ARKATANA

Analistët ndërkombëtar: Kosova të rimendojë strategjinë, aleatët kryesor të saj tani po mbajnë qëndrim më neutral

/ 9 minuta lexim
Hidromorava

Dështimi i Kosovës së fundmi për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës, sipas analistëve, nxjerr në pah një situatë të brishtë për konsolidimin e saj ndërkombëtar.

Eksperti dhe ligjëruesi nga Universiteti Johns Hopkins, Edward P. Joseph i tha Zërit të Amerikës se institucionet e Kosovës duhet të riparojnë marrëdhëniet me aleatët perëndimorë duke përmbushur kërkesat që i janë parashtruar, ndërkohë që sipas ndihmës profesorit të Universitetit të Utrehtit, Kushtrim Istrefi aleatët kryesorë të Kosovës tani po mbajnë një qëndrim më neutral rreth konsolidimit të saj ndërkombëtar dhe janë tërësisht të përqendruar te procesi i dialogut me Serbinë.

Mungesa e mbështetjes për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës është shembulli i fundit i vështirësive dhe paqartësive që rrethojnë konsolidimin e pozitës së Kosovës në komunitetin ndërkombëtar si dhe marrëdhëniet me aleatët e saj.

Njohësit e zhvillimeve i thanë Zërit të Amerikës se Kosova dhe aleatët e saj duhet të rishqyrtojnë strategjinë aktuale, e cila përqendrohet në dialogun dhe marrëveshjet që dalin nga ai.

Eksperti nga Shkolla për Studime të Avancuara Ndërkombëtare pranë Universitetit Johns Hopkins, Edward P. Joseph thotë se udhëheqësit e Kosovës duhet të heqin dorë nga politikat përçarëse me bashkësinë ndërkombëtare dhe komunitetin serb në Kosovë.

“Qeveria e Kosovës duhet të përqendrohet në mbrojtjen e interesave strategjike të Kosovës, në avancimin e tyre, dhe jo te disa interesa politike që përçajnë dhe polarizojnë shoqërinë dhe krijojnë një klimë populiste, duke përkeqësuar marrëdhëniet me serbët e Kosovës dhe shtuar tensionet me ta. Është qasje plotësisht e gabuar. Çështja e dinarit ishte një gabim trashanik. Fiasko e plotë. Ka edhe veprime tjera provokuese…dhe duhet të marrin fund. Këshilli i Evropës është një mundësi e rëndësishme dhe Kosova nuk duhet ta humbasë atë”, thotë Joseph.

Ai vlerëson se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara janë në pikën më të ulët dhe se nuk është në interesin e Kosovës t’i trajtojë me shkujdes marrëdhëniet e saj me aleatët kryesorë.

“Kjo është pika më e ulët në marrëdhëniet (ndërmjet dy vendeve). Unë kam qenë i angazhuar në Ballkan që nga viti 1999, kur menaxhoja kampet e refugjatëve në Stankovec… Kemi punuar shumë dhe e dimë sa e vështirë ishte. Marrëdhëniet SHBA-Kosovë nuk janë vetëm marrëdhënie teknike politike, janë një lidhje e thellë që vazhdon të ketë pasoja politike. Putini dhe Xi Jinping-u ende flasin për vitin 1999 dhe ndërhyrjen e NATO-s, nuk e kanë harruar. Ishte një hap i madh që Shtetet e Bashkuara bënë për të ndërhyrë. Dhe të shohësh këto marrëdhënie të trajtohen në një formë kaq të shkujdeshme për të fituar ca pikë se gjoja nuk kemi më nevojë t’i dëgjojmë Shtetet e Bashkuara. Përse? SHBA nuk janë diktator i tipit të Rusisë që po mundohet të minojë sovranitetin e Kosovës. Shtetet e Bashkuara janë përkrahëse të Kosovës. Nuk është në interesin e Kosovës. Në këtë botë të ndërlikuar dhe të rrezikshme, Kosovës i duhen miq të fuqishëm dhe ata duhet respektuar”, thotë Joseph.

Ndihmës Profesori Kushtrim Istrefi nga Universiteti i Utrehtit, i cili në baza vullnetare ka ndihmuar së fundmi Qeverinë e Kosovës në përpjekjet për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës, thotë se institucionet e Kosovës duhet të jenë të vetëdijshme për mësimet e dala nga ky proces. Ai thotë se shtetet e Kuintit nuk janë më të unifikuara në qasjen e tyre ndaj Kosovës dhe se po vënë një theks të madh te dialogu me Serbinë, duke u shndërruar, siç thotë ai, “në palë neutrale në proceset e përkrahjes së Kosovës.”

“Për këtë duhet një reflektim më i gjerë, sepse mendoj se përkrahja e Kuinitit është reduktuar në përkrahje të dialogut dhe jo në misionin e tij më të gjerë, atë të forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës”, deklaron zoti Istrefi

Joseph thotë se anëtarësimi në NATO duhet të jetë synimi kryesor i Kosovë dhe për të zbutur qëndrimet e Greqisë, Sllovakisë, Spanjës dhe Rumanisë, katër shteteve anëtare të NATO-s që nuk e njohin pavarësinë saj, ai thotë se Kosova duhet të përmbushë detyrimet e veta.

Kosovës, sipas tij, i duhet që përmes “disa veprimeve rreth asociacionit të krijojë një kontekst, një platformë në mënyrë që Shtetet e Bashkuara të lobojnë tek shtetet që nuk e njohin Kosovën.” Vende si Greqia, shton ai, duan “një atmosfere pozitive brenda Kosovës në raport me serbët e Kosovës” për të lëvizur drejt njohjes.

