Ambasadorët, “si miza në mjaltë”

Diplomacia kosovare jo vetëm që njihet për gafe e “aksidente” diplomatike, ambasadorët e shtetit më të varfër në botë (Kosovës) shquhen për pagat më të “majme” krahasuar me ato të homologëve të tyre të shteteve të rajonit.
Përveç beneficioneve të shumta që gëzojnë ambasadoret e Kosovës, si vetura, shofer, asistente, banim, sigurime shëndetësore, shkollimin e fëmijëve, e çka jo tjetër, ata për gjithë këtë “sakrificë” paguhen hiç më pak dhe as më shumë se 42 mijë euro brenda një viti, apo 170 mijë euro, i “vjelin” brenda mandatit katërvjeçar. Kosova është e obliguar që vetëm për ambasada t’i ndajë 15 milionë euro për paga, mallra e shërbime, shpenzime komunale…etj.
Gazeta ka mësuar se paga e një ambasadori të Kosovës arrin në 3 mijë e 500 euro, e cila është edhe rroga më e lartë, krahasuar me ato të krerëve të shtetit, të cilët marrin diku rreth 2 mijë e 500 euro. Por, jo vetëm kaq “të privilegjuarit” e shtetit, i bie që të marrin dhjetë herë më shumë krahasuar me pagën mesatare në Kosovë, e cila sillet rreth 350 euro.
Por, këtë luks që e gëzojnë diplomatët e Kosovës, të shtetit me varfëri të skajshme nuk e gëzojnë kolegët e tyre të vendeve të rajonit të Shqipërisë, apo Malit të Zi, të cilët paguhen përgjysmë më pak sesa ambasadorët e Kosovës. Një ambasador i Shqipërisë për punën e tij nuk merr më shumë se 2 mijë euro, ndërkaq rroga e kolegut nga Mali i Zi sillet rreth 3 mijë euro. Zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme, pranojnë se ambasadorët e Republikës së Kosovës kanë paga më dinjitoze, krahasuar me shtetet e rajonit…(Zëri)