Ambasada amerikane: Liderët politikë të punojnë bashkë për konstituimin e Kuvendit

E ngarkuara me punë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati, bashkë edhe me ambasadorët e QUINT-it kanë takuar të hënën kryeministrin në detyrë të Kosovës Albin Kurti.
Diplomatët e huaj që i shkuan Kurtit në zyrë, i thanë qartë këtij të fundit se duhet të punojë bashkë me liderët e tjerë politikë për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e ekzekutivit.
Gjatë këtij takimi, e ngarkuara me punë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati ritheksoi nevojën që udhëheqësit politikë të Kosovës, të punojnë së bashku për të konstituuar Kuvendin dhe për të formuar një qeveri të qëndrueshme në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
“Gjatë takimit, ritheksoi nevojën që udhëheqësit politikë të Kosovës të punojnë së bashku për të konstituuar Kuvendin dhe për të formuar një qeveri të qëndrueshme në përputhje me Kushtetutën. Këto institucione janë thelbësore për të siguruar mirëqenien dhe prosperitetin e qytetarëve të Kosovës”, shkruan Ambasada Amerikane në Prishtinës.
Edhe Ambasada e Italisë në Kosovë, në një postim në Facebook, ka shkruar se ambasadorët ia kanë cekur Kurtit nevojën që të formohen sa më shpejt institucionet.