ARKATANA

“Qeveria dhe Kryeministri Kurti kanë rastin t’u tregojë të gjithëve, jo përmes fjalëve, por përmes veprave, se banorët serbë konsiderohen si qytetarë të Kosovës, të cilët kanë shqetësime legjitime… Njëri prej hapave kryesorë dhe shumë të thjeshtë është të bashkëpunosh me ta, t’i kthesh serbët e Kosovës në radhët e Policisë së Kosovës. Ky do të ishte një hap i madh prej të cilit do të përfitonin të gjithë. Të gjithë përveç Aleksandar Vuçiçit”, thotë Joseph.

Joseph thotë se Kosova dhe aleatët e saj duhet të përqëndrohen në krijimin e një rruge për anëtarësimin e Kosovës në NATO si zgjidhje të përhershme të tensioneve me Serbinë.

“Rusia dhe Kina nuk do të mund të ndikonin më te Serbia dhe nuk do të kishte bllokadë… Do të ndryshonte plotësisht dinamika, do të ndryshonte situata brenda Serbisë, sepse ajo nuk do të mund ta shfrytëzonte Kosovën për të destabilizuar rajonin”, shton ai.

I pyetur për refuzimin e qeverisë së Kosovës për të hedhur hapa konkretë në procesin e krijimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe, përsa kohë Beogradi nuk zbaton detyrimet që dalin nga Marrëveshja për Normalizim e arritur në Ohër, Joseph thotë se ekziston një “mungesë baraspeshe” sepse pozitat e të dyja vendeve janë e ndryshme, Serbia si shtet i konsoliduar dhe Kosova që ende bën përpjekje për të fituar njohje nga shtetet evropiane.

“Të jemi konkretë. Qeveria e Kosovës duhet ta dërgojë projekt-statutin e hartuar nga Shtetet e Bashkuara dhe të mbështetur nga BE-ja dhe vendet e Kuintit në Gjykatën Kushtetuese. Kjo nuk do të thotë se duhet ta zbatojë apo të pajtohet me të. Është thjesht proces përmes të cilit bën një ushtrim te sovraniteti duke ia lënë Gjykatës Kushtetuese ta shqyrtojë , jo qeverisë… Respektimi i sovranitetit dhe autoritetit të Kosovës është që të zbatohet Kushtetuta dhe t’i lejohet Gjykatës Kushtetuese të vendosë… Duhet parë interesi strategjik i Kosovës dhe ai është anëtarësimi në Këshillin e Evropës… Eshte një mundësi që nuk duhet humbur”, thotë Joseph.

Por, sipas zotit Istrefi, Kosova, në këto rrethana duhet të kërkojë garanci të fuqishme në shkëmbim të kompromisit. Po ashtu, thotë zoti Istrefi, edhe Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia duhet ta analizojnë strategjinë e tyre.

“Nuk mendoj që kjo çështje do të zgjidhet disi vetvetiu. Nuk mendoj, po ashtu që Kosova duhet të zbatojë pjesën e saj të marrëveshjes pa patur asnjë garanci se kjo do të çonte në njohje nga ana e Serbisë, qoftë në formë faktike, ose në ndonjë proces tjetër të anëtarësimit të shpejtë në NATO, ose në njohje nga një numër i konsiderueshëm shtetesh. Pa një garanci të tillë ne do t’i riktheheshim në të kaluarën, ku Kosova bën veprime të dhimbshme, por nuk ka përfitime të mjaftueshme. Ekziston tanimë eksperienca e UNESCO-s, ekziston eksperienca e Interpolit, ekzistojnë në të kaluarën presionet ku janë sqaruar se kinse janë bërë në të mirë të Kosovës, siç është ajo e krijimit të Gjykatës Speciale, por në parim nuk kanë ndikuar në qasjen strategjike të Kuintit karshi përkrahjes së fuqizimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës nga këto shtete”, thotë ai.

Istrefi konsideron se “filtri kushtetues”, siç e quan ai, është pjesë pozitive e kësaj marrëveshjeje në raport me hapat rreth krijimit të Asociacionit, por mbetet skeptik rreth përmbajtjes.

“Mendoj që populli i Kosovës ka nevojë për një transparencë në këtë pikë. Pra, duhet të thuhet troç që është një kompromis i madh, por që për një çmim më të lartë të njohjes, qoftë të paktën faktike nga Serbia, është një kërkesë, një presion, që kjo të realizohet. Pra nuk mund të paraqitet sikur është fjala për një OJQ, e që në fakt flitet për një super strukturë me kompetenca të zgjeruara, që ka të bëjë me një entitet të veçantë etnik dhe territorial për ushtrim kompetencash dhe që mund të paraqesë rrezik për funksionimin e shtetit në të ardhmen”, deklaroi Istrefi.

Për Joseph situata aktuale është e mbarsur me një rrezik të lartë për shkak të ngecjes së dialogut si dhe largimit të dy ndërmjetësve në procesin e dialogut, diplomatit amerikan Gabriel Escobar dhe të dërguarit të posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak.

Istrefi e sheh si të vështirë lëvizjen për të dalë nga ngërçi aktual në një klimë mosbesimit të thellë të palëve të angazhuara.

Dhe ndërsa Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe vetë Kosova ndodhen në një vit zgjedhor, gjasat për zbatimin e marrëveshjeve po zbehen edhe më shumë./VOA