RCCOLA

Ambasadori Amerikan Angazhohet në Serialin Vendor

/ 3 minuta lexim

Ambasadori amerikan në Kosovë, Christopher Dell, është ideator dhe thellësisht i përfshirë në serialin e ri vendor “Muret”. Episodi i parë fillon të shfaqet në transmetuesin publik më 2 korrik.

Agimi dhe Natasha janë personazhet kryesore dhe të dytë janë në kërkim të familjarëve të tyre të cilët konsiderohen të zhdukur. Në kërkim e sipër, ata gjejnë njëri-tjetrin.

Historia e dashurisë ndërmjet një serbeje dhe një shqiptari tashmë vjen edhe në transmetuesin publik. Ndoshta serialet latino-amerikane edhe më tej do të mbesin të popullarizuara, por nuk ka dilemë se rrëfimet e tilla për dashuritë mes serbëve dhe shqiptarëve gjithmonë kanë qenë intriguese.

Ky është seriali i ri vendor “Muret”, episodi i parë i të cilit shfaqet më 2 korrik në transmetuesin publik, RTK.

Ideja vjen nga ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Christopher Dell, i cili dëshiron që përmes këtij seriali të nxit debat dhe të portretizojë realitetin dhe kompleksitetin e jetës së përditshme në Kosovë, thotë Paul Engelstad, shef i zyrës për marrëdhënie me publikun në ambasadën amerikane.

Engelstad theksoi se ambasadori Dell, që nga ardhja e tij në Kosovë në vitin 2009, ka menduar mënyra për të zhvilluar një dialog inter-etnik.

“Kundrejt këtij qëllimi, Ambasadori Dell ka kërkuar dhe ka pranuar fonde për këtë projekt”, Engelstad i tha Gazetës Jeta në Kosovë.

Ai shtoi se ambasada kishte hapur kërkesë për propozim për të gjetur një partner të përshtatshëm për projektin. “Komisioni i Ambasadës ka bërë zgjedhjen”, tha ai.

Partneri vendor i projektit është PrishtinaFilms dhe The Group.

Në serialin “Muret”, producentë ekzekutivë janë Christopher Dell dhe aktori kosovar Blerim Gjoci, ky i fundit mban edhe rolin kryesor.

RCCOLA

“Ambasadori ka treguar interesim në këtë projekt që nga fillimi. Madje, ai ka dhënë shumë kontribute në procesin krijues, duke përfshirë zhvillimin e rrëfimit dhe skicimin e skenave”, thotë Engelstad.

Fondet për këtë serial janë siguruar nga qeveria e SHBA-së dhe numërojnë 200,000 dollarë amerikanë.

Në film luajnë: Blerim Gjoci, Marija Vickovic, Enver Petrovci, Amernis Nokshiqi, Basri Lushtaku, Ivana Kovacevic, Veton Osmani dhe Shkelzen Veseli. Producent i filmit është Aj Rei-Perrine ndërsa regjisor është Ismet Sijarina.

Sijarina theksoi se seriali do të jetë me 10 vazhdime dhe se puna ekipore vazhdon të ec mirë.

“Komunikohet në tri gjuhë pasi që anëtarët e ekipit janë nga Maqedonia, Mali i Zi, Serbia dhe Amerika. Është sfiduese por rezultatet janë të shkëlqyeshme”, Sijarina i tha Gazetës Jeta në Kosovë.

Ivana Kovacevic është serbe e Kosovës e cila jeton në veri të Mitrovicës dhe Marija Vickovic aktore me nam në Serbi e cila jeton në Beograd.

Sijarina thekson se artistet serbe i kanë mirëpritur ftesat për film. “Me Ivanën kemi pas kontakte më të shpeshta ndërsa me Marinë është dashur të shkëmbejmë më shumë informacione ndërmjet vete”, tha Sijarina, i cili shtoi se ajo në fund pranoi të luaj në film.

“Pothuajse 90 për qind të ekipit e kam nis unë, i kam pas duart e lira. Ekipi është i shkëlqyer dhe besoj se publikut do t’i pëlqej seriali”, tha ai.

Edhe këngëtarja Dafina Zeqiri ka një rol episodik në serial.

Muret fillon episodin e parë me 2 korrik dhe transmetohet në televizionin publik, RTK.