Fundamenti

Amerikanët rikujtojnë s’e marrëveshja nuk sjell njohje, Kurtit e Osmanit u kërkohet llogari

/ 5 minuta lexim
Hidromorava

Amerikanët thonë se aktualisht njohja e Kosovës nga Serbia, me planin franko-gjerman, është e pamundur. Ish-kryeministri Hoti akuzon Qeverinë që “katandisi” raportet me SHBA-në, aq sa zyrtarët e saj të mos i kërkojnë më Serbisë ta njohë Kosovën. Zv.kryeministri Bislimi prej kohësh e ka thënë se propozimi për normalizim të raporteve nuk e përfshin njohjen.

Amerikanët e kishin përmendur të parët se një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë do të sillte njohjen e ndërsjellë të dy shteteve. Deri atëherë, Bashkimi Evropian që ndërmjetësonte dialogun, nuk e kishte pjesë të deklaratave çështjen e njohjes – fliste për normalizim.

Një fjali e një letre të presidentit amerikan Joe Biden drejtuar presidentit serb, Aleksandër Vuçiq në shkurt të 2021-s, ku thuhej se marrëveshja me Kosovën duhet të jetë e përqendruar në njohje të ndërsjellë, u bë udhërrëfyes i Qeverisë së re të Kosovës.

“Marrëveshja me njohjen në qendër”, deri së fundmi, ka qenë përgjigjja e vetme e Kryeministrit Albin Kurti dhe të pushtetarëve të tjerë nën tij. Edhe e Presidentes Vjosa Osmani, që, për letrën e Bidenit kishte thënë se kjo është një qasje që ka munguar.

“Mirëpres qëndrimin e presidentit Joe Biden në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi. Është e qartë se rruga e vetme për dialog është marrëveshja për njohje. Një qasje që ka munguar që nga fillimi i dialogut, një qasje që duhet për përfundim të suksesshëm”, deklaroi Vjosa Osmani.

Por, po amerikanët, tani për tani nuk e shohin të mundur njohjen e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë.

Në një shkrim që shkas kishte situatën e krijuar gjatë dhjetorit në veri të Kosovës, gazetari britanik, Tim Judah, citon ambasadorin amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier se ka thënë që aktualisht njohja nuk është e mundur.

“Për fat të keq kjo nuk është e mundur aktualisht, por sfidat e sotme mund të tejkalohen. Nëse e sheh këtë marrëveshje, këtë përpjekje si hap të përkohshëm drejt asaj…atëherë ka mundësi reale”.

Ish-kryeministri Avdullah Hoti kërkon përgjegjësi nga Qeveria aktuale që SHBA-ja nuk e sheh si të mundshme aktualisht njohjen e Kosovës nga Serbia. Siç shkruan ai, “katandisja” e raporteve me Amerikën çoi në këtë pikë.

“Qeveritarët duhet t’i tregojnë popullit ku e kanë katandisur punën që e ka shtyrë SHBA-në — aleatin kryesor Kosovës — të deklarojë se nuk është koha për njohje nga Serbia”, ka shkruar Hoti të mërkurën në Facebook. “Çfarë ka ndodhur në marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-në që njohja reciproke nuk është më në qendër?!”, pyet tutje ai.

Eco Higjiena

Udhëheqja kosovare e ka përmendur gjithmonë “njohjen në qendër”. Në gjysmën e dhjetorit, kur emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, vizitoi Prishtinën, u pyet se çka duhet të ketë në qendër të marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë.

“Në qendër duhet të jenë integrimet evropiane për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor. Në këtë kontekst, një marrëdhënie e mirë, marrëdhënie e qëndrueshme mes të gjitha shteteve të rajonit”, ka thënë Escobar.

Ai thotë se SHBA-ja nuk ka ndryshuar qëndrim dhe se njohja reciproke duhet të ndodhë. Por edhe ai, këtë e rëndit “në fund”.

“Dhe në fund, njohja e plotë e së drejtës së të gjitha shteteve për të ekzistuar, e pavarësisë dhe sovranitetit të tyre. Pozicioni ynë nuk ka ndryshuar kurrë në këtë aspekt, që njohja duhet të ndodhë”.

Se njohja nuk vjen formalisht, bazuar edhe në planin franko-gjerman, i riemëruar si propozimi evropian, ka nisur të pranohet edhe nga zyrtarë shtetërorë.

Në tetor, kur Kurti, si rrallëherë, ishte optimist për rrugën e negociatave me Serbinë, thoshte se njohja e ndërsjellë nuk është në fund të procesit, por në qendër të tij.

“Prej 18 gushtit jemi futur në një fazë të re, sepse tema e parë ishte korniza e përgjithshme. Njohja e ndërsjellë nuk është në fund të procesit por në qendër të marrëveshjes, kjo më bënë mua optimist për muajt që kemi përpara dhe për arritjen e një marrëveshje ligjërisht detyruese”, kishte deklaruar Kryeministri në tetor, para tensioneve që vijuan muajt e mbetur të vjeshtës që shkoi.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, kur për herë të parë foli rreth planit franko-gjerman, në një paraqitje virtuale në Beograd, tha se ai më shumë i afrohet qëndrimit të Serbisë, sesa të Kosovës, pasi nuk e ka njohjen.

“Për ne është me rëndësi të ketë dokument final me njohjen reciproke në qendër. Për Serbinë është që të mos ketë dokument final e të mos ketë njohje reciproke. Prandaj nga kjo perspektivë do të thosha se propozimi franko-gjerman më shumë i afrohet pozicionit të Serbisë, sepse nuk paraqet marrëveshje finale e as s’përfshin njohje reciproke në këtë fazë”, tha Bislimi.

Pa përmendur njohje, siç ka thënë Bislimi dhe siç është parë nga rrjedhja e dokumentit në media, Kryeministri Kurti, gjatë dhe pas tensioneve në veri, deshi që negociatat me Serbinë të bazohen pikërisht te plani franko-gjerman. Ai madje ka këmbëngulur që të flitet vetëm duke marrë për bazë këtë plan, duke akuzuar Serbinë se po krijon tensione, pasi nuk e pranon këtë propozim. /Express/

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.