ARKATANA

Ambasada e SHBA’së: Ngërçi po i kushton Kosovës, formimi i institucioneve të bëhet në përputhje me Kushtetutën edhe vendimet e GJK’së

/ 4 minuta lexim
ARKATANA

Ambasada e SHBA’së në Prishtinë ka kërkuar nga liderët politikë në Kosovë që të punojnë duke u bazuar në Kushtetutë dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese për ndërtimin e institucioneve të reja. Duke alarmuar për mundësitë e humbura, ambasada thekson se ka ardhur koha që udhëheqësit t’i japin përparësi progresit dhe stabilitetit, në të mirë të të gjithë qytetarëve.

Alma Baxhaku

Udhëheqësit politikë të Kosovës duhet të punojnë së bashku për formimin e institucioneve në përputhje me Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese, ka thënë ambasada amerikane në Prishtinë në një përgjigje për Gazetën Express, që e dërgoi para nisjes së seancës konstituive të Kuvendit.

Mesazhi për respektim të Kushtetutës dhe vendimeve të gjykatës erdhi pikërisht në ditën kur seanca konstituive për Kuvendin s’nxori Kuvend të konstituuar për shkak të kërkesës së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për kohë shtesë për bisedime për Presidentin, e cila u aprovua nga kryesuesi i seancës, bashkëpartiaku i tij, Avni Dehari.

“Udhëheqja politike e Kosovës duhet të bashkëpunojë për të formuar institucionet në përputhje me Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.Populli i Kosovës pret nga udhëheqësit e tij që të përmbushin zotimin për të punuar në interesin më të mirë të vendit”, theksoi Ambasada,

Afati për konstituim të Kuvendit, sipas një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese të vitit të kaluar, obligon deputetët që ta konstituojnë Kuvendin brenda 30 ditëve nga dita e certifikimit të rezultateve zgjedhore. Ky afat përfundon nesër më 7 gusht, në orën 23:59.

Kurti nuk dha shenja se do ta thërrasin vazhdimin e seancës brenda këtij afati, duke thënë se i duhet kohë shtesë për bisedime dhe se “vetëm atëherë kur ta kemi arritur dakordimin për çështjen e Presidentit, të procedojmë me konstituimin e institucioneve të tjera”.

Por, pritshmëri tjera kanë amerikanët nga udhëheqësit politikë kosovarë.

“Qytetarët e Kosovës presin nga udhëheqësit e tyre që ta përmbushin zotimin për të vepruar në interesin më të mirë të vendit. Ky ngërç i vazhdueshëm politik po i kushton Kosovës mundësi të humbura. Ka ardhur koha që udhëheqësit t’i japin përparësi progresit dhe stabilitetit, në të mirë të të gjithë qytetarëve”, tha më tej ambasada në përgjigje.

ARKATANA

Për kohën që po e humb Kosova dje paralajmëroi edhe ambasada e Gjermanisë në vend.

“Kosova nuk ka kohë për të humbur: Shpresojmë që institucionet e reja të formohen në kohën e duhur dhe për një mandat të plotë, në mënyrë që të mund të vazhdojmë punën për agjendën tonë të përbashkët europiane me Kosovën”, tha kjo ambasadë në një përgjigje për Express.

Shtyrjen e procesit të konstituimit të Kuvendit Kurti e arsyetoi me “nevojën” për t’iu kthyer bisedimeve për çështjen e Presidentit me pretendimin se me ngulm synon shmangien e zgjedhjeve.

“Dhe kur ta kemi një marrëveshje, ta ftojmë vazhdimin e seancës konstituive. Pra, kur të jemi të siguruar që kemi bërë çdo gjë për të evituar shkuarjen edhe në një palë zgjedhje të panevojshme për shtetin, të paarsyeshme për qytetarët, e të dëmshme për buxhetin dhe ekonominë”, tha Kurti në një konferencë për media pas seancës ku vazhdoi të tregojë për ftesat e dërguara partive politike.

Derisa PDK është pozicionuar në opozitë dhe Aleanca ka kërkuar përmbushjen e disa pikave që kryesisht lidhen me përfshirjen e Kosovës në projektin e gazit amerikan në këmbim të votave për Presidentin, LDK është angazhuar në bisedime me Vetëvendosjen.

I pari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, para nisjes së seancës konfirmoi se “kanë distancë” për çështjen e Presidentit meqë tha se LDK kërkon “balancë demokratike” të ndarjes së pushteteve në përputhje me rezultatin e dalë nga zgjedhjet.

Numrat në epërsi të Vetëvendosjes i përmendi Kurti edhe për Presidentin në konferencën në Kuvend.

“Presidenti ose Presidentja nuk i takon ndonjë partie. Nëse do t’i takonte ndonjë partie atëherë duhet parë numrat. LVV i ka 53, tri partitë tjera opozitare bashkë 47, apo 6 më pak se ne”, tha Kurti, derisa përmendi sërish “koncensionin e madh” që bëri me tërheqjen e kandidaturës së Glauk Konjufcës për President.

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.