperiencë e mirë për mua.
albinfo.ch: Në çka i besoni vetes?
Natyrën që e kam. Jam e siqertë, por edhe e hapur e komunikative. Jam e dhimshme, i ndihmoj shumë njerëzit.
albinfo.ch: Çka do t’i këshilloni moshataret tuaja, si arrihet suksesi në Zvicër?
Duhet të jesh e guximshme, ta sfidosh veten, e jo të frikësohesh nga konkurrenca. Sikur me Miss Schweiz, unë i hyra garës me 600 vajza.
albinfo.ch: Cili është suksesi më i madh që e keni arritur deri tani në botën e artit të bukurisë?
Suksesi im i deritanishëm ka qenë të jem kandidate në Miss Schweiz 2013. Isha pjesë e „Swiss Romande“. Kam realizuar disa foto reklamash në Francë. Po ashtu kam bërë fotografi për ballinën e magazinës „Cover“ dhe shumë fotografi të tjera për marka të ndryshme veshjesh.
albinfo.ch: Heidi dëshiron të ketë një karrierë vetëm si modele, apo ka ndonjë synim tjetër profesional?
Jam studente, si asistente e mjekut të dhëmbëve. Po i bëj të dyjat. Modelizmi më pëlqen më shumë, edhe pse njerëzit mendojnë se është i lehtë.
albinfo.ch: Pa dyshim ju si kandidate shqiptare me prejardhje nga Kosova pritni mbështetje nëpërmjet votimeve, a pritni vota nga shqiptarët në Zvicër?
Jo vetëm nga shqiptarët, por edhe nga zviceranët.
albinfo.ch: Sa jeni e njohur në mesin e komunitetit shqiptar në Zvicër?
Si modele më njohin edhe më herët. Është hera e parë që jap një intervistë për një medium shqiptar.
albinfo.ch: Prej nga e keni prejardhjen, çka ju lidh me Drenicën?
Nuk kam lidhje me Drenicën. Edhe pse njerëzit më lidhin me ketë vend të Kosovës për shkak të mbiemrit që kam. Unë jam e Vushtrrisë, edhe pse edhe qytetin e lindjes e njoh pak.
albinfo.ch: Sa shpesh shkoni në Kosovë?
Unë kam dëshirë shumë të udhëtoj nëpër botë. E këtu në Zvicër kemi të drejtë vetëm 4 javë pushim në vit dhe për këtë arsye unë i shfrytëzoj për udhëtime nëpër botë. Është e vërtetë që nuk shkoj për çdo vit në Kosovë. Evropën e kam vizituar gati të tërën. Prej vendeve të tjera kam qenë në Tajlandë, Abu Dabi, etj. Kam nevojë t’i njoh kulturat e tjera. Familjen e kam të tërën këtu në Zvicër, prindërit, vëllain dhe motrat dhe për këtë arsye nuk shkoj shpesh në Kosovë.
albinfo.ch: Ti vjen prej një familjeje të madhe, këtë e kanë theksuar edhe mediat zvicerane?
Këtu në Zvicër nuk ka familje aq të mëdha dhe për këtë arsye mediat shkruajnë shumë për rastin tim. I kam 7 motra edhe një vëlla. Jetoj me prindërit, me vëllain dhe me tri motrat, të tjerat janë të martuara.
albinfo.ch: Çka di për Kosovën?
Politikën nuk e njoh shumë. Më pëlqejnë fshatrat në Kosovë, por jo edhe qytetet. Prishtina më pëlqen. Por, megjithatë më pëlqejnë fshatrat ku është natyra shumë e bukur.
albinfo.ch: A ka vajza të bukura në Kosovë?
Po, shqiptaret janë vajzat më të bukura në botë!
albinfo.ch: Si do të duket i dashuri juaj? A duhet të jetë shqiptar?
Duhet të jetë njeri i mirë dhe i sinqertë. Nuk e di a duhet të jetë shqiptar. Mund të jetë zviceran, shqiptar. Nuk them që nuk dua shqiptar, por duhet të jetë njeri i mirë. Unë gjithmonë kam treguar për origjinën time nga Kosova, asnjëherë nuk e kam fshehur, por edhe Zvicrën që ma dha këtë mundësi nuk mund ta harroj. Unë krenohem me arritjet e shqiptarëve të këtushëm, edhe pse nuk kanë bërë një jetë të lumtur për shkak të sherrit të luftës në Kosovë.Sevdail Tahiri.