Amnisti reciproke
Nga Milaim Shefkiu – Edhe pse është bërë monotoni e skajshme marrëveshja e Brukselit, ose, interpretuar ndryshe, vetë nocioni gjuhësor “marrëveshje”, për shkak të “aliteracionit” dhe polisemisë politike nga ajo çka përmban dhe për çfarë është bërë, marrëveshje në themel, dhe si koncept, ka qëllimin e mirë, por duket se nuk është studiuar sa duhet të paktën nga ana e Prishtinës. Duke bartur me vete shume mistere, shumë fiksime dhe shumë paqartësi, marrëveshja e Brukselit do të jetë objekt debati në Kosovë edhe për disa vite, sepse nuk është e determinuar për t’i zgjidhur problemet e shqiptarëve dhe serbëve në rajon.
Sa herë që dalin vegëza nga lëmshi i marrëveshjes e shohim se ky lloj kompromisi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e ka vetëm një qëllim, zgjidhjen e çështjes së veriut, amnistinë për serbët atje. Më konkretisht, marrëveshja e 19 prillit, ka pasur një qëllim të përbashkët Kosovë-Serbi-BE, dhënien e një autonomie për serbët dhe jo ashtu siç u interpretua, relaksim i raporteve Kosovë-Serbi.
***
Zbatimi i marrëveshjes për veriun u tha disa herë, se duhet të shkojë në korrelacion me miratimin dhe zbatimin e ligjit për amnisti. Çka i bie kjo? Të hartohet dhe të miratohet një ligj, i cili i falë të gjithë serbët për krimet që i kanë bërë në Kosovë. Në Prishtinë, lidershipi kosovar ka thënë ligji nuk i fal kriminelët që i kanë duart me gjak. Por krim nuk është vetëm të vritet një njeri. Krim është edhe të bëhet kontrabandë, edhe të sfidohet shteti, edhe t’u vihet flaka pikave kufitare.
Madje gjatë periudhës së luftës, shumica e atyre serbëve që janë grumbulluar në Mitrovicë e në komunat tjera, janë serbë nga Kosova që kanë qenë të uniformuar gjatë luftës së fundit. Prandaj, Ligji për Amnisti do t’i përfshijë shumicën absolute të tyre, sepse këtë duket se e dëshiron edhe bashkësia ndërkombëtare. Pra edhe përkundër dëshirës së Prishtinës që t’i dërgojë të gjithë në burg ata që kanë sfiduar shtetin, kjo do të jetë e pamundur. Amnistia do t’i përfshijë të gjithë në veri, deshi apo nuk deshi zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi. Përveç amnistisë, edhe një 400 serbë të “Civilna Zastita”, do të jenë pjesë e Policisë së Kosovës, të cilët do ta sabotojnë shtetin për çdo ditë.
***
Mirëpo, pse marrëveshja nuk shkon drejt normalizimit të raporteve Kosovë-Serbi, por shkon vetëm për normalizimin e gjendjes në veri. Nëse do të ishte kompromis ndërshtetëror, atëherë duhet patjetër që edhe Serbia ta miratojë një ligj me të cilin i amniston të gjithë ish-guerilët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Nëse edhe bashkësia ndërkombëtare pretendon t’i relaksojë dhe t’i zgjidhë raportet ndërshtetërore, atëherë duhet të amnistohet UÇK nga Serbia, në mënyrë që shqiptarët që kanë marrë pjesë në çlirimin Kosovës, të shëtisin lirshëm nëpër botë, e jo sa herë të udhëtojnë jashtë shtetit të ndihen të hendikuar mos kanë ndonjë fleatarrest nga Serbia.
Në të kaluarën disa ish-guerilë të UÇK-së, por edhe disa veprimtarë që kanë punuar kundër regjimit të dhunshëm serb, kanë vuajtur nëpër burgje, apo edhe janë arrestuar nëpër aeroportet dhe kufijtë e vendeve të tjera. E nëse marrëveshja e Brukselit parashikon normalizimin e raporteve ndërmjet dy vendeve me urrejtjen më të madhe historike, duhet që edhe Serbia t’i marrë përgjegjësitë e veta. Në këtë rast të ketë reciprocitet për amnisti. Ky do të ishte një lehtësim për ushtarët e UÇK-së nga Lugina e Preshevës që kanë luftuar në Kosovë, që pas sa vitesh ta vizitojnë vendlindjen. Pra, marrëveshja do të ketë kuptim vetëm atëherë kur e drejta ndahet përgjysmë, dhe kur përdoret reciprociteti. Që t’i hiqet “havalja” marrëveshjes, atëherë duhet vetëm barazi e respektim dhe jo njëanshmëri, sepse efekti do të jetë zero.


