Amerikani 15 vjeçar shpik testin revolucionar për zbulimin e kancerit
New York – Gjimnazisti pesëmbëdhjetëvjeçar nga Marylandi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jack Andraka, gjatë kohës së lir merret me hulumtime në Universitetin e John Hopkinsit në Baltimore, në një prej laboratorëve më prestigjioze në botë për hulumtimin e kancerit.
Duke punuar në këtë laborator, Andraka ia ka dalë të shpikë një test revolucionar, i cili e zbulon kancerin në pankreas 168 herë më shpejt sesa testet më të mira të këtij lloji, e përveç kësaj është edhe dukshëm më i lirë.
I riu i pazakontë ka paraqitur kërkesë për patentimin e testit dhe tani po i vazhdon hulumtimet e tij në këtë fushë.
Testi i tij është 168 herë më i shpejtë, 25.667 herë më i lirë dhe 400 herë më i ndjeshëm sesa testi ELISA, i cili përcakton prezencën e antitrupave ndaj infeksionit HIV, virusit të Nilit Perëndimor dhe hepatitisit B. Sensori i tij kushton vetëm tre dollarë – ndërsa testi ELISA në disa raste edhe deri në 800 dollarë – ndërsa vetëm një shirit mund të shërbejë për 10 teste, të cilët zgjasin rreth pesë minuta.
Testi mund të shfrytëzohet edhe për analizën e rezistencës ndaj antibiotikëve dhe për përcjelljen e përparimit të shërimit të pacientëve, të cilët u nënshtrohen kimioterapive dhe rrezatimit.
Shpikja e Andrakas zbulon edhe prezencën e proteinës, e cila e dëshmon ekzistencën e kancerit dukshëm më përpara sesa vetë sëmundja të bëhet pushtuese. Kjo që është më se e dobishme, pasi sipas përllogaritjeve, me këtë test për çdo vit do të mund të shpëtoheshin jetët e mijëra viktimave të kancerit të pankreasit.
Andraka, i cili në maj të këtij viti ka fituar për zbulimin e tij një shpërblim prej 75.000 dollarësh në ekspozitën ndërkombëtare të shkencës dhe inxhinierisë “Intel”, thotë se “Google” dhe revistat shkencore pa pagesë në internet i kanë ndihmuar jashtëzakonisht për ta realizuar testin.
“Kurrë nuk do të mund ta realizoja këtë hulumtim dhe projekt pa e përdorur internetin”, ka thënë Andraka. Duke folur në një intervistë dhënë agjencisë britanike të lajmeve “BBC”, Andraka ka thënë se ideja për zbulimin i lindi derisa po “kalkulonte disa gjëra në orën e mësimit të lëndës së biologjisë”.
Testi ka për qëllim ta evidencojë kancerin në fazën e hershme, kur trajtimet efektive dhe mundësia për mbijetesë janë dukshëm më të mundshme. Vetë familja e Andrakas është prekur nga kanceri i pankreasit, sëmundje kjo që ka një margjinë mbijetese prej 5.5 për qind në rast se evidencohet në fazat fillestare.(koha)