RCCOLA

Ambasadorët dënojnë djegien e flamurit shqiptar në stadiumin e St. Gallenit

/ 3 minuta lexim

Albinfo merr vesh se, lidhur me incidentin, ambasadorët Elezi dhe Malaj kanë zhvilluar takim me një përfaqësues të lartë zviceran

Incidenti i rëndë, i ndodhur më 26 maj në stadiumin e St. Gallenit, me ç`rast një grup tifozësh serbë kishin djegur Flamurin Shqiptar dhe kishin brohoritur parulla antishqiptare, nuk ka kaluar pa reagimin institucional të përfaqësive diplomatike të Shqipërisë dhe të Kosovës në Zvicër.

Siç bëhet e ditur në një komunikatë të përbashkët shtypi të Ambasadës së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës në Bernë, dy përfaqësitë diplomatike dënojnë ashpër incidentin dhe u bëjnë thirrje autoriteteve zvicerane që të marrin masat përkatëse.

Përveç reagimit me shkrim, të shpërndarë sot për medie, siç merr vesh albinfo nga burime jozyrtare, dy ambasdorët Mehmet Elezi i Shqipërisë dhe Naim Malaj i Kosovës kanë zhvilluar të martën një takim me një përfaqësues të lartë të Departamentit të Punëve të Jashtme të Zvicrës. Takimi është zhvilluar në selinë e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Bernë dhe me këtë rast dy ambasadorët kanë shprehur shqetësimin e tyre me incidentin e rëndë, duke kërkuar nga institucionet e Zvicrës të merren masat konform ligjit.

RCCOLA

Ndërsa në komunikatën e nënshkruar nga ambasadorët Elezi dhe Malaj, duke iu referuar lajmit mbi djegien e flamurit shqiptar dhe thirrjet “Vdekje shqiptarëve” që u dëgjuan në stadium, veç tjerash thuhet se “Ngjarja ka tronditur shqiptarët edhe në Republikën e Kosovës dhe në Republikën e Maqedonisë, për shkak të lidhjeve historike idetitare që kanë ata me flamurin shqiptar dhe për shkak të thirrjeve për vrasjen e shqiptarëve.

Siç dihet, shumica dërmuese e qytetarëve me prejardhje shqiptare në Zvicër janë nga Kosova, arsye pse Ambasada e Kosovës i bashkëngjitet këtij reagimi. Mendojmë se akte të tilla primitive e raciste që nxisin urrejtjen dhe tensione etnike, bien në kundërshtim me vlerat e shoqërisë zvicerane dhe me vlerat demokratike në përgjithësi”, thuhet veç tjerash në komunikatë.

Sipas Malajt e Elezit, është koha për t’i shëruar deri në fund plagët e së shkuarës dhe jo për t’i ngacmuar e për t’i rihapur ato.

Më tutje, vazhdon komunikata, “Ambasada e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës u bëjnë thirrje autoriteteve kompetente zvicerane, Komisionit Federal kundër Racizmit, Federatës Ndërkombëtare të Futbollit (FIFA), Lidhjes Ndërkombëtare kundër Racizmit dhe Antisemitizmit (LICRA) të marrin masat e duhura që veprime të tilla të mos mbeten të pandëshkuara dhe ngjarje të tilla të mos përsëriten në të ardhmen”